Kallëzim penal për tentim vrasje ndaj pesë personave nga Shkupi

Kallëzim penal për vrasje në tentativë është ngritur kundër pesë personave në lidhje me një incident të ndodhur mbrëmjen e së premtes në zonën e Bit Pazarit në Shkup, njoftoi Ministria e Punëve të Brendshme (MPB), transmeton Portalb.mk.

Të pestët kanë sulmuar të premten rreth orës 19:00 me një send të mprehtë dhe të fortë 33-vjeçarin M.A. nga Shkupi dhe i ka shkaktuar lëndime të rënda trupore.

Nga MPB-ja thonë se menjëherë pas pranimit të kallëzimit janë ndërmarrë masat përkatëse nga ana e zyrtarëve policorë nga SPB Shkup. Po të njëjtën ditë, policia ka ndaluar S.E. (30), I.E. (27), H.E. (48) dhe B.E. (23) – të gjithë nga Shkupi. 20-vjeçari J.B., po ashtu nga Shkupi, mëngjesin e sotëm është privuar nga liria.

Njësia për krime të dhunshme –  Shkup, në koordinim me Prokurorinë Publike, ka parashtruar kallëzim penal, ndërsa gjyqtari i procedurës paraprake S.E. dhe H.E iu caktoi masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh, ndërsa personave I.E. dhe B.E. iu caktua masa e arrestit shtëpiak.