Kombëtarja e Shqipërisë me trajner të ri
Stafi teknik i Kombëtares shqiptare ka pësuar të tjera ndryshime të rëndësishme në prag të nisjes së një cikli të ri, raporton Klan. Pas largimit të trajnerit Sylvinho, si edhe bashkëpunëtorëve të tij Pablo Zabaleta dhe Doriva, Federata Shqiptare e Futbollit i ka besuar drejtimin teknik italianit Rolando Maran, i cili ka nisur menjëherë organizimin e stafit të ri kuqezi.
Ndryshimet nuk kanë prekur vetëm pankinën, por edhe sektorë të tjerë të rëndësishëm të ekipit kombëtar.
Në stafin e ri nuk do të jetë më pjesë as përgatitësi atletik italian Luca Laurenti.
Po ashtu, fundi i një epoke vjen edhe për videoanalistin Alaricco Rossi, i cili prej disa vitesh ishte pjesë e përhershme e Kombëtares shqiptare dhe kishte krijuar një rol të rëndësishëm në analizën taktike të ekipit.
Ndërkohë, ndryshime edhe në sektorin e portierëve, pasi Ilir Bozhiqi nuk do të vazhdojë më detyrën si trajner i portierëve të Kombëtares.
Nga ana tjetër, është konfirmuar se ndihmëstrajner i Rolando Maran do të jetë Christian Maraner, një bashkëpunëtor i afërt i teknikut italian, i cili e ka shoqëruar atë në eksperiencat e mëparshme në karrierën e tij.
I vetmi emër që mbetet i palëvizur në stafin kuqezi është ish-futbollisti Ervin Bulku, i cili do të vijojë të jetë pjesë e stafit teknik edhe në këtë fazë të re të përfaqësueses shqiptare.