Kryetarja e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHK), Tatjana Dimitrovska, dha dorëheqjen sot nga pozicioni i saj, njoftoi Kuvendi i RMV. Dorëheqja vjen vetëm pak ditë pasi prokuroria ngriti një aktakuzë kundër saj më 18 korrik për veprat penale “zbulimit i sekreteve zyrtare dhe falsifikimi kompjuterik”, transmeton Portalb.mk.
“Ju informojmë se Kryetarja e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, Tatjana Dimitrovska, sot paraqiti dorëheqjen e saj kryetarit të parlamentit, Afrim Gashi. Parlamenti do të veprojë në përputhje me procedurat e parapara dhe ju do të informoheni për to në kohën e duhur”, thuhet në një deklaratë të shkurtër nga zyra e Gashit.
Aktakuza kundër Dimitrovskës lidhet me rastin “Aditiv“, i cili ka të bëjë me prokurimin e aditivëve me vlerë mbi 6 milionë euro për REK “Bitola”. Veprimi në këtë rast filloi në nëntor të vitit të kaluar, dhe i dyshuari kryesor është ish-drejtori i Elektranave në RMV, Vasko Kovacevski, i cili është ende në arrati.