Inteligjenca artificiale mund t’i ndihmojë njerëzit, por edhe ta cenojë privatësinë e tyre
Inteligjenca artificiale ka për qëllim t’i ndihmojë njerëzit dhe t’i përshpejtojë shërbimet dhe proceset në shumë sfera sociale, por ajo në vete mbart edhe rreziqe të mëdha që mund të ndikojnë seriozisht në cenimin e privatësisë dhe dinjitetit, si dhe cenimin e lirisë së qytetarëve. Ky është konkluzioni i seancës së sotme kushtuar inteligjencës artificiale në Konferencën ndërkombëtare “Transformimi digjital për qytetarët”, që dje edhe sot po mbahet në Hotel “Meriot” në Shkup, njofton Portalb.mk.
Në konferencë, folës nga disa vende të ndryshme ndanë përvojat e tyre lidhur me implementimin e inteligjencës artificiale, si në nivel të rregullativave, ashtu edhe në nivel të praktikave.
Drejtori i Fondit për Inovacion dhe Zhvillim Teknologjik (FIZhT), Festim Halili, me të pranishmit ndau lajmin se të hënën do të vihet në përdorim “ADA” – një softbot konverzativ që do të jetë në dispozicion të qytetarëve 24 orë në ditë.
“Programuesja e parë femër ka pasur emrin Ada dhe ky emër rimohet me “Vllada (Qeveri)”. Ky do të jetë softboti i parë konverzativ që do të punojë me disa aplikacione me FIZhT dhe do të funksionojë 24 orë, do të japë përgjigje për pyetjet e parashtruara dhe do të jetë në gjendje t’i përgjigjet më shumë se një klienti në të njëjtën kohë lidhur me startup-et, akceleratorët dhe grantet. Ky operator, i cili do të jetë online, jo vetëm që i zëvendëson njerëzit, por bën edhe punën e disa operatorëve, punon 24 orë në ditë dhe u shërben më shumë njerëzve në të njëjtën kohë”, tha Halili.
Sipas tij, inteligjenca artificiale është një mjet i fuqishëm dhe në këtë fushë duhet investuar, por ajo mbart edhe rreziqe, ndërsa ka shkencëtarë që kanë frikë nga inteligjenca artificiale.
“Për shembull, Elon Musk është diku në mes, ai sigurisht që investon në AI, por gjithashtu thotë se ajo është një armë e fuqishme dhe se mund të jetë më e frikshme se një bombë nukleare. Prandaj ne po punojmë në Strategjinë Kombëtare për Inteligjencën Artificiale, por kemi kërkuar ndihmë edhe nga Banka Botërore, UNDP, mbështetja gjermane për bizneset etj., për të bërë një kornizë të përshtatshme që nuk do të lejojë që të bëhen abuzime”, tha Halili në fjalimin e tij.
Sipas tij, për të thënë se është krijuar një sistem i përshtatshëm për inteligjencën artificiale, duhet të plotësohen katër elementë: të krijohen sisteme që mendojnë si njerëz, veprojnë si njerëz, që mendojnë racionalisht dhe që veprojnë racionalisht.
Bogdan Manolea, drejtor ekzekutiv i Shoqatës së Teknologjisë dhe Internetit të Rumanisë, tha se ata kanë përgatitur një strategji për inteligjencën artificiale, por ende nuk ka një strategji zyrtare qeveritare, për të cilën për momentin bisedimet po bëhen pas dyerve të mbyllura.
“Kemi edhe një projekt të ri, gjegjësisht kryeministri rumun e prezantoi këshilltarin e parë qeveritar që do të përdorë inteligjencë artificiale, e që demonstroi gabime që në muajin e parë, prandaj do të duhet të punohet edhe pak në të. Është fakt se inteligjenca artificiale ka dy anë dhe duhet të raportohet për të dyja këto anë, sepse mbeten çështje të hapura, si për shembull çfarë të dhënash personale grumbullon dhe ku dërgohen ato të dhëna”, tha Manolea.
Ella Jakubovska, këshilltare e lartë për politika pranë Iniciativës Evropiane për të Drejtat Digjitale nga Belgjika, foli për rreziqet që mund të sjellë