Këshilli Gjyqësor njëzëri miratoi dorëheqjet e gjyqtarëve Radevska-Stefkova dhe Gerasimoski
Kandatura im për anëtar të Këshillit Gjyqësor ka pasur për qëllim që me përvojën time të kontribuoj në realizimin e pavarësisë dhe autonomisë së gjyqtarëve dhe se përzgjedhja dhe avancimi i gjyqtarëve në gjykatat më të larta duhet të jetë në përputhje me ligjet, tha Radevska- Stefkova drejtuar kolegëve të saj, transmeton Portalb.mk..
“Konsideroj se Këshilli Gjyqësor është dashur të tregojë se është i mbrojtur nga ndikimet e jashtme dhe avancimi i gjyqtarëve është dashur të bëhet në bazë të cilësisë, profesionalizmit dhe integritetit”, tha Radevska-Stefkova.
Ajo ka pranuar se në periudhën e fundit ka pasur qëndrime të ndryshme me anëtarët e tjerë të këshillit për disa çështje.
“Dallimi i parë ishte në mosmarrëveshjen time që Gjykatës së Lartë të mos i jepeshin dosjet e ankimeve të gjyqtarëve. Po ashtu nuk jam pajtuar me zgjedhjen e gjyqtarëve në Apelin e Gostivarit sepse është bërë pa respektuar ranglistën dhe në procedurë jo transparente. Nuk jam pajtuar as me faktin që gjyqtarët nuk janë përzgjedhur në Gjykatën e Lartë nga fusha e çështjeve penale. Nuk jam pajtuar as me shkarkimin e paligjshëm të ish-kryetares Vesna Dameva. Dhe së fundi, arsyeja e dorëheqjes sime janë marrëdhëniet e prishura ndërpersonale, të cilat janë pengesë për funksionimin normal të këshillit”, tha Radevska-Stefkova.
Gjyqtari Zoran Gerasimoski plotësisht u pajtua me kolegen e tij dhe shkurt tha se për nëntë muaj që kur është zgjedhur anëtar i Këshillit Gjyqësor është përplasur ideologjikisht me anëtarët e tjerë të këshillit.
“Duke marrë parasysh turbullirat e fundit në Këshillin Gjyqësor, besoj se duhet të jap dorëheqje sepse më shumë do të kontribuoj në Gjykatën e Apelit të Shkupit sesa si anëtar i këshillit. Edhe pse unë dhe gjyqtarja Radeva-Stefkova po kthehemi në gjykatat prej nga kemi ardhur, besoj se kjo përbërje e Këshillit Gjyqësor ka kapacitet për t’u përballur me sfidat”, tha Gerasimoski.
Pas pranimit të dorëheqjeve, gjyqtarja Mirjana Radevska-Stefkova kthehet në Gjykatën Supreme, ndërsa gjyqtari Zoran Gerasimoski në Apelin e Shkupit.
Ata dhanë dorëheqjen dy ditë më parë, në një kohë kur organizatat joqeveritare kërkuan që Këshilli Gjyqësor të vetëshpërndahet sepse cenon besimin në drejtësi me debatet e përditshme dhe mënyrën e vendimmarrjes.
Këshilli Gjyqësor muajin e fundit ka qenë cak i kritikave negative nga ndërkombëtarët, pasi ish-kryetarja Vesna Dameva u shkarkua nga posti i saj më 26 prill. Në seancën e Këshillit Gjyqësor ka pasur debat kur Dameva ka refuzuar të vendosë një pikë votimi që nuk ishte në rend dite. Zëvendësi i saj Selim Ademi bëri thirrje për votim për shkarkimin e saj. Ai është mbështetur nga shtatë anëtarë dhe ka deklaruar se Dameva është shkarkuar dhe në prani të saj ka marrë drejtimin e seancës.
Pas skandalit ka ardhur një reagim nga ambasada amerikane. Nga aty theksuan se anëtarët e Këshillit kanë për detyrë ndërtimin e një sektori të pavarur gjyqësor.
Pas dorëheqjeve të dy gjyqtarëve, Koalicioni “Të gjithë për një proces të drejtë” u bëri thirrje anëtarëve të tjerë që të dorëzojnë dorëheqjet.
Gjykatësit kanë ardhur në pozitë tanimë tetë muaj, ndërkaq mandati i tyre është gjashtëvjeçar.
Gerasimovski dhe Radevska–Stefkova kanë votuar kundër vendimit për shkarkimin e Damevës nga funksioni i kryetarit.
Pas shkarkimit të Damevës me vetëm shtatë vota pro, Këshilli Gjyqësor pati dy përpjekje të pasuksesshme për të zgjedhur kryetarin e ri.
Këshilli Gjyqësor më 4 maj, në seancën pas orarit të punës, të cilin e njoftoi në ueb-faqen e tij pak para fillimit, me tetë vota për kryetar të ri zgjodhi Sashko Georgiev.
Megjithatë, para kësaj, këshilli mbajti dy seanca të fshehta – në orën 13:30 dhe në orën 14:00. Në të parën votoi tërheqjen e vendimit fillestar për shkarkimin e Damevës. Më pas, i dyti me nëntë vota ka votuar mosbesimin dhe e ka shkarkuar. Vendimet për mbajtjen e seancave të mbyllura nga Këshilli Gjyqësor u arsyetuan me një dispozitë të ligjit që parashikon se publiku mund të përjashtohet për të mbrojtur reputacionin dhe integritetin e gjyqtarit ose kandidatit për gjyqtar. Mirëpo në dy seancat me dyer të mbyllura nuk është diskutuar fare për gjyqtar apo kandidat për gjyqtar.
- LEXO: Dorëheqje duhet të japin të gjithë anëtarët e Këshillit Gjyqësor në Maqedoninë e Veriut, vlerësoi Grupi Bluprint
- LEXO: Koalicioni ‘Të gjithë për gjykim të drejtë’: Të gjithë anëtarët e Këshillit Gjyqësor të japin dorëheqje
- LEXO: Dy anëtarë të Këshillit Gjyqësor të RMV-së dhanë dorëheqje
- LEXO: Selim Ademi: “Kryelartësia femërore”, arsyeja e shkarkimit të Damevës, zihej me gratë tjera
- LEXO: Ish kryetarja Dameva e paditi Këshillin Gjyqësor: Nëse nuk reagon gjyqësori, do t’i tregoj me emër ata që kanë ndikuar politikisht