RMV, sterilizim i detyrueshëm, varreza për kafshët, polici për kafshët – propozim-ligji i ri hyri në Kuvend

Pronarët e qenve dhe maceve do të jenë të detyruar që t’i sterilizojnë kanakarët e tyre, përveç se në rastet kur ato janë të regjistruar si rritës të kafshëve ose vendrritje të kafshëve. Rritësit dhe vendrritjet e regjistruara do të jenë të detyruar t’i paraqesin këlyshët e kafshëve të tyre në një klinikë të autorizuar veterinare jo më vonë se 30 ditë pas lindjes dhe t’i regjistrojnë kafshët sipas Ligjit për Identifikimin dhe Regjistrimin e Kafshëve. Dhurimi ose shitja e një kanakari të paregjistruar do të jetë e ndaluar, transmeton Portalb.mk.

Këto janë vetëm një pjesë e dispozitave të propozim-ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Mbrojtjen dhe Mirëqenien e Kafshëve, i cili është propozuar të miratohet me procedurë të shkurtuar, ndërsa sot është vënë në lexim të parë në Kuvend.

Ligji është përgatitur për një kohë më të gjatë nga shoqatat për mbrojtjen e kafshëve në bashkëpunim me deputetët, ndërsa ka për qëllim të vërë nën kontroll numrin e shtuar të qenve dhe maceve endacake, si dhe pronësinë e papërgjegjshme – arsye kjo se pse në të gjitha qytetet mund të shihen me qindra kanakarë të braktisur.

Me këtë propozim-ligj për herë të parë do të themelohen edhe varrezat e kanakarëve shtëpiakë.

“Komunat, komunat e qytetit të Shkupit dhe Qyteti i Shkupit, për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e varrezave kanë të drejtë për marrjen me qira afatgjatë të tokës ndërtimore në pronësi të Republikës së Maqedonisë së Veriut, për të cilën ata lidhin kontratë me shtetin, gjegjësisht me organin e administratës shtetërore përgjegjës për kryerjen e punëve në fushën e tokës ndërtimore”, thuhet në dispozitat e reja ligjore dhe shtohet se komunat, komunat e qytetit të Shkupit dhe Qyteti i Shkupi do ta përcaktojë tokën ndërtimore të destinuar për varreza në planin urbanistik.

Me dispozitat ligjore të propozuara do të ndalohej mbajtja e kanakarëve të lidhur përgjithmonë në zinxhir ose në një pjesë të mbyllur të një zone të rrethuar, pa u mundësuar lëvizje të lirë jashtë asaj zone.

Gjithashtu do të ndalohej braktisja e një kafshe shtëpiake, kanakarëve shtëpiakë ose kafshe të egër të zbutur dhe kafshe tjetër të cilën një person e ka pasur nën kontroll dhe mbikëqyrje. Gjithashtu do të ndalohej prania e kanakarëve shtëpiakë në një hapësirë ​​publike pa praninë e pronarit. Sipas propozim-ligjit të ri kushdo që lëndon ose vë në vështirësi një kafshë, do të jetë i detyruar t’ia japë vetë ndihmën e nevojshme dhe nëse nuk mund ta bëjë vetë, do të duhet të sigurojë ndihmë nga një ekspert.

Me propozim-ligjin, shërbimet komunale do të jenë të autorizuara që të kenë akses në të dhënat në sistemin informativ të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, të sanksionojnë një pronar që nuk e mban qenin të lidhur, të kontrollojnë nëse kanakari shtëpiak ka mikroçip, të sanksionojnë një pronar kanakari i të cilit ndodhet në një hapësirë ​​publike pa praninë e tij dhe të kontrollojnë nëse pronari që ka një kanakar shtëpiak me aftësi riprodhuese ka një vendrritje të regjistruar. Ata do të kishin autorizim që për parregullsitë e konstatuara në lidhje me dispozitat e ligjit të parashtrojnë kallëzim tek veterineri zyrtar dhe të parashtrojnë kallëzim penal.

Sipas propozimit, njësitë e vetëqeverisjes lokale do të kenë detyrë që në afat prej 30 ditësh nga dita e miratimit të ligjit, të lidhin kontratë me strehimoren e regjistruar. Njësitë e vetëqeverisjes lokale do të bënin mbikëqyrjen e mikroçipimit të detyrueshëm të kanakarëve shtëpiakë më së voni deri më 30 qershor të vitit2024. Brenda një viti, nëse miratohet projekt-ligji, në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme do të themelohej e ashtuquajtura “polici për kafshët”.

Mungesa e mekanizmave të duhur ligjorë për pronësinë e përgjegjshme dhe riprodhimin e kanakarëve shtëpiakë, veprimtarinë e shitjes – tregtinë, dhurimin e kafshëve, si dhe e mekanizmave ndëshkues për pronësi të papërgjegjshme (mbarështim, braktisje), janë burimi dhe shkaktari kryesor i shtimit të kafshëve në rrugë. Politika e vrasjes së tyre në vetvete shkaktoi pasoja të mëdha financiare për autoritetet qendrore dhe lokale, të cilët shpenzuan fonde të mëdha nga buxhetet e tyre, ndërkohë që nuk u arrit qëllimi përfundimtar, ndërsa kafshët u ekspozuan ndaj mizorisë dhe autorët mbetën të pasanksionuar, thuhet në arsyetimin e propozim-ligjit.

Për çdo shkelje të ligjit parashihen gjoba, lartësia e të cilave varet nga ajo nëse bëhet fjalë për person fizik apo juridik.

