Klubi i futbollit KF Gostivari u tërhoq nga Liga e Parë e Futbollit të Maqedonisë së Veriut
Përmes një kumtese në faqen zyrtare në Facebook, ekipi i futbollit “KF Gostivari” njoftoi se tërhiqet nga Liga e Parë e Futbollit të Maqedonisë. Në njoftim, mes tjerash, thuhet se klubi ka pësuar më së shumti penalizime dhe masa disiplinore nga FFM këtë vit dhe se nuk do të jetë klubi i parë që tërhiqet nga liga më e fortë e vendit këtë vit, transmeton Portalb.mk.
Ky veprim nga drejtuesit e ekipit të futbollit vjen pasi Gostivarit iu dha një gjobë prej nëntë pikësh, dhe pronarit, trajnerit dhe kapitenit iu ndalua sporti për dy vjet për shkak të largimit nga fusha dy javë më parë gjatë një ndeshjeje kundër klubit të futbollit Rabotniçki, kur klubi i Shkupit udhëhiqte me rezultat 2:1. Atëherë, por edhe sot, tifozët e Gostivarit arsyetuan largimin nga fusha, sepse, sipas tyre, ishte kulminacioni i parregullsive të shumta me të cilat ekipi ishte përballur për një kohë të gjatë.
Kujtojmë se, më parë, edhe klubi i futbollit Voska Sport nga Ohri njoftoi se nuk do të merrte pjesë në kampionatin vendas në kuadër të Ligës së Parë të Futbollit të Maqedonisë, pesë xhiro para përfundimit të sezonit. Klubi i Nefi Useinit e mori këtë vendim një ditë pasi Komiteti Disiplinor i Federatës së Futbollit të Maqedonisë (FFM) i vendosi një penalizim Voskës për tërheqje nga fusha në ndeshjen kundër Vardarit dhe i zbriti nëntë pikë. T
Tërheqja e Gostivarit dhe Voska Sportit do të thotë se nuk do të ketë rënie direkte nga Liga e Parë këtë vit.