“Kasaphane” në zgjedhjet që u mbajtën në Serbi, vlerësoi misioni vëzhgues i QHTP

Misioni vëzhgues për zgjedhjet në Serbi te Qendra për hulumtim, transparencë dhe përgjegjësi (QHTP) në raportin e tyre preliminar, kanë vlerësuar se në ditën e zgjedhjeve më 17 dhjetor, ka pasur keqpërdorim të të drejtës zgjedhore, ligjeve dhe institucioneve nga ana e Qeverisë, raporton Portalb.mk.

“Tërheqim vëmendjen për shqetësime serioze për cilësinë e zgjedhjeve parlamentare dhe devijimin e tyre mëtutjeshme nga standardet për zgjedhje të drejta dhe të lira. Duke marrë parasysh shkallën dhe shumëllojshmërinë e keqpërdorimeve zgjedhore në Beograd, përfundojmë që rezultati i zgjedhjeve në Beograd nuk e pasqyron vullnetin e lirshëm të votuesve që jetojnë në Beograd”, thuhet në raportin e kësaj organizate joqeveritare.

Nga kjo Qendër raportojnë që parregullsitë janë vërejtur në pesë përqind të vendvotimeve në zgjedhjet parlamentare dhe në nëntë përqind të vendvotimeve në zgjedhjet e Beogradit.

Ata theksojnë që parregullsitë janë vërejtur në orët e mbrëmjes, ku janë vërejtur edhe më shumë palë të treta. Në këtë periudhë janë vërejtur më shumë persona duke nënshkruar në vend të një personi tjetër. Në hapësirat e votimit nuk ka pasur fshehje të votës, ndërkohë ka pasur edhe raste kur nuk janë verifikuar personat.