Rusia e sulmoi Ukrainën, Zelensky thotë se Moska s’është e gatshme t’i japë fund luftës
Sulmet me dronë rusë vranë të paktën katër persona në Ukrainë gjatë natës dhe në orët e para të 27 shtatorit, përfshirë një person në kryeqytetin Kiev dhe tre në rajonin juglindor të Zaporizhjës, thanë zyrtarët ukrainas, transmeton Radio Evropa e Lirë.
Në Kiev, një burrë u vra kur një dron rus goditi një ndërtesë në qarkun Sollomianski, njoftoi Shërbimi Shtetëror i Emergjencave të Ukrainës.
Një zjarr shpërtheu në një objekt për riparimin e automjeteve në të njëjtin qark, ndërsa u godit edhe një ndërtesë tjetër, tha agjencia.
Ajo publikoi pamje që tregonin zjarrfikësit duke luftuar me zjarret në ndërtesat e dëmtuara.
Kryetari i Kievit, Vitali Klitschko, tha se një sulm rus në qarkun Shevçenkivski plagosi një grua dhe dy fëmijë 16-vjeçarë. Të tre u dërguan në spital, sipas tij.
Në rajonin e Zaporizhjës, në juglindje të Ukrainës, tre persona u vranë nga sulmet ruse, sipas administratës ushtarake rajonale.
Një burrë u vra në fshatin Komishuvaka, ku një shtëpi u shkatërrua dhe disa të tjera u dëmtuan, tha administrata. Dy persona të tjerë, një burrë dhe një grua, u vranë kur një sulm rus goditi makinën e tyre në fshatin Novotavrijske.
Katër persona u plagosën, ndërkaq në sulmin ndaj Komishuvakës, sipas administratës ushtarake rajonale.
Trump i thotë Kievit ta “zgjidhë” luftën
Ndërkohë, presidenti amerikan, Donald Trump, nuk pranoi të konfirmonte se kishte rënë dakord që Ukraina të prodhonte raketa Patriot, pavarësisht deklaratës së presidentit ukrainas, Volodymyr Zelenskyy më 25 shtator se Trump kishte marrë një “vendim përfundimtar” për t’i dhënë Kievit licencë për prodhimin e raketave amerikane të mbrojtjes ajrore.
I pyetur më 26 shtator për marrëveshjen për Patriotët, presidenti Trump tha se dëshironte që Zelensky dhe presidenti rus, Vladimir Putin, ta “zgjidhnin” luftën e tyre.
Trump dhe Zelensky u takuan në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork më 22 shtator.
“Folëm për shumë tema të ndryshme dhe për shumë prej tyre… kishte pajtim të fortë”, u tha Trump gazetarëve lidhur me këtë takim.
“Por, e dini çfarë dua që të bëjë ai? Të arrijë një marrëveshje. Dua që ai ta zgjidhë çështjen me Putinin dhe dua që Putini ta zgjidhë çështjen me të”.
Zelensky tha pas takimit se shpreson që Uashingtoni të ndihmojë në përfundimin e luftës “sa më shpejt të jetë e mundur”. Ai gjithashtu i ka bërë thirrje Trumpit të vazhdojë presionin ndaj Moskës, përfshirë përmes sanksioneve të reja.
Zelensky: Putini kërkon justifikime për të vazhduar luftën
Në adresimin e tij të përnatshëm, Zelensky tha se Moska nuk po tregon shenja se është e gatshme t’i japë fund luftës kundër fqinjit të saj dhe u bëri thirrje vendeve perëndimore të qëndrojnë të bashkuara në përpjekjet për ta detyruar Kremlinin që të ulet në tryezën e negociatave.
“Është e qartë se rusët nuk po përgatiten ta ndalin luftën e tyre, të paktën jo tani”, tha Zelensky, duke iu referuar raporteve të inteligjencës se Moska synon të rrisë shpenzimet për prodhimin e dronëve me motor reaktiv dhe municioneve të tjera.
Putini “gjithmonë gjen ndonjë justifikim të dobët – për të mos u takuar, për të mos zhvilluar një takim trepalësh, për të mos biseduar, për të mos i dhënë fund luftës, për të mos e ndalur vrasjen”.
“Me të, situata është njësoj për vite të tëra, dhe të gjithë partnerët tanë e ndiejnë këtë. Ai po kërkon justifikime për të vazhduar luftën. Gjithmonë tingëllon njësoj, dhe takimi ynë i fundit me presidentin amerikan e tregoi këtë”, shtoi Zelensky në fjalimin e 26 shtatorit.
“Zgjerimi i luftës”
Udhëheqësi ukrainas pretendoi se Rusia planifikon të shpenzojë 12 miliardë dollarë gjatë vitit të ardhshëm vetëm për prodhimin e “dronëve me motor reaktiv dhe municioneve, vetëm për këtë kategori armësh”.
“Ky është shqetësim i drejtpërdrejt edhe partnerët tanë. Shumë shërbime të inteligjencës kanë informacione se rusët duan ta zgjerojnë luftën, aktivitetet e tyre, në më shumë vende. Ndoshta edhe në rajone të tjera. Prandaj, duhet ta ndërtojmë mbrojtjen së bashku. Prandaj, duhet të mbrohemi së bashku, në mënyrë parandaluese”.
Ai tha se mbrojtja ajrore ukrainase ka mundur të pengojë 55 për qind të dronëve me motor reaktiv të lëshuar nga Rusia, ndërsa sulmet gjatë natës ndaj Kievit dhe qyteteve të tjera janë bërë gjithnjë e më të shpeshta me fillimin e motit të ftohtë.
“Po punojmë për këtë së bashku me Amerikën, Evropën, Kanadanë, Japoninë dhe shumë të tjerë në mbarë botën që po na ndihmojnë, po e ndihmojnë Ukrainën, po i ndihmojnë njerëzit tanë”, shtoi ai.
Zelensky shkroi në rrjetet sociale se “i kërkojmë presidentit Trump të zbatojë Aktin Lindsey Graham ndaj Rusisë dhe të gjithë atyre që e mbështesin financiarisht luftën e saj”.
Ligji, i nënshkruar nga Trumpi një javë më parë, i jep presidentit kompetenca të reja të gjera për të vendosur sanksione dhe tarifa ndaj Rusisë, sektorit të saj energjetik, si dhe qeverive dhe entiteteve të huaja që e ndihmojnë Moskën t’u shmanget kufizimeve ekzistuese.
Presidenti ukrainas u tha gazetarëve në Nju Jork se Uashingtoni kishte propozuar mbajtjen e asaj që do të ishte takimi i parë Ukrainë-Rusi-SHBA në shumë muaj, në një nivel relativisht të ulët “teknik”, me Emiratet e Bashkuara Arabe si mikpritëse.
Nuk pati konfirmim të menjëhershëm nga Shtetet e Bashkuara, ndërsa Putini tha se të gjitha propozimet për paqe janë “në tavolinë”, por shtoi se Moska duhet t’i peshojë interesat e saj.
Më shumë sulme ndaj infrastrukturës
Agjencia franceze e lajmeve AFP tha se një analizë e të dhënave nga një monitorues i konfliktit tregon një rritje të ndjeshme të sulmeve ndaj infrastrukturës së Ukrainës gjatë muajve të fundit.
Sipas AFP-së, të dhënat e përpiluara nga Armed Conflict Location and Event (ACLED) tregojnë se Rusia ka goditur dy herë më shumë depo në rajonin e Kievit gjatë tre muajve të fundit sesa në të gjitha vitet e mëparshme të luftës të marra së bashku.
ACLED ka regjistruar rreth 100 sulme ose seri sulmesh ndaj objekteve civile të magazinimit në rajonin e Kievit që nga mesi i qershorit, krahasuar me vetëm 50 nga shkurti i vitit 2022 deri në mesin e qershorit të këtij viti.