Dy metafora të ‘kalbëzimit social’ (I)

Shoqëria shqiptare lëngon prej shumë sëmundjesh. Ndër to: elitat e korruptuara, politika dhe politikanët që shumë shpejt devijojnë nga vija e të natyrshmes, e menaxhimit të punëve në emër të popullit dhe për popullin, që nga agjenda e interesit kolektiv formal kalojnë te ajo e interesit individual, te përfitimet e ngushta, te xhepçillëku primitiv apo kaçakëria moderne. Kjo mendësi tek ne, shqiptarët e RMV-së është ndërtuar mbi bazën e sentencave të së kaluarës “ata (joshqiptarët) e vodhën shtetin gjatë komunizmit për 45 vite” dhe tani është radha ta marrim hisen tonë, ne, në këtë apo në atë mënyrë. Në trojet tjera shqipfolëse formula është e ngjashme,  por me konotacion brendashqiptar, jo a propos tjetrit: “Tani o burra, ja sot ja kurrë! Na erdhi radha neve”. Ky botëvështrim prapanik, antietik dhe jonjerëzor niset nga premisa “gabimi i tij e arsyeton gabimin tim”. “Ata fituan me dekada, me vite, ngadalë tani të shfrytëzome nga arka edhe ne!” “Ta fusin pak lugën në mjalt edhe ne!”

Dhe kështu lindën klane të mbështetura, drejtpëdrejt apo në heshtje, nga lidershipi dhe karizmatikët udhëhumbur, për të zhvatur shtetin, institucionet, që në fakt është vetëzhvatje, është vetëshkatërrim, prerje e degës mbi të cilën qëndrojmë të gjithë ne si popull dhe komunitet. Është ngrënie e hakut të të gjithë qytetarëve, nga njëri skaj në tjetrin, nga bashkëkombasi deri te tjetri etnik, fetar etj. Kjo është t’ia hapësh podiumin kakistokracisë, sundimit të më të këqinjve.

E gjithë kjo mënyrë veprimi dhe funksionimi të lidershipit dhe të stratumeve më të ulëta të prijësve tanë në çdo sferë të jetës, madje edhe në sektorin privat, bazohet tek dy metafora. “Miu të kalon një herë nëpër mustaqe” dhe “Ai i ka bërë drunjtë”.

E para është sarkazëm që shenjon një mundësi të rëndësishme, të artë që nuk duhet humbur, nuk duhet lëshuar duarsh. Rasti nuk vjen shpesh — një mundësi e rrallë të del vetëm një herë në jetë dhe duhet shfrytëzuar. Pra rasti për t’i bërë paratë dhe kapitalin nuk përsëritet. Në shikim të parë, kjo frazë tingëllon si një imazh i çuditshëm, pothuajse komik: një mi i vogël që rrëshqet pranë fytyrës së dikujt, aq afër sa të prekë mustaqet. Por pikërisht ky imazh grotesk bart një simbolikë: rasti i madh, mundësia e paharruar, fati i mirë — nuk vijnë dy herë. E ardhmja u takon atyre që janë gati ta kapin çastin pa frikë, pa hezituar, guximshëm. Momenti i artë, nuk kthehet prapa për të na dhënë një shans tjetër. Kjo metaforë, e thjeshtë në dukje, përmbledh me një saktësi poetike logjikën e brendshme të korrupsionit: të menduarit e çastit, etjen për përfitim të menjëhershëm dhe bindjen se momenti duhet kapur para se të zhduket.

Në realitetin politik e shoqëror të vendeve në tranzicion, korrupsioni  është një mentalitet momenti, një kulturë e “rastësive të arta”, ku individi e percepton veten përballë një shansi që nuk “duhet humbur”. Në këtë logjikë, shteti nuk është një institucion i përbashkët, por një hambar pa roje, dhe miu që kalon nëpër mustaqe është rasti për ta gërryer atë pa u kapur.

Korrupsioni lind pikërisht aty ku besimi në virtyte, qëndrueshmëri dhe vlera zhduket. Individët, nga frika se nesër sistemi mund të ndryshojë, nga pasiguria se mundësitë do të mbyllen, shndërrohen në gjuetarë rastesh. Kjo psikologji i ngjan personit që pret para pasqyrës së fatit. Dhe kur ky mendim ngulitet, korrupsioni nuk është më përjashtim, por bëhet rregull i lojës, kthehet në normalitet. Problemi më i madh i kësaj logjike është se ajo e dërrmon të ardhmen, shkakton humbjen e shpresave. Shoqëria kthehet në një vend ku të gjithë rendin pas “miut” të tyre, duke harruar se ndërkohë hambari i përbashkët shkatërrohet. Në vend të institucioneve të forta, krijohen individë të fortë; në vend të përgjegjësisë, lind oportunizmi; në vend të besimit, mbizotëron dyshimi, defetizimi. Për pasojë, njerëzit nuk e shohin  të ardhmen këtu, në vendlindje, por jashtë, atje ku çmohen, ku ka drejtësi, ku nuk ka momente të arta, por shpërblim për punën dhe ngritje sipas meritave. /vazhdon/

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.