U formua grupi i punës për riemërimin e rrugëve në Komunën e Tetovës
Këshilli i Komunës së Tetovës njëzëri sot me 28 vota “për” miratoi vendimin për formimin e grupit të punës për riemërimin e rrugëve në Komunën e Tetovës që tashmë kanë emërtim të përcaktuar dhe bëhet emërimi i rrugëve të të cilave emri iu është caktuar me numër. Ndryshimi i emrave të shkollave dhe institucioneve publike nuk është pjesë e vendimit, raporton Portalb.mk.
Këshilltari Argjend Veliu nga Lëvizja Besa sqaroi se ky grup do të merret me përcaktimin dhe ndryshimin e emrave të rrugëve, urave dhe shesheve në territorin e Komunës së Tetovës.
“Paraprakisht ka funksionuar një komision tjetër i cili është marrë në veçanti me identifikimin e rrugëve të reja të cilat janë krijuar prej kohësh dhe një pjesë e tyre nuk janë të identifikuara dhe të regjistruara”, tha Veliu.
Ai theksoi se është konstatuar që në Tetovë janë gjithsej 265 rrugë, prej të cilave 111 janë me emra, 113 me numra dhe 41 nuk kanë aspak emërim.
Këshilltari i BDI-së Liridon Disha theksoi se të gjithë qytetarët duhet të informohen se ashtu siç është reklamuar ndryshimi i emrave të rrugëve nuk po bëhet në këtë seancë.
“Por bëhet emërimi i rrugëve të cilat janë me numra, për shembull Rruga 108 do të ndryshohet do të vendoset një emër”, tha Disha.
Ai kërkoi madje që emrat e ndryshuar të disa rrugëve që janë bërë në vitin 2006 të regjistrohen në Regjistrin Qendror.
Kryetari i Komunës së Tetovës Bilall Kasami theksoi se emrat të cilët kanë qenë nuk do të thotë se do të ndryshohet, mund të jenë përsëri të njëjtat dhe të konfirmohen me vendim gjithëpërfshirës.
“Përfundimisht do kemi emërim të rrugëve për gjithë pjesën urbane fillimisht pastaj do të shkohet edhe në pjesën e vendbanimeve rurale dhe pastaj të shkojmë me fazën e vendosjes së tabelave të rrugëve që nuk e kemi pasur në Tetovë dhe vendosjen e numrave nëpër shtëpi dhe banesa”, tha Kasami.
Po ashtu këshilltari i BDI-së Amet Rexhepi tha se me ndryshimin e emrave të rrugëve, qytetarët do të përballen me harxhime shtesë për ndryshimin e dokumenteve personale për shkak të adresës.
Për anëtarë të këtij grupi të punës u zgjodhën këshilltarët komunal: Argjend Veliu (LB), Abdyrahim Maksuti (LB), Veton Murati (BDI), Anita Boshkovska Jovanovska (VMRO-DPMNE), Visa Palloshi (PDSH), Faton Selami (AAA) dhe Gligorije Stojanovski (LSDM).
Ndërsa anëtarë të tjerë u zgjodhën edhe: Shaban Xhelili nga Sektori për Veprimtari Komunale, Nuhi Pajaziti nga Sektori për Planifikim Urbanistik, historiania Olivera Gixhevska dhe profesori Arsim Sinani.
Grupi i punës ka për detyrë të përpilojë propozim listë të rrugëve dhe ta dorëzojë te këshilli komunal, i cili më pas nëse e miraton, procesi do të vijojë në institucionet përkatëse.
Në këtë vendim nuk është i përfshirë ndryshimi i emrave të shkollave dhe institucioneve publike, ashtu siç u promovua në vitin 2022 përmes nismës për ndryshimin e emrave të rrugëve, shkollave dhe institucioneve publike në Tetovë nga Shoqata Akademike e Shqiptarëve për Art dhe Shkencë dhe Komunës së Tetovës.
Në Tetovë edhe pse disa rrugë janë emëruar në gjuhën shqipe, të njëjtat shfrytëzohen vetëm nga Komuna e Tetovës gjatë komunikimit me qytetarët kurse në dokumente zyrtare vazhdojnë të qëndrojnë emrat nga koha e ish Jugosllavisë.
Edhe më herët në Tetovë ka pasur nisma të tilla që nuk kanë shkuar deri në fund.