Kërkimi i paqës në kohëra apokaliptike (II)

I kategorisë së përafërt, që vë nën llupë diadën “pacifizmi-religjioziteti” ishte edhe artikulli i E. Gjergji-Halilit, “Spiritualireti dhe paqja” që qëmton përshpirtësinë si mjet për krijimin, kultivimin dhe ruajtjen e paqës, paqen e brendshme polivalente që që ka potencial për të kontribuar për paqen sociale në një shkallë më të gjerë. Sipas autores, në një botë që përballet me dilema ekzistenciale, sfida e konflikte të shumta, vlerat e mëshirës, faljes, pajtimit, solidaritetit të afirmuara dhe dizajnuara nga spiritualiteti janë të domosdoshme për ekzistencën dhe rritjen kualitative të jetës humane. Në shekullin XXI, krijimi i shoqërive të drejta dhe të barabarta mbetet sfidë thelbësore zhvillimore për shoqërinë njerëzore. Për të krijuar një botë më paqësore dhe më harmonike, paqja nga ideali spiritual dhe social duhet të shndërrohet në realitet social dhe spiritual.

Një çështje interesante u shkoqit nga B. Gollopeni: “Arsimi dhe paqja”, i cili në kuadër të fjalimit të vet përmendi një thënie të Nelson Mandelës: “Arsimi është arma më e fuqishme të cilën mund ta përdorim për të ndryshuar botën.” Sipas autorit, arsimi është baza e zhvillimit të qëndrueshëm dhe progresit social. Arsimi cilësor zhvillon aftësitë e të menduarit kritik, krijon shoqëri të informuar që ka kapacitete për të zgjidhur probleme të ndërlikuara. Arsimi ua injekton brezave vetëdijen për vlerat e dialogut, paqës dhe bashkëpunimit ndërkombëtar, i bën ata të ndërgjegjshëm për pasojat e konfliktit dhe luftës, i bën guximshëm për të qenë liderë të ndryshimeve pozitive në mjedisin e tyre vendor dhe globalisht. Në këtë drejtim shumë me rëndësi janë infrastruktura edukative, trajnimi i mësimdhënësve, krijimi i kurrikulave që promovojnë vlerat e bashkejetesës dhe të të drejtave të njeriut.

Autori i kësaj kolumne e zbërtheu artikullin e vet “Kërkimi i paqës në kohëra apokaliptike: puzzle të vjetra dhe të reja në botë dhe Ballkan”  që nis me pohimin se paqja është sens njerëzor, është antipod i luftës, është kulturë e veçantë, mënyrë jetese e pëllumbit dhe e degës së ullirit, e dorës së shtrirë. Sipas Yannis Ritzos (2017) paqja është rend ku nuk ka shtypës dhe të shtypur, ku nuk ka shfrytëzim të mundit njerëzor, është sistem i drejtësisë, ku nuk ka të varfër. “Është gjendje ku një vend nuk e kërcënon tjetrin”, ku një shtet nuk synon hegjemoninë ekonomike, politike, ushtarake ndaj vendit tjetër. Cristopher Coker në veprën A mund të eliminohet lufta thotë se “prirja për t’u shquar na bën qenie sociale dhe garuese; na bën t’u frikësohemi të tjerëve që janë në garë me ne.” Paqja është gjendje psikologjike kur nuk i frikësohemi askujt sepse ndjejmë empati, sepse tjetrin e konsiderojmë si vetja, jo si ujk. Të frymosh paqësisht do të thotë të jetosh  sipas rregullit të artë (golden rule): “Duaja tjetrit atë që e do për vetveten!” Është një botëkuptim mbi paqën e përjetshme, të përhershme (Kant), një ide morale, një idealizëm, një objektiv i arritshëm. Ndonëse kjo tezë bie ndesh me qasjen realiste, është më shpresëdhënëse dhe më konstruktive për njeriun dhe njerëzimin, për botën që sot po jeton çaste apokaliptike. Sikur s’mjaftuan kalvaret e së kaluarës, dy luftërat botërore, veprimet e ballkanizmit gjenocidal, sot sërish kemi pamje të trishtueshme në Lindjen e Mesme turbulente. Empirkisht konstatojmë se s’kemi arritur që ta eliminojmë luftën, ajo ende vazhdon të mbizotërojë në agjendën globale, të jetë ankth i njerëzimit. Sipas të dhënave të hulumtitmit të Institutit për Ekonomi dhe Paqe, publikuar në edicionin 17 të Indeksit Global të Paqes (GPI) që rangon 163 shtete të pavarura dhe territore (që përfshin 99.7% të popullatës globale), në vitin 2022 në 84 vende është shënuar përmirësim, ndërsa në 79 zbrapsje apo përkeqësim në aspekt të paqendërtimit. Për 15 vitet e fundit bota është bërë më pak paqësore: 16 nga 23 indikatorët e IGP-së shënojnë trend negativ mes viteve 2008-2023, ndërsa vetëm 7 janë përmirësuar. (IEP Report, 2023)

Pra, shprehur me fjalët e Meidanit, jetojmë në kohën e “intolerancës, hakmarrjes politike, egoizmit të pafre e makutërisë që na pengojnë” dhe që mund të na e nxijnë ardhmërinë. Nëse nuk i hapim sytë, nëse nuk vetëdijësohemi duke pasur parasysh të kaluarat destruktive dhe potencën për mirëveprim që gjendet brenda nesh si lloj e nesërmja mund të jetë një makth për të gjithë ne. Vetëm fryma e respektit dhe tolerancës është “anije shpëtimtare” në kohën e sherreve lokale dhe planetare, kur shohim skena nga më rrëqethëset. Përpjekja për dialog, mirëkuptim, pacifizim është një mision nga i cili s’guxojmë të heqim dorë, të gjithë, për të mirën tonë dhe të brezave të ardhshëm.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.