Gjithashtu, siç thuhet në projektligj, me ndryshimet e propozuara rregullohet edhe kompensimi i dëmit të shkaktuar ndaj qytetarëve nga sulmet dhe kafshimet e qenve endacakë, si dhe procedura për zgjidhjen jashtëgjyqësore ndërmjet të dëmtuarve dhe Qytetit të Shkupit, si rritje e gjobave, të cilat do të llogariten sipas numrit të kafshëve dhe që do të kenë vlerë të paktën dyfishin e çmimit mesatar të shitjes së një kafshe.

Zajkova: Qëllimi është që të mos ketë më kafshë endacakë dhe qytetarët të jenë të sigurt

Monika Zajkova / Foto: PLD
Monika Zajkova / Foto: PLD

“Arsyeja se pse, si deputete dhe koordinatore e Grupit Parlamentar Ndërpartiak për Mjedisin Jetësor, e pranova këtë iniciativë është se për çdo ditë shohim një numër gjithnjë e më të madh të  të kafshëve endacakë, të keqtrajtuar, të vrarë dhe nga ana tjetër, një numër gjithnjë e më të madh të qytetarëve të sulmuar në rrugë, shuma enorme nga buxhetet e komunave dhe Qytetit të Shkupit të paguara si dëmshpërblim për dëmin e shkaktuar nga kafshimi. Në këtë situatë nuk mund t’i fajësojmë as kafshët dhe as njerëzit, por duhet të marrim një qasje sistematike për ta zgjidhur këtë çështje”, shpjegon për Meta.mk deputetja Monika Zajkova, kryetare e PLD-së dhe një nga propozuesit e ligjit.

Ajo thotë se në Kuvend kanë bërë një sërë konsultimesh ku janë identifikuar një sërë problemesh, mes të cilave raportimi i rejshëm i kafshimit nga kafshët për të marrë dëmshpërblim, pas çka grupi i punës i përbërë nga aktivistë ka dorëzuar tekstin përfundimtar.

“Prandaj, ne kemi një propozim-ligj i cili e rregullon pronësinë e përgjegjshme, rrit shumën e gjobave financiare për regjistrimin e kafshëve shtëpiake, mbarështimin e përgjegjshëm, sistemin ‘kap-sterilizo-kthe’. Ai përmban edhe një sërë detyrimesh për Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë si institucion kompetent që duhet t’i futet punës. Njëkohësisht janë paraparë një sërë aktesh, duke përfshirë edhe Rregulloren për qentë me pedigre. Ky nuk është i vetmi ligj, por rrjedhimisht pas miratimit të tij kemi ende punë për të bërë në fushën e harmonizimit dhe të një sërë ligjeve të tjera që duhet të kontribuojnë në mirëqenien e kafshëve”, thotë Zajkova dhe shton se ky do të ishte vetëm një fillim pozitiv drejt krijimit të një sistemi në të cilin nuk do të kishte më kafshë endacakë, ndërsa qytetarët do të ishin të sigurt.

Falënderoj të gjithë aktivistët dhe shoqatat civile që morën pjesë në këtë proces. Ky nuk është ligj i asnjë partie politike, por ligj i shoqërisë civile, shton ajo.

Nga Shoqata “Anima Mundi” u bëjnë thirrje deputetëve që t’i mbështesin ndryshimet ligjore si kyçe për zgjidhjen afatgjatë të problemit dhjetëvjeçar me të cilin përballet shoqëria jonë. Nga Shoqata thonë se prej vitesh vendi nuk ka një rregullim të duhur ligjor me të cilin përcaktohet  saktësisht pronësia dhe mbarështimi i përgjegjshëm i kanakarëve shtëpiakë, veprimtaria e shitjes – tregtia, dhurimit të kafshëve, ndërsa keqtrajtimi i kafshëve kalon pa u sanksionuar.

“Mungesa e një kornize ligjore të harmonizuar që do t’i trajtonte dhe mbulonte të gjitha rreziqet dhe sfidat e sipërpërmendura kontribuon në zvarritjen e problemit me dekada dhe implikonon humbje të rënda financiare. Nëse synojmë ta trajtojmë këtë problem, me qëllimin për të arritur rezultate të përhershme dhe të qëndrueshme për qytetarët dhe kafshët, qenësore është që të zbatohet një sistem i strukturuar dhe kompleks që përfshin shërbime nga aspekti legjislativ, arsimor, ligjor dhe shëndetësor, aplikimin e një programi kombëtar të unifikuar në të gjitha NJVL-të në vend dhe trajtimin e të gjitha pikave të rrezikut”, thonë nga “Anima Mundi”

Me propozim-ligjin e ri ndalohet edhe vrapimi i kafshëve të lidhura me një mjet motorik në lëvizje, dhënia e kafshëve të gjalla si çmim për fituesit në lojërat e fatit, përdorimi i mjeteve teknike, mjeteve ndihmëse apo mjeteve që si formë dënimi ndikojnë në sjelljen e kafshëve, duke përfshirë këtu qaforet me gjemba ose pajisjet për stërvitje që përfshijnë përdorimin e rrymës elektrike ose agjentëve kimikë, si dhe ndalimi i eutanazisë së kafshëve endacake të shëndetshme, kafshëve të sëmura që mund të shërohen dhe kafshëve për të cilat ka interes për t’i strehuar.

Kujtojmë qentë endacakë janë rrezik i vazhdueshëm për banorët e disa qyteteve. Tetova prej kohësh përballet me këtë problem, njësoj edhe Kërçova. Për dy mandate të kryetares paraprake të Komunës – Teuta Arifit, situata nuk u zgjidh, ndërkaq vazhdojnë të jenë aty edhe në krye me kryetarin aktual – Bilall Kasamin. Numri i qenve rrugëve të qytetit është i lartë, po ashtu edhe numri i  sulmeve.