Komuna e Haraçinës: 422% rritje në mbledhjen e tatimeve

Kryetari i Komunës së Haraçinës, Ridvan Ibraimi, sot deklaroi se komuna ka arritur që mbi 50% e qytetarëve të paguajnë tatimet e pronave, dhe se në krahasim me vitin 2022 kjo shënon rritje për 422%, shkruan Portalb.mk.

“Komuna e Haraçinës nga gjithsej 2675 amvisëri të regjistruara ka arritur që mbi 50% e qytetarëve të kenë paguar tatimin, shumë prej tyre edhe në mënyrë vullnetare kanë kërkuar vendimin për tatimin e pronës” kumtuan nga Komuna.

Rezultatet i ka prezentuar vetë kryetari i Komunës së Haraçinës sot në Shkup, në ngjarjen e organizuar në suaza të projektit të USAIDPërforcimi i Aktiviteteve të Mobilizimit të Burimeve” (SRMA), nëpërmjet të cilit USAID ka investuar 6.5 milion dollarë në Maqedoninë e Veriut me qëllim që “të rriten të hyrat e komunave dhe të rritet shkalla e menaxhimit dhe realizimit të buxhetit të tyre në përputhje me kërkesat e buxhetit”.

Sipas kryetarit, në krahasim me vitin 2022 Komuna e Haraçinës ka rritje prej 422% në aspekt të mbledhjes së tatimit të pronave.

Përfaqësuesi i USAID, Bardhyl Marku, duke folur për bashkëpunimin me Komunat, Komunën e Haraçinës e theksoi si ,,histori suksesi” jo vetëm në mbledhjen e tatimeve por edhe në aspekt të transparencës fiskale dhe aktive. Gjithashtu, në bazë të analizave të kryera në suaza të të njëjtit projekt, Haraçina ka shënuar përmirësim më të madh në krahasim me komunat tjera.

bardhyl marku, ridvan ibraimi, Ljubica Patlidjankovska
Përfaqësuesi i USAID, Bardhyl Marku, Ekspertja e Menaxhimit të Financave Publike, Ljubica Patlidjankovska dhe Kryetari i Komunës së Haraçinës, Ridvan Ibraimi. Foto nga Komuna e Haraçinës