Komisioni për përzgjedhjen e kryetarit të Antikorrupsionit kontrolloi a i plotësojnë kandidatët kushtet teknike
Komisioni për përzgjedhjen e kandidatëve për kryetar të Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK) sot mbajti seancë në të cilën shqyrtoi se kandidatët a i plotësojnë kushtet teknike. Komisioni Parlamentar për Zgjedhje dhe Emërime në gusht e formoi këtë Komision, por procedura u ndërpre për shkak të zgjedhjeve, raporton Portalb.mk.
Në Kuvendin e Maqedonisë sot u mbajt mbledhja e parë e Komisionit për Përzgjedhjen e Kandidatëve për të parin e Antikorrupisonit. Në këtë mbledhje e cila do të vazhdojë dhe nesër po kontrollohen kushtet teknike të kandidatëve që kanë aplikuar për këtë pozitë.
Kujtojmë se trembëdhjetë kandidatë garuan për kryetar të Komisionit Shtetëror për Parandalim të Korrupsionit, por njëri tani më është tërhequr.
Emrat e kandidatëve janë: Branko Smilevski, Bllagica Troshanska, Feuzi Xhaferi, Kimo Çavdar, Vlladimir Naumovski, Vesna Dorevska, Nenad Trifunovski, Branko V’çkov, Valentina Todorovska, Antonio Sanev, Zoran Naumov dhe Adem Çuçul.
Ndërkohë, njëri nga kandidatët, Kostadin Kus Ivanov, është tërhequr nga gara.
Ligjërisht, pritet që brenda 5 ditëve nga mbarimi i kësaj mbledhje ku do të bëhet përcaktimi i listës definitive të kandidatëve, të fillojnë intervistat, të cilat janë subjekt i interesit publik.
Komisioni i formuar për Përzgjedhjen e Kandidatëve përbëhet nga shtatë anëtarë: Ylber Rufati, zëvendës Avokat i Popullit, Darko Avramovski, përfaqësues i një shoqate ose fondacioni të emëruar si anëtar i Këshillit për Bashkëpunim midis Qeverisë dhe Sektorit Civil në fushën e demokracisë, sundimit të ligjit, pra anëtar i Këshillit për Bashkëpunim midis Qeverisë dhe Shoqërisë Civile në fushën e sundimit të ligjit dhe luftës kundër korrupsionit, Bardhyl Jashari, përfaqësues i shoqatës ose fondacionit të emëruar si anëtar i Këshillit për Bashkëpunim midis Qeverisë dhe Sektorit Civil në fushën e mediave dhe shoqërisë së informacionit, dhe deputetët: Bojan Stojanoski nga VMRO-DPMNE, Saranda Imeri Stafai nga VLEN, Mitko Trajçuleski nga LSDM dhe Arbana Pasholli nga Fronti Evropian.
Anëtarët e Komisionit të Përzgjedhjes janë të autorizuar të përpunojnë të dhëna personale dhe janë të detyruar të sigurojnë konfidencialitetin dhe mbrojtjen e të dhënave në përputhje me Ligjin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, për të cilat do të paraqesin deklarata në Komisionin për Zgjedhje dhe Emërime.
Në gusht, Cveta Ristovska, u zgjodh unanimisht si zëvendëskryetare e KSHPK-së, i cili mbeti pa kryetar pas dorëheqjes së Tatjana Dimitrovskës. Ajo ka udhëhequr Komisionin gjatë zgjedhjeve lokale të tetorit.
Komisioni Evropian në raport tha se aktakuza e ngritur ndaj Presidentes së Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK), e cila çoi në dorëheqjen e saj, ka vënë në pikëpyetje besueshmërinë e institucionit.
“KSHPK duhet të ofrojë në mënyrë proaktive udhëzime politike për të parandaluar korrupsionin, për të zbuluar dhe raportuar rastet e dyshuara të korrupsionit dhe për të rritur efikasitetin e saj në verifikimin e deklaratave të pasurisë dhe mbikëqyrjen e financimit të fushatave zgjedhore. Paralelisht, rekomandimet e saj duhet të ndiqen në mënyrë efektive”, thuhet në raport.
Në ndërkohë, përzgjedhja e kandidatëve dhe zgjedhja kreut të ri të KSHPK-së do të fillojë pas zgjedhjeve lokale.
- LEXO: Përzgjedhja e kandidatëve dhe zgjedhja kreut të ri të KSHPK-së do të fillojë pas zgjedhjeve lokale
KSHPK mbeti pa kryetare pas dorëheqjes së Tatjana Dimitrovskës, e cila dha dorëheqjen pas akuzave nga Prokuroria për Ndjekjen Penale të Krimit të Organizuar për dy vepra penale: zbulimin e sekreteve zyrtare ish-drejtorit të TEC Negotina, Nebojsha Stojanovi1, i akuzuar në “Aditiv”, dhe falsifikim kompjuterik, sepse një auditor nga Enti Shtetëror i Revizionit kaloi test certifikate sekreti shtetëror në emër të saj.