Komuna e Kisella Vodës u gjobit me 90 mijë euro për deponimin e paligjshëm të mbeturinave para “Drisllës”

Komuna e Kisella Vodës do të duhet të paguajë 90 mijë euro për deponimin e paligjshëm të mbeturinave para deponisë “Drislla” në Shkup. Kryetari Orce Gjorgjievski thotë se për një lëvizje të tillë të mjegullt nga kryetarja e qytetit të Shkupit, Danella Arsovska, ka marrë vesh përmes mediave dhe shton se inspeksionet e qytetit kanë qenë nën presion të madh për të ndëshkuar komunat që para tri ditësh kanë pastruar vetë mbeturinat nga rrugët dhe kontejnerët, ndërsa më shumë detaje ai do t’i bëjë të ditura në konferencën e sotme për media të planifikuar për në ora 12:00, transmeton Portalb.mk.

Për përkujtim, pas pezullimit të punës së Higjienës Komunale të Shkupit për shkak të grevës së punonjësve të ndërmarrjes publike, kryetarët e VMRO-DPMNE-së u organizuan dhe filluan pastrimin e komunave që menaxhojnë.

Në mesin e tyre, kryetari i komunës së Aerodromit, Timço Mucunski dhe kryetari i komunës së Kisella Vodës, Orce Gjorgjievski, të cilët me kamionët e mbeturinave nga komunat e tyre kanë shkuar në deponinë “Drislla”, e prej aty përmes transmetimit të drejtpërdrejtë akuzuan se nuk u lejohet të depozitojnë mbeturinat.

Kryetari Mucunski pohon se ka kërkuar disa herë drejtorin e “Drisllës”, por ai nuk i është përgjigjur thirrjeve të tij.

“Ne kemi opsion që mbeturinat t’i kthejmë në qytetin e Shkupit, sepse asnjë komunë nuk i lejohet t’i vendosë mbeturinat në ‘Drislla’ – deponi për të cilën të gjithë kemi marrëveshje të duhura. Ne jemi të gatshëm të paguajmë, megjithëse nuk jemi të detyruar ta bëjmë këtë. Mes opsionit të kthimit të plehrave në qytet dhe të qenit subjekt i një infeksioni të mundshëm, ne zgjedhim një opsion tjetër”, tha Mucunski në një fjalim para “Drisllës”.

Kryetari i Komunës së Kisella Vodës shtoi se nuk është lejuar të depozitojnë mbeturinat brenda “Drisllës” për më shumë se një orë e gjysmë, pas së cilës, siç tha ai, me përgjegjësi të tyre, dy kryetarët kanë vendosur të shkarkojnë mbeturinat para deponisë.

“Punonjësit tanë do t’i hedhin mbeturinat këtu, përballë ‘Drisllës’, me përgjegjësi të plotë të Timços dhe timen personalisht. Ne qëndrojmë pas kësaj sepse nuk mund të lejojmë që qyteti dhe komunat tona të zhyten në mbeturina. Më vjen keq që dikush nuk e ka sensin e mirë në këtë moment për të hapur portën dhe për të lënë kamionët të hyjnë, pavarësisht nga përgjigja jonë si ndaj Bordit të Drejtorëve ashtu edhe ndaj Drejtorit. Ata që janë përgjegjës për turnin u fshehën, gjegjësisht u urdhëruan të mos paraqiten këtu, kështu që nuk kemi zgjidhje tjetër”, tha Gjordjievski.