Komisioni hetimor vijon me seancat për rastin “Onkologjia”

Sot vijon puna e Komisionit Hetimor për përcaktimin e përgjegjësisë për skandalin në Onkologji, transmeton Portalb.mk.

Për sot janë caktuar seancat dëgjimore para deputetëve të dëshmitarëve dhe ekspertëve dhe shqyrtimi i akteve dhe dokumenteve lidhur me skandalin në ISHP Klinika Universitare për Radioterapi dhe Onkologji. Deri më tani para deputetëve kanë dalë zyrtarë aktualë dhe ish, ministra, zyrtarë dhe persona përgjegjës në Fondin e Shëndetësisë, revizori shtetëror Maksim Acevski, prokurori Ljubomir Joveski dhe ministri i Punëve të Brendshme Oliver Spasovski.

Është planifikuar të dëgjohen gjithsej 44 dëshmitarë, ndër të cilët janë edhe drejtuesit dhe punonjësit e klinikës.

Komisioni hetimor për rastin e Klinikës së Radioterapisë dhe Onkologjisë është formuar më 29 shtator pasi Prokuroria Publike ka hapur hetimet paraprake për këtë rast pas raportimeve në media për keqpërdorime të pretenduara të pozitës së punës dhe parregullsi në trajtimin e pacientëve nga kjo klinikë.

Ndryshe, më 1 shtator 2023, në bazë të urdhrit gjyqësor, sipas drejtimeve të prokurorit publik nga Prokuroria Themelore Publike Shkup, pjesëtarë të MPB-së kanë kryer bastisje në Klinikën e Onkologjisë, si dhe në dy lokacione tjera në banesa private në Shkup. Janë marrë disa kompjuterë, të dhëna kompjuterike dhe tjetër dokumentacion, të cilët do të jenë lëndë e analizës dhe ekspertizës. Ky aksion erdhi pas publikimit të informacioneve në media se, se punonjësit e Klinikës së Onkologjisë në mënyrë të paligjshme u shesin barna pacientëve.

Për rastin në Klinikën e Onkologjisë, Kuvendi zgjodhi përbërjen e komisionit hetimor, me propozim të VMRO – DPMNE-së.

Ky rast nxiti reagime të shumta në opinion.

Ministria e Shëndetësisë do të bashkëpunojë ngushtë me autoritetet hetimore për zbardhjen e rastit të keqpërdorimit të terapisë për pacientët e Klinikës Onkologjike, kështu ka thënë për këtë rast ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti. Sipas tij, është e nevojshme të kryhet hetim i plotë dhe i paanshëm.