Me valixhe në dorë deri në katin e 14: Në konviktin e studentëve “Goce Dellçev” nuk punon asnjë nga ashensorët

Studentët e vendosur në konviktin “Goce Dellçev” në Shkup për çdo ditë ngjiten nëpër qindra shkallë për të arritur deri tek dhomat e tyre. Të tetë ashensorët në katër godinat e këtij konvikti nuk funksionojnë dhe janë jashtë përdorimit, gjë që e çrregullon rutinën e përditshme të studentëve, duke u shkaktuar atyre frustrim dhe shqetësim. Studentët bëjnë thirrje që ashensorët sa më shpejt të vihen në funksion, në mënyrë që ata të mund të lëvizin lehtë dhe të sigurt nëpër katet e godinave, shkruan Meta.mk.

Ashensori nuk punon“.

Njoftimet e këtilla, të printuara apo të shkruara me dorë, mund të shihen të ngjitura në të gjitha dyert e ashensorëve që ndodhen në katin përdhes në blloqet në konviktin “Goce Dellçev”. Në secilën prej katër godinave të këtij konvikti ka nga dy ashensorë, edhe pse për momentin asnjëri nuk është në përdorim për shkak të skadimit të certifikatave të sigurisë. Procedura për marrjen e të rejave ende nuk ka përfunduar dhe për këtë arsye përdorimi i ashensorëve aktualisht është i pamundur.

Ashensorët në konviktin “Goce Dellçev” jashtë funksionit, blloku “A” / Foto: Meta.mk
Ashensorët në konviktin “Goce Dellçev” jashtë funksionit, blloku “A” / Foto: Meta.mk

Për certifikatat e sigurisë thuhet se kanë skaduar të dielën, më 26 nëntor, edhe pse disa studentë të vendosur në bllokun “G” për Meta.mk tanë se ashensorët kanë qenë jashtë funksionit për një kohë shumë më të gjatë – gati një muaj të tërë.

Mbyllja e ashensorëve e vështirëson lëvizjen e studentëve nëpër godinë, e sidomos të atyre që janë të  vendosur në katet më të lartë. Më të vështirë e kanë ata që janë të vendosur në katin e katërmbëdhjetë, të cilët duhet të ngjisin qindra shkallë disa herë në ditë – që të shkojnë në leksione në universitet ose të zbresin në mensë për drekë ose darkë.

Por edhe më të vështirë e kanë kur kthehen në konvikt pasi kanë kaluar disa ditë në shtëpi, e u duhet të ngjiten nëpër shkallë me valixhe dhe çanta të stërmbushura e të rënda.

“Ne të gjithë vijmë me valixhe, çanta, çanta shpine dhe mezi ngjitemi shkallëve. Kjo është e tepruar, vërtet nuk është e drejtë që ne që ndodhemi në katet e sipërme t’i mbajmë gjërat vazhdimisht në dorë”, thotë për Meta.mk një nga studentët e revoltuar që banon në këtë konvikt.

“Për këtë duhet të alarmohet. Askush nuk flet publikisht se ndërtesat nuk kanë ashensorë, gjoja u paskan skaduar certifikatat. Në bllokun ‘G’ ka një muaj që nuk punon asnjë nga ashensorët”, thotë një studente tjetër.

Meta.mk sot i vizitoi të katër blloqet – A, B, C dhe G në konviktin e studentëve “Goce Dellçev”. Punonjësit e konviktit  na e konfirmuan se ashensorët prej ditësh janë jashtë funksionit.

Ashensorët në konviktin “Goce Dellçev” janë jashtë funksionit, blloku “G”./ Foto: Meta.mk
Ashensorët në konviktin “Goce Dellçev” janë jashtë funksionit, blloku “G”./ Foto: Meta.mk

Ne iu drejtuam edhe udhëheqësisë së Konviktit Shtetëror të Studentëve Shkup (KShS Shkup) nën kompetencat e të cilit është konvikti “Goce Dellçev”, me pyetje për arsyet se pse nuk janë në funksion ashensorët, por edhe për atë se kur pritet që ata të vazhdojnë me punë nën rrethana normale.

Nga KShS Shkup thonë se në të gjitha blloqet ka të paktën një ashensor funksional, por për arsye sigurie, ashensorët janë jashtë përdorimit.

“Për momentin në të gjitha blloqet e Konviktit të studentëve “Goce Dellçev” ka të paktën një ashensor funksional. Mirëpo, certifikatat e të gjithë ashensorëve kanë skaduar më 26.11.2023 dhe po punohet për certifikimin e rregullt vjetor i cili duhet të bëhet nga një organ inspektues i regjistruar për ashensorët, me ndërmjetësimin e kompanisë përgjegjëse për servisimin e tyre. Prandaj, nga ana jonë për arsye sigurie ashensorët janë jashtë përdorimit”, thuhet në përgjigjen nga Konvikti Shtetëror i Studentëve Shkup.

Nga atje thonë se pritet që nga java e ardhshme të fillojnë inspektimet e ashensorëve nga organet kompetente, pas çka do të merren edhe certifikatat e sigurisë.

“Nga e marta (05.12.2023) do i kemi certifikatat e para dhe ashensorët do të vihen në përdorim një nga një”, shtojnë në përgjigjen e tyre nga udhëheqësia e Konviktit “Goce Dellçev”.

Njoftimet në ashensorët në bllokun ‘A’ që i shikuam tregojnë se certifikata është e vlefshme deri në nëntor të vitit 2023, edhe pse data e saktë nuk është e precizuar. Sipas informacioneve që i morëm, kompania “Dakalift” është zgjedhur si kompania që duhet të “rinovojë” certifikatat e sigurisë.

Njoftimet që tregojnë se çertifikatat e sigurisë janë të vlefshme deri në nëntor të vitit 2022 (majtas) dhe nëntor të vitit 2023 (djathtas) / Foto: Meta.mk
Njoftimet që tregojnë se çertifikatat e sigurisë janë të vlefshme deri në nëntor të vitit 2022 (majtas) dhe nëntor të vitit 2023 (djathtas) / Foto: Meta.mk

 

Megjithatë, certifikata mund të merren vetëm për ata ashensorë që për momentin janë funksionalë, ndërsa funksionale janë vetëm një pjesë e tyre. Kjo do të thotë se në të paktën dy nga godinat – blloqet “B” dhe “C”, do të vazhdojë të funksionojë vetëm një ashensor, pasi ashensorët e tjerë kanë probleme të tjera që e pengojnë përdorimin e tyre.

Disa nga studentët me të cilët biseduam në oborrin e konviktit “Goce Dellçev” thonë se janë mësuar që ashensorët të mos funksionojnë ose vetëm njëri të funksionojë, se kështu ka qenë edhe vitin e kaluar akademik.

“Jemi mësuar me këtë situatë, prej vitesh nëpër blloqet funksionon vetëm një ashensor”, thonë studentët të cilët po qëndrojnë në konvikt prej disa vitesh me radhë.

Studentët të cilët nuk janë të liruar nga pagesa, për akomodim në konviktin “Goce Dellçev” paguajnë nga 3.645 denarë në muaj, ndërsa pjesa tjetër mbulohet nga shteti.