Më në fund e çliruar nga “zinxhirët” e dhunës në familje

“Në fillim mendova se ishte një situatë momentale nervoziteti, agresiviteti që nuk do të ndodhte më, por po përsëritej gjithnjë e më shpesh dhe në fund kaloi në shprehi. Mendon se një ditë do të marrë fund, por e ke gabim, nuk do të ndalojë kurrë, vetëm se do bëhet gjithnjë e më keq. Dhe për çdo ditë përjeton gjithnjë e më shumë dhunë”. Një grua e re rreth të tridhjetave po “kërciste” gishtat plotë shqetësim teksa fliste për agoninë që kishte kaluar në dhjetë vitet e fundit. I duheshin disa javë për të vendosur nëse do të ndante me ne historinë e saj për dhunën që e ka pësuar nga bashkëshorti i saj. Një ditë na telefonoi dhe tha se ishte gati ta bënte sepse donte t’u dërgonte një mesazh grave që janë të robëruara në “kafazin e dhunës në familje”, shkruan Meta.mk.

“Dhuna ndodhte gjatë gjithë kohës dhe sa vinte e vetëm shtohej. Mendoj se arsyeja kryesore që e duroja një gjë të tillë ishte sepse ai konsumonte prekursorë ose substanca psikotrope që e bënin të manifestonte të gjitha llojet e sjelljeve të dhunshme. Për çdo nevojë të tijën, për çdo nevojë për para, ai manifestonte dhunë”.

Ajo është përballur me viktimizim edhe jashtë shtëpisë. E kanë tallur, përfolur, ndërsa me tallje janë pritur edhe disa nga përpjekjet e saj për ta raportuar dhunën.

“Nuk jam e kënaqur nga institucionet. Ata nuk janë të trajnuar sa duhet, nuk kanë aftësi të mjaftueshme për ta ndihmuar viktimën që u troket në derë dhe kërkon një rrugëdalje, shpëtim, që ka nevojë për ndihmë dhe atë për ndihmë serioze. Madje ka edhe njerëz që tallen me viktimën: “Hajde se nesër do të kthehesh”, “Hajde, hajde, shko, do të pajtoheni”. Të bind të kthehesh, në vend që të të japë ndihmë tani që ke marrë guximin që edhe me gjithë turpin që ndjen të shkosh dhe ta raportosh”.

Kjo grua është një nga mijëra gratë në Maqedoninë e Veriut që vuajnë dhunë me bazë gjinore. Të dhënat zyrtare të Ministrisë së Punëve të Brendshme thonë se në vitin 2022 janë regjistruar 1.117 krime të lidhura me dhunën në familje, 6% më shumë se në vitin 2021. Krimet më të shpeshta janë “lëndimi trupor” dhe “rrezikimi i sigurisë”. Është alarmant fakti që dhuna në familje vitin e kaluar kishte si rezultat shtatë vrasje dhe dy tentativa për vrasje. Në të shumtën e rasteve autor është bashkëshorti (474 raste), pastaj djemtë (171 raste) dhe partnerët jashtëmartesorë (119 raste).

Askush nuk e di numrin e saktë të viktimave të dhunës në familje

“Në zonat rurale ajo që nuk raporton kryesisht është femra. Në vendin tonë ende vlejnë ato norma patriarkale, tradicionale që e pengojnë atë dhe ndikim të madh ka edhe turpi nga rrethi. Nëse ka dhunë në të shumtën e rasteve ajo fshihet. Për shembull, thuhet sikur gruaja ka rënë nga shkallët, se ka ndodhur diçka tjetër, gjithçka përveç se dhunë”, thotë Ivanka Rizovska Sokollova nga Shoqata “Aksioni i grave”.

Rizovska Sokollova është udhëheqëse e Qendrës së parë për mbështetjen e grave viktima të dhunës në familje dhe në bazë gjinore, e cila mbulon territorin e komunave Radovish dhe Konçe. Qendra është hapur në dhjetor të vitit të kaluar, në kuadër të projektit “Post-COVID: Komunat si nxitës të zhvillimit të qëndrueshëm”, të cilin e zbaton Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim – UNDP me mbështetjen e Byrosë për Zhvillim Rajonal.

“Viktimat e dhunës shpesh herë enden, nuk dinë ku të shkojnë, kujt t’i drejtohen. Me hapjen e kësaj qendre ne krijuam një vend të sigurt ku ata e dinë se do të marrin mbështetjen dhe ndihmën e duhur”, shpjegon ajo.

Një problem shtesë në mjediset më të vogla është mungesa e ndërgjegjësimit. Sipas Rizovska Sokollova lufta kundër dhunës në familje nuk mund të bëhet vetëm në qendra, por duhet të punohet në edukimin e viktimave, por edhe të gjithë anëtarëve të shoqërisë.

“Shpesh herë, sidomos në komunitetet më të vogla mendojnë se nuk është problem i jonë, se nuk duhet të ndërhyjmë në punët e një familjeje. Dhuna është problem i të gjithë shoqërisë, jo vetëm i viktimës, sepse shumë shpesh aty janë edhe fëmijët që janë viktima të dhunës sekondare, të cilët janë viktima indirekte dhe kjo gjë reflektohet në gjendjen e tyre psikosociale.

Lufta kundër dhunës në familje nuk mund të bëhet vetëm nëpër qendra

Pa dallim nëse bëhet fjalë për zona të vogla dhe rurale apo qytete të mëdha nevojat për mbështetje të viktimave të dhunës në familje janë të njëjta. Në Kumanovë, komuna me numrin më të madh të banorëve në Maqedoninë e Veriut, nga shtatori i vitit 2022 funksionon qendra këshilluese për viktimat e dhunës me bazë gjinore dhe asaj në familje “Komfor zonë për gratë”. Është hapur në kuadër të projektit “Programi Rajonal për Demokracinë Lokale në Ballkanin Perëndimor 2 – ReLOaD 2”, të cilin e zbaton UNDP me mbështetjen e Bashkimit Evropian. Në qendrën këshilluese, e cila menaxhohet nga Shoqata Humanitare “Majka”, deri më tani mbështetje kanë kërkuar 33 gra.

“Më së shpeshti ofrohet ndihmë për realizimin e të drejtave të tyre sociale dhe ligjore, si dhe mbështetje psikologjike dhe këshilla për përparim në karrierë dhe pozicionim më të lehtë në tregun e punës. Këshillimorja është në proces të licencimit, është dorëzuar kërkesë në Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale dhe tani presim miratim”, thotë Lidija Ilijevska, kryetare e “Majka”.

UNPD e ndihmon vendin të arrijë standardin minimal të Konventës së Stambollit, e cila parasheh një këshillimore për çdo 50.000 banorë. Deri më tani Ministria e Punës dhe Politikës Sociale ka themeluar dhjetë këshillimore të specializuara për gratë viktima të dhunës dhe dhunës në familje dhe tetë këshillimore të specializuara për trajtim psiko-social për autorët e dhunës në familje.

“Komunat kanë detyrim që të marrin masa për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna me bazë gjinore dhe dhuna në familje, si sipas legjislacionit të brendshëm ashtu edhe sipas Konventës së Stambollit. UNDP-ja i mbështet komunat në themelimin e shërbimeve të specializuara për viktimat e këtij lloji të dhunës që kontribuojnë edhe në ndryshimin e modeleve të vendosura të sjelljes, në mënyrë që të thyhet cikli i dhunës”, thotë Kristina Pleçiq, specialiste e barazisë gjinore në UNDP.

Hapja e qendrave të këshillimit është posaçërisht e rëndësishme për të ofruar mbështetje psikologjike për gratë që janë përballur me traumën e dhunës në familje. Kësi lloj ndihme ofrojnë edhe këshillimoret në Radovish dhe Kumanovë.

Dhuna, foto nga Anete Lusina / Pexels
Dhuna, foto nga Anete Lusina / Pexels

“Viktimat e dhunës në familje shpesh ndjejnë frikë, kanë vetëbesim të ulët, ndjehen të pafuqishme dhe nuk shohin rrugëdalje. Për ta bota nuk është e sigurt, nuk kanë kujt t’i drejtohen sepse nuk kanë burime dhe janë pa mbështetje dhe mirëkuptim nga mjedisi. Ndihma psikologjike para së gjithash u mundëson ta shohin veten të aftë, me mbështetje dhe ndihmë nga të tjerët, për ta thyer ciklin e dhunës”, shpjegon Gabriella Boshkov, psikologe në qendrën e këshillimit “Komfor zonë për gratë”.

Gruaja e re historinë e së cilës e ndoqëm në fillim të tekstit, pas 10 vitesh dhunë dhe keqtrajtimi, vendosi t’i japë fund këtij makthi të jetës së saj. Pak muaj më parë ajo e braktisi bashkëshortin dhe u largua nga shtëpia, e cila për të është kujtim i shumë çasteve traumatike.

“E di që në shtëpi do të fle e qetë, do të zgjohem e qetë dhe dita ime do të jetë e qetë. Dhe askush nuk do të vijë të më shqetësojë, të më keqtrajtojë, të më nënçmojë, të më kontrollojë, të më ndjekë. Ndihem e lirë. Më në fund e lirë dhe e lumtur”.