RMV, partitë politike do të nënshkruajnë të mërkurën Deklaratën për zgjedhje fer, të lira dhe demokratike

Partitë politike pjesëmarrëse në zgjedhje të mërkurën, një ditë para fillimit zyrtar të fushatës zgjedhore, do të nënshkruajnë Deklaratën për zgjedhje të ndershme, të lira dhe demokratike dhe kundër gjuhës së urrejtjes, transmeton Portalb.mk.

Nënshkrimi i Deklaratës është një ngjarje tradicionale e organizuar nga Instituti i Ohrit që nga viti 2014 dhe mbahet para çdo cikli zgjedhor. Deklarata do të nënshkruhet nga kryetarët dhe anëtarët e rinj të partive politike.

“Nënshkrimi i kësaj Deklarate do të përçojë një mesazh të qartë për të gjithë publikun se politikanët e rinj, si vendimmarrës të ardhshëm, kanë një vullnet dhe vendosmëri të fortë për të qenë liderë të ardhshëm dhe për të krijuar një kulturë të ndryshme politike duke e ngritur dialogun politik në nivel më të lartë”, theksojnë organizatorët.

Raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale do të mbahet më 24 prill, ndërsa raundi i dytë më 8 maj, së bashku me zgjedhjet parlamentare. Fushata për zgjedhjet presidenciale do të fillojë më 4 prill dhe zgjat deri më 22 prill, kur edhe fillon heshtja që zgjat deri më 24 prill. Fushata për zgjedhjet parlamentare do të fillojë më 18 prill dhe do të zgjasë deri më 6 maj.