Në rini rron me dëshirën për të qenë në vëmendjen e botës. Dhe vitet kalojnë. Kalojnë shpejt. Kalojnë me vrull. Bashkë me ikjen e viteve shuhen ëndrra të çiltra njerëzore. Në dyert e jetës troket një çast triumfator që na kthjellon se prania e përhershme në publik është ngarkesë dhe ankth.
I lodhur nga betejat e padukshme jetësore, mëton të kthehesh në kështjellën e heshtjes dhe të qetësisë. Sa më larg zhurmës, rrëmujës e rrëmetit. Më nuk të gëzojnë lavdet që t’i thurin. Të mjaftojnë vetëm gjërat që i ke shpërfillur.
Larg zhurmës, rrëmujës e rrëmetit, pamja e botës bëhet më e qartë, por edhe më e trishtuar. Atëherë e kupton që shikimin dhe mendjen e ke pasur të turbullt.
Vetëm kur mbyllemi në kullën e vetmisë e ndiejmë se lavdia ka qenë si mallkim. Duke besuar që je lart, nuk e kupton se ke qenë brenda një shtjelle.
Pas tronditjeve e betejave të shumta jetësore fillon ta kërkosh paqen larg syve të botës, larg kënaqësive, atje, në Jasna Polanën tënde, në ishullin e qetësisë, ku nuk të trazon zhurma e ekraneve, ku paqen e gjen duke e dëgjuar melodinë e heshtur të natyrës apo duke biseduar me njerëz që botës nuk i shfaqen me maska e as nuk luftojnë për prestigj të rremë. Këta njerëz madhështorë në thjeshtësinë e tyre flasin me fjalë të thjeshta për një botë që e kemi përçmuar të shtyrë nga snobizmi.
Në rini doja të isha më i pranishëm në publik. Kjo dëshirë u zbeh me kalimin e viteve, siç zbehen gjethet në vjeshtë. Njeriu sa më shumë zbret në honet e errëta të jetës, aq më shumë e kupton absurdin e saj.
Tash e kërkoj qetësinë, jo në biseda me “elitarët”, por me njerëzit e thjeshtë, me miqtë e fëmijërisë, me të cilët kam ndarë çastet më të magjishme në jetë. Dua të shoqërohem me ata që dinë pak ose aspak për Homerin, Shekspirin apo Servantesin; që nuk merren me letërsi, estetikë, filozofi apo sociologji. Këta njerëz të thjeshtë janë përshkruar në shumë vepra letrare si personazhe plot jetë. Nëse do t’i digjnim librat ku flitet për ata, atëherë letërsia botërore do të varfërohej. Këta njerëz, pa dijen e tyre, dhanë kontribut në lindjen e kryeveprave letrare. Përse mos u jemi mirënjohës, edhe pse nuk kanë njohuri për gjigantët e letërsisë?
Ata janë më madhështorë se snobët që duan të na bindin se i përkasin një klase më të lartë shoqërore, kulturore, arsimore apo intelektuale. Snobët janë më poshtë se njerëzit që flasin për gjëra të zakonshme, si rritja e çmimeve apo krizat e përditshme.
Sa më shumë kalojnë vitet, aq më shumë i kuptoj shkrimtarët dhe artistët që donin të qëndronin larg jetës publike duke preferuar të punonin në vetmi.
Sa e sa mendimtarë e shkrimtarë, që ishin në Olimpin e Lavdisë, arritën ta shohin pjesën tjetër të botës vetëm pasi zbritën nga lartësia. Atëherë e kuptuan se bota kishte përmasën tjetër, ku mund të mendojmë për gjëra të thjeshta në dukje, por që i japin kuptim jetës njerëzore.
Sot dua të jetoj në një vend me shumë vjeshtë e dimër; me pak beton dhe shumë natyrë; ku ditët janë të shkurtra dhe netët e gjata; ku arrijnë vetëm valët e dashurisë dhe melodia e natyrës; ku nuk të rëndon pesha e qytetërimit, që na largoi nga përqafimet dhe prekja njerëzore; ku nuk kemi merakun si t’i shfaqemi botës, por duam të shijojmë bukuritë e saj, duke qenë më shumë anonimë se të përfolur. Do të doja të jetoja mes njerëzve përdëllestarë, që mund të mos kenë certifikata për të arritura jetësore, por shpirtin e kanë të mbushur me mëshirë, keqardhje dhe dhimbje për të gjithë ata që vuajnë. Do të doja të jetoja si në një përmasë ëndrre. Sa më larg këtij qytetërimi të zhurmës dhe të cektësisë.
Le ta përmbyll këtë përsiatje me fjalët e aktorit Morgan Freeman: “Vjen dita kur askujt s’ke më nevojë t’i vërtetosh asgjë. Jo sepse u dorëzove, por sepse u rrite. Lodhesh e lodhesh duke shpjeguar, përligjur, duke u vetëpërçmuar që të përshtatesh në jetën e të tjerëve, i lodhur nga pritja e kumteve që s’vijnë kurrë, nga faljet që nuk mbërrijnë kurrë dhe nga njerëzit që nuk dinë të duan. E vërteta është e thjeshtë: Jo të gjithë të kuptojnë. Jo të gjithë të mbështesin. Jo të gjithë të trajtojnë siç e meriton. Por ata nuk kanë pse ta bëjnë, sepse vjen një çast kur e zgjedh paqen. Zgjidhni heshtjen në vend të reagimit! Mjaft e tërhoqe veten drejt stuhive të njerëzve të tjerë! Sepse, ndonjëherë, heshtja është përgjigje më e pjekur. Lëvizja më e vështirë është largimi. Dhe akti më i madh i dashurisë për veten është të ndalosh së përçmuari veten. Nuk është egoizëm, por shërim. Është guxim të zgjedhësh veten. Pa miratimin e askujt, rigjallëroni shpirtin tuaj! Vazhdoni të ecni përpara i vetëm, por me dinjitet. Dhe, kur ta bësh këtë, atëherë jeta fillon të shfaqet më madhështore. Sepse njerëzit e vërtetë nuk kërkojnë shpjegime. Ata të shohin. Ata të ndjejnë. Të respektojnë pa qenë nevoja ta lypësh këtë”.
Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.