Përzgjedhja e kandidatëve dhe zgjedhja kreut të ri të KSHPK-së do të fillojë pas zgjedhjeve lokale

Komisioni Parlamentar për Zgjedhjet dhe Emërimet në seancën e sotme formoi një Komision për Përzgjedhjen e Kandidatëve për Kryetar të Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK), pasi kryetarja Tatjana Dimitrovska kohët e fundit dha dorëheqjen nga pozicioni i saj në këtë institucion, transmeton Portalb.mk.

Kryetari i komisionit kryesor parlamentar, Gjorgjija Sajkoski, informoi në seancën e sotme se organi i themeluar për përzgjedhjen e kandidatëve për kryetar të ri të KSHPK-së do të fillojë punën pas përfundimit të zgjedhjeve lokale. Ai e tha këtë duke lexuar përgjigjen që Komisioni Antikorrupsion i dorëzoi parlamentit në përgjigje të kërkesës për mendim mbi zhvillimin e mëtejshëm të procedurës

Ata theksuan se në përputhje me Kodin Zgjedhor dhe Ligjin për Parandalimin e Korrupsionit dhe Konfliktit të Interesit, KSHPK nuk ka autorizim të japë mendime ose pëlqime për kërkesat e paraqitura nga autoritetet shtetërore dhe lokale gjatë procesit zgjedhor nga dita e shpalljes së zgjedhjeve.

“Sipas Ligjit për Parandalimin e Korrupsionit dhe Konfliktit të Interesave, KSHPK nuk ka autorizim të japë mendim ose pëlqim për kërkesat e paraqitura për mendim mbi veprimet e organeve shtetërore dhe të qeverisjes vendore dhe organeve të tjera shtetërore të themeluara në përputhje me Kushtetutën dhe ligjin – fonde, agjenci, drejtori, ndërmarrje publike, organe rregullatore, shoqëri tregtare të themeluara nga shteti dhe institucione të tjera të themeluara nga shteti gjatë procesit zgjedhor. KSHPK, duke vepruar në mënyrë parandaluese, u bën me dije të gjitha palëve të interesuara se nga dita e miratimit të vendimit për shpalljen e zgjedhjeve lokale deri në përfundimin e zgjedhjeve për zgjedhjen e kryetarëve të komunave ose anëtarëve të Këshillit, përkatësisht deri në konstituimin e Këshillit të Komunave dhe Qytetit të Shkupit, është e nevojshme të respektohen ndalesat e përcaktuara në nenet 8a dhe 8b të Kodit Zgjedhor dhe nenin 34 të Ligjit për Parandalimin e Korrupsionit dhe Konfliktit të Interesave, ku veprimet janë përgjegjësi e personave përgjegjës të subjekteve. Me këtë, si Komision, dëshirojmë t’i bëjmë me dije Komisionit Përzgjedhës se puna e tij do të vazhdojë pas përfundimit të zgjedhjeve më 3 nëntor”, thuhet në përgjigjen e KSHPK-së, e cila u lexua nga Sajkoski në seancën e sotme të komisionit përkatës parlamentar.

Përndryshe, komisioni prej shtatë anëtarësh për përzgjedhjen e kandidatëve për kryetar të KSHPK-së përbëhet nga:

  • Ilber Rufati – zëvendës Avokat i Popullit;
  • Darko Avramovski – përfaqësues i një shoqate/fondacioni të emëruar si anëtar i Këshillit për Bashkëpunim midis Qeverisë dhe Sektorit Civil për fushën e demokracisë, sundimit të ligjit dhe luftës kundër korrupsionit;
  • Bardhyl Jashari – përfaqësues shoqate/fondacioni të emëruar si anëtar i Këshillit për Bashkëpunim midis Qeverisë dhe Sektorit Civil për fushën e mediave dhe shoqërisë së informacionit;
  • Bojan Stojanoski – Deputet nga VMRO-DPMNE;
  • Saranda Imeri-Stafai – Deputete nga VLEN;
  • Mitko Trajçuleski – Deputet nga LSDM;
  • Arbana Pasholli – Deputete nga Fronti Evropian.

Kryetarja e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHK), Tatjana Dimitrovska, dha dorëheqjen më 25 korrik nga pozicioni i saj, njoftoi Kuvendi i RMV. Dorëheqja erdhi vetëm pak ditë pasi prokuroria ngriti një aktakuzë kundër saj më 18 korrik për veprat penale “zbulimit i sekreteve zyrtare dhe falsifikimi kompjuterik”.

Aktakuza kundër Dimitrovskës lidhet me rastin “Aditiv“, i cili ka të bëjë me prokurimin e aditivëve me vlerë mbi 6 milionë euro për REK “Bitola”. Veprimi në këtë rast filloi në nëntor të vitit të kaluar, dhe i dyshuari kryesor është ish-drejtori i Elektranave në RMV, Vasko Kovacevski, i cili është ende në arrati.