U arrestua një person për sulmin fizik ndaj kryetarit të komunës së Haraçinës

Policia e Maqedonisë së Veriut ka arrestuar një qytetar të dyshuar në lidhje me sulmin ndaj kryetarit të Komunës së Haraçinës, Ridvan Ibraimi. Ndaj të dyshuarit do të paraqitet kallëzim penal për rrezikimin e sigurisë, transmeton Portalb.mk.

“Punonjësit e policisë nga SPB Shkup, e kanë arrestuar 69 vjeçarin R.A. nga fshati i Haraçinës, duke vepruar pas raportimit të mëparshëm nga R.I., kryetari i Komunës së Haraçinës”, raportoi Policia e Maqedonisë së Veriut.

Raportohet që në objektin e komunës, në mungesë të kryetarit, ai kishte kërcënuar me jetë kryetarin e komunës, për shkak të një lënde për shfrytëzimin e një toke.

Ndryshe, në muajin shtator policia e Maqedonisë së Veriut ka arrestuar tre persona në lidhje me sulmin fizik që ka ndodhur sot ndaj kryetarit të Komunës së Haraçinës, Ridvan Ibraimi.

Më 13 shtator ishte është sulmuar fizikisht kryetari i Komunës së Haraçinës Ridvan Ibraimi. Raportohet se sulmi është bërë nga anëtar të familjes së ish-kryetarit të Komunës Brahim Ajvazi.

“Arsyet e sulmit ishin mosrealizimi i kërkesave të tyre personale e biznesore. Gjoja me veprimet e mia si kryetar komune ua prishi hesapet e tyre. Fillimisht kërkojnë që emërimet e drejtorëve të shkollave fillore të bëhen sipas kërkesave të tyre, duke mos plotësuar asnjë kriter ligjor, por përmes së cilëve do të munden që më me lehtësi ti realizojnë qëllimet si dhe të jenë në shërbimin e tyre. Synimet e këtij grupi janë me prapavija të këqija, e që janë në dëm të banorëve të komunës, duke kërcënuar e shantazhuar ekipet e shumta që i kryejnë obligimet e veta, e që janë pjesë të projekteve të ndryshme”, deklaroi kryetari Ibraimi pas sulmit.