Deponia në Haraçinë përfshihet nga zjarri, banorët ankohen për tym dhe erë të rëndë
Me rritjen e temperaturave, në vend ka nisur edhe sezoni i zjarreve, ndërsa një vatër e tillë tashmë prej disa ditësh është aktive në deponinë mbi fshatin Haraçinë. Edhe pse zjarrfikësit kanë ndërhyrë disa herë, zjarri vazhdon të mbetet aktiv, transmeton Portalb.mk.
Banorët e Haraçinës për Alsat shprehen të shqetësuar për situatën, duke theksuar se prej ditësh përballen me erë të rëndë dhe tym që vjen nga deponia.
”Po, e pash nga poshtë që dilte tym por kush e ka ndezur nuk e di, kjo u pengon qytetarëve? Po, sigurisht që pengon”, tha një banor.
Një tjetër qytetar u shpreh se problemi është i vazhdueshëm dhe se kërkesat e tyre për zgjidhje nuk janë marrë seriozisht: “Po, shumë na pengon. Kemi kërkuar të ndërmerren masa, por vetëm na thonë se do të bëhet dhe kalojnë vitet. Zjarrfikësit nuk i kemi parë duke intervenuar”.
Ndërkohë, një banor tjetër theksoi se era e keqe është bërë e padurueshme, sidomos gjatë verës: ““Sot në mëngjes vërtetë kundërmonte ere e keqe. Gjatë verës thuajse gjithmonë. Një që ishte në anën e Kumanovës, në Nikushtak, e mbyllëm pas dhjetë viteve kishim problem me tymin po pas reagimit u mbyll e tani kjo këtu. Aty e bëjnë një fabrikë për riciklim por endë nuk është përfunduar”.
Nga Komuna e Haraçinës bëjnë të ditur se janë ndërmarrë masa për menaxhimin e situatës. Sipas tyre, Ndërmarrja Publike Komunale “Ambienti” ka reaguar menjëherë duke mbuluar me dhe pjesën e përfshirë nga zjarri, ndërsa ekipet vazhdojnë të punojnë në terren për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të tij.
Autoritetet komunale shtojnë se zjarrfikësit kanë intervenuar 3 deri në 4 herë për lokalizimin dhe shuarjen e flakëve, ndërsa ekzistojnë dyshime se zjarri mund të jetë shkaktuar nga persona të papërgjegjshëm, për çka është njoftuar edhe policia.
Sa i përket fabrikës për riciklim të mbeturinave pranë deponisë, nga komuna thonë se ajo ndodhet në fazën përfundimtare dhe pritet që së shpejti të vihet në funksion.