Kishte pastaj nuk kishte, u vjetërsua aktakuza për Koce Trajanovskin për shatërvanin në sheshin e Shkupit

Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në ditën e parafundit të vitit 2025 ka ngritur aktakuzë kundër ish-kryetarit të Shkupit, Koce Trajanovski, biznesmenit të dënuar Sead Koçan dhe kompanisë “Transmet“, e cila është në falimentim.mTrajanovski akuzohet se ka keqpërdorur pozitën dhe autoritetin zyrtar për punë shtesë ndërtimore në shatërvanin me hedhje uji (jumping-jet) në vitin 2016, ndërsa Koçan dhe kompania e tij se e kanë keqpërdorur procedurën për thirrje publike, ndarje të kontratës për prokurim publik ose partneritet publiko-privat, transmeton Portalb.mk nga Prizma

Për Trajanovskin, i cili nga viti 2024 është drejtor i Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore, dje u bë vjetërsimi i plotë i ndjekjes penale.

Nga Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit për BIRN konfirmuan se e kanë dorëzuar aktakuzën më 30 dhjetor të vitit 2025, edhe pse atëkohë nuk e kanë njoftuar opinionin publik për këtë.

Lëndën e gjykon gjykatësi Ivica Stefanovski. Gjykata na u përgjigj se Koçan është paraqitur rregullisht në të tri seancat e caktuara, “por nuk është siguruar dorëzim i rregullt i ftesës dhe as prania e të akuzuarit të tretë (Koce Trajanovski)“. Nga gjykata u përgjigjën se përveç Trajanovskit, në seancat e caktuara nuk ka ardhur as drejtori falimentues i “Transmet“ në falimentim, Bogoljub Makrevski.

Nga Gjykata sqaruan se i kanë respektuar të gjitha afatet.

“Pyetja se pse aktakuza për vepër penale të kryer në vitin 2015/2016 është dorëzuar në një afat aq të shkurtër para vjetërsimit, është një pyetje që është në kompetencë të prokurorit publik të autorizuar“, thanë nga Gjykata Penale.

Nga atje theksojnë se pasi është dorëzuar aktakuza, atë e ka vlerësuar një gjykatës. Lënda ka kaluar nga Njësia për vepra kundër krimit të organizuar në Njësinë për kryerës penalë të moshës madhore, sepse aktakuza nuk është nga fusha e krimit të organizuar. “Është sjellë një vendim formal me të drejtë ankese dhe afate të parapara me ligj“, thonë nga atje.

Dy lëndë gjyqësore aktive për „Shkupi 2014“

Procedura gjyqësore po zhvillohen për dy lëndë për “Shkupi 2014“,”Feniks“ për përmendoret, dhe lënda për fasadën e ndërtesës së Qeverisë.

Trajanovski, nga ana tjetër, për BIRN tha se ai nuk ka marrë ftesë për të marrë pjesë në asnjë seancë gjyqësore. Pse është kështu, ai tha se duhet pyetur në gjykatë. Ai tha se bëhet fjalë për një lëndë në të cilën, siç pretendon ai, ka vepruar në përputhje me ligjin si kryetar i Qytetit të Shkupit.

“Më vjen keq që nuk mund ta dëshmoj këtë në një procedurë gjyqësore“, tha Trajanovski për BIRN.

Ai tha se me Koçan, i cili u dënua me vendim të plotfuqishëm në lëndën “Transmet“, ishin të akuzuar për veprime të ndryshme, por janë vënë në të njëjtën lëndë, sepse bëhet fjalë për punët ndërtimore në sheshin e Shkupit.

Sipas kalendarit gjyqësor seanca e radhës për këtë lëndë, në të cilën mbeten të akuzuar vetëm Koçan dhe kompania e tij, është caktuar për më 13 korrik, kur ndoshta edhe do të konstatohet vjetërsimi i veprës kundër Trajanovskit.

Në ndërkohë, nga Qyteti i Shkupit njoftuan se pas shumë viteve mosfunksionimi dhe kamionëve të ngecur do ta renovojnë shatërvanin në shesh.