“Jubileu i Nanës” preku zemrat e publikut në Kërçovë

Në Pallatin e Kulturës në Kërçovë u realizua minishfaqja dhe leximi i hapur “Jubileu i Nanës”, nën regji të Afërdita Nuhijit kurse nën interpretimin e Arta Zejnelit dhe Rrahim Ramadanit e përcjellë nga melodia e kitarës së Jetmir Memecit, transmeton Portalb.mk.

Afërdita Nuhiji për Portalb.mk tha se kjo shfaqje është një dedikim për prindërit ku kryesisht në pah janë nënat. Është një gërshetim midis një monologu i titulluar “Varfëria” dhe një tregimi “Për ty o Nënë” të një libri të autorit Aed Le Krani, dhe disa poezi të lidhura në mes.

“Realisht e gjitha kjo ka qenë një nismë e imja për të shfaqur diçka më ndryshe diçka më të veçantë dhe të ndjerë në skenë. Është një dedikim për prindërit ku kryesisht në pah janë nënat. Këtë gërshetim e kam trajtuar në një formë dialogu mes dy aktorësh të kësaj minishfaqje do ta quaja unë e interpretuar nga Arta Zejneli, Rrahim Ramadani dhe përcjellës me Kitarë Jetmir Mehmedi, ku këto të tre i kam paraqitur si disa të emigruar nga vendi i tyre dhe në një formë tregojnë revoltën e tyre ndaj varfërisë, hipokrizisë, pushtetit, politikës së vendlindjes së tyre dhe të gjitha fenomeneve që ne tashmë përballemi dita ditës por si drita e tyre në fund tunelit në këtë rast është familja e tyre dhe kthimi në shtëpi, pra kam luajtur me të kundërtën”, tha Nuhiji.

Pamje nga shfaqja“Jubileu i Nanës”. Foto: Afërdita Nuhiji
Pamje nga shfaqja“Jubileu i Nanës”. Foto: Afërdita Nuhiji

Se si u mirëprit nga publiku kjo shfaqje Nuhiji tha se publiku është shumë i ndjeshëm ndaj secilës temë që ato gjejnë veten nën rreshta e sidomos kur ka kështu tema të ndjeshme.

“Unë nuk e di se si mund ta përshkruaj gjendjen emocionale të atyre gjatë atyre 40 minutave, ishte një magji se si secili prej tyre ndjeu çdo rresht nën palcë është hera e parë që unë fillova të bashkë vuaj aq shumë me publikun, sepse aty kisha nëna që i kanë fëmijët të emigruar, gjeja prindër që janë të emigruar dhe si kanë pas fëmijët, gjeja prindër që kujtonin prindërit e tyre, gjeja prindër dhe nëna që i kam prindërit të ndjerë dhe gjeja të rritur që besoj se, dalë nga ajo shfaqe do kenë një qasje ndryshe kundrejt prindërve të tyre edhe nëse jo për kohë të gjatë të paktën atë ditë”, tha Nuhiji.

Pamje nga shfaqja“Jubileu i Nanës”. Foto: Afërdita Nuhiji
Pamje nga shfaqja“Jubileu i Nanës”. Foto: Afërdita Nuhiji

Nëse kjo shfaqje do të ngjitet në skena tjera, Nuhiji tha se janë duke menduar në këtë drejtim.

“Jemi në bisedime që ta zgjerojë akoma më shumë edhe pse jo edhe ta shëtisim në qytete tjera. Besoj që do të jetë një reflektim i dobishëm mbi shoqërinë dhe besoj që do vendosë publikun para një pasqyre shumë të madhe ndërgjegjeje dhe përgjegjësie”, tha Nuhiji.

Ky projekt u mbështet nga Komuna e Kërçovës.