Bombardime vetëvrasëse në dy xhami në Pakistan, deri tani 57 të vdekur

Dy xhami në Pakistan kanë shpërthyer si pasojë e bombardimeve këtë të premte, duke vrarë të paktën 57 persona dhe duke plagosur më shumë se 60 prej tyre. Policia dhe autoritetet e vendit thanë se njerëzit ishin mbledhur për ta festuar ditëlindjen e profetit Muhamed, shkruan Reuters dhe Evropa e Lirë, transmeton Portalb.mk.

Asnjë grup nuk ka marrë përgjegjësi për shpërthimet, njëri prej të cilave ka bllokuar dhjetëra njerëz nën rrënojat e xhamisë, siç thonë mediat. Shërbimet e sigurië janë bërë më vigjilente pas rritjes së sulmeve militante përpara zgjedhjeve të përgjithshme që do të mbahen në janar.

Shpërthimi i parë, në provincën jugperëndimore të Baloçistanit, vrau 52 njerëz, sipas një zyrtari shëndetësor të provincës, Abdul Rasheed.

“Bombarduesi e shpërtheu veten pranë një automjeti policie pranë Xhamisë Medina ku njerëzit po mblidheshin për një procesion”, shtoi zyrtari i lartë i policisë Munir Ahmed.

Sulmi i dytë, në provincën fqinje veriperëndimore Khyber Pakhtunkhwa, vrau pesë persona në një xhami, sipas zyrtarëve të shpëtimit. Çatia e xhamisë u shemb, tha transmetuesi Geo News, duke bllokuar rreth 30 deri në 40 njerëz nën rrënoja.

Sulmi përfshiu dy shpërthime, njëri prej të cilëve ishte në portën e xhamisë dhe tjetri në kompleks, tha një zyrtar.

“Për fat të mirë njëri shpërthim ishte tek porta, kështu që besimtarët mundën të dilnin nga xhamia; si rezultat, numri i viktimave është më i ulët”, tha zëvendëskomisioneri i rrethinës Hangu, Fazal Akbar.

Të dyja provincat kufizohen me Afganistanin dhe kanë pësuar sulme në vitet e fundit nga militantët islamikë. Zyrtarët kanë shpallur gjendje të jashtëzakonshme. Ministri i Brendshëm Sarfraz Bugri e ka konsideruar shpërthimin “akt të urryer”.