Komuna e Haraçinës ndërpreu punën për shkak të kërcënimeve, kryetari kërkoi që institucionet kompetente të ndërmarrin masa

Administrata e Komunës së Haraçinës nga sot nuk do të punojë deri në një njoftim të ri. Ky vendim ka ardhur pasi dje kryetari i Komunës së Haraçinës, Ridvan Ibraimi u kërcënua me jetë nga një 69-vjeçar dhe disa raste më parë ku ka pasur kërcënime, transmeton Portalb.mk.

“Ju njoftojmë se për shkaqe sigurie, Administrata Komunale nuk do të punojë nga data 25.05.2023 (e enjte) deri në një vendim të ri për të cilin do të informoheni me kohë. Ju kërkojmë ndjesë që nuk do të mund të kryejmë shërbimet dhe obligimet ligjore ndaj qytetarëve, por një masë e këtillë ka të bëjë kryesisht me sigurinë e punonjësve të administratës komunale por edhe qytetarëve të cilët i drejtohen Komunës për të marrë shërbime. Ashtu siç më mund të jeni të informuar edhe nga mjetet e informimit, është hera e dytë që cenohet siguria e punonjësve të administratës komunale dhe Kryetarit të Komunës, prandaj një vendim i këtillë edhe përkundër vullnetit dhe dëshirës tonë ishte i pashmangshëm”, thuhet në njoftimin e administratës së Komunës së Haraçinës.

Kryetari i Komunës Ridvan Ibraimi, në një deklaratë për mediat tha se persona të caktuar pengojnë punën e Komunës dhe nuk lejojnë zhvillimin eprojekteve të parapara.

“Fatkeqësisht këta prona për momentin janë të uzurpuara nga ana e personave që shkaktuan incidentin. Në momentin që tashmë jemi në fazën përfundimtare të këtyre procedurave në Ministrinë e Bujqësisë, ata sërish marrin guximin dhe na kërcënojnë për jetët tona. Ky nuk është incidenti i parë dhe nëse nuk ndërmerren masa adekuate nga insctitucionet kompetente, besoj se nuk do të jetë as i fundit. Incidete të këtilla kishim edhe më parë, të cilat i paraqita para organeve të rendit dhe ende presim përgjigje. Përveç kësaj një kohë të gjatë kam problem edhe me emërimin e drejtorëve të shkollave fillore në kuadër të Komunës së Haraçinës, ngase çdo kandidat që më jepet nga ana e Këshillit të shkollës, po të njëjtët pewrsona i kërcënojnë dhe asnjë nga këto kandidatë nuk pranon për të përzgjedhur drejtor shkolle. Me qëllim që situata mos të eskalojë edhe më tutje, ftoj organet e rendit, si dhe prokurorinë publike të veprojnë. Kërkojmë përkrahjen edhe të juve mediave. Haraçina meriton zhvillim dinjitoz”, tha Ibraimi.

Policia e Maqedonisë së Veriut  dje arrestoi një qytetar të dyshuar në lidhje me sulmin ndaj kryetarit të Komunës së Haraçinës, Ridvan Ibraimi. Ndaj të dyshuarit do të paraqitet kallëzim penal për rrezikimin e sigurisë.

“Punonjësit e policisë nga SPB Shkup, e kanë arrestuar 69 vjeçarin R.A. nga fshati i Haraçinës, duke vepruar pas raportimit të mëparshëm nga R.I., kryetari i Komunës së Haraçinës”, njoftoi dje Policia e Maqedonisë së Veriut.

Raportohet që në objektin e komunës, në mungesë të kryetarit, ai kishte kërcënuar me jetë kryetarin e komunës, për shkak të një lënde për shfrytëzimin e një toke.

Ndryshe, në muajin shtator policia e Maqedonisë së Veriut ka arrestuar tre persona në lidhje me sulmin fizik që ka ndodhur ndaj kryetarit të Komunës së Haraçinës.

Më 13 shtator ishte sulmuar fizikisht kryetari i Komunës së Haraçinës Ridvan Ibraimi. Raportohet se sulmi është bërë nga anëtar të familjes së ish-kryetarit të Komunës Brahim Ajvazi.

“Arsyet e sulmit ishin mosrealizimi i kërkesave të tyre personale e biznesore. Gjoja me veprimet e mia si kryetar komune ua prishi hesapet e tyre. Fillimisht kërkojnë që emërimet e drejtorëve të shkollave fillore të bëhen sipas kërkesave të tyre, duke mos plotësuar asnjë kriter ligjor, por përmes së cilëve do të munden që më me lehtësi ti realizojnë qëllimet si dhe të jenë në shërbimin e tyre. Synimet e këtij grupi janë me prapavija të këqija, e që janë në dëm të banorëve të komunës, duke kërcënuar e shantazhuar ekipet e shumta që i kryejnë obligimet e veta, e që janë pjesë të projekteve të ndryshme”, deklaroi kryetari Ibraimi pas sulmit.