Saubermacher e vendosur të bëjë reforma në Tetovë me menaxhimin e mbeturinave, kërkojnë që qytetarët t’i paguajnë taksat (Video)

Pas nënshkrimit të marrëveshjes në nëntor të vitit 2023 për partneritet publiko-privat me kompaninë sllovene të grupacionit “Saubermaher” për menaxhimin e mbeturinave në Tetovë, sot përfaqësuesit e kësaj kompanie nga Tetova prezantuan planin e tyre të punës se si do menaxhojnë me mbeturinat në qytet. Ata theksojnë se do bëjnë reforma dhe për këtë duhet edhe bashkëpunim i qytetarëve, me theks të veçantë në pagesën e taksave, raporton Portalb.mk.

Hans Roth nga “Saubermaher” theksoi se në periudhën në vijim kanë planifikuar një sërë aktivitetesh, siç theksoi në një kohë shumë të shkurtër qytetarët do të shohin ndryshim shumë të madh, por ai theksoi se qytetarët duhet të paguajnë taksat.

“Kemi shumë aktivitete të planifikuara, psh: ngritja e qendrës së grumbullimit të mbetjeve për qytetarët, ngritja e pikave të grumbullimit të mbetjeve, një plan veprimi kundër pikave të nxehta të mbeturinave, ndërgjegjësimi për depozitimin e duhur të mbetjeve në kontejnerë nëpërmjet fushatave informuese në media, ngritja e një eko-numri falas ku njerëzit mund të mësojnë rreth hedhjes së mbeturinave dhe madje ofrimit të një aplikacioni të dedikuar ose në një faqe interneti. Puna me fëmijët në shkolla është gjithashtu prioritet”, tha Roth.

Nga ana tjetër, kryetari i Komunës së Tetovës Bilall Kasami theksoi se marrëveshja ka filluar të aplikohet dhe se gradualisht do të shihen ndryshimet, ai mes tjerash theksoi se janë sjellë kontejnerë të rinj, gjithashtu tha se ndërmarrja do të vendoset në hapësira të reja me kushte të mira për të punësuarit në fshatin Pallçisht.

“Obligimet e komunës janë që ti sigurojë mundësi dhe hapësirë kompanisë që të menaxhojë me mbeturinat, me grumbullimin dhe transportin deri në deponinë të mbetjeve komunale. Kjo nënkupton grumbullimin nga familjet dhe kontejnerët të cilët janë në gjithë zonën urbane dhe në fshatrat që janë pjesë e komunës së Tetovës”, tha Kasami.

Portalb.mk ka siguruar edhe kontratën e partneritetit publiko-provat midis Komunës së Tetovës dhe kompanisë “Saubermaher”.

Komuna e Tetovës me 10 nëntor 2023 nënshkroi marrëveshje për partneritet publiko-privat me kompaninë sllovene të grupacionit “Saubermaher” menaxhimin e mbeturinave në Tetovë.

Kujtojmë dhe se në janar të vitit 2023 Këshilli Komunal mori vendimin që Ndërmarrja Publike Komunale “Tetova” të ndahet në dy subjekte të reja, edhe atë Ndërmarrja Publike Komunale “Sharri” e cila do të merret me ujësjellësin dhe Shoqëria për Prodhim dhe Shërbime Komunale “Oaeneum” e cila do merret me higjienën komunale. Ndërkaq NPK-ja aktuale do vazhdojë me veprimtaritë që ngelin, konkretisht veprimtaria e tregut, gjelbërimit dhe varrezave të qytetit, pra tre veprimtari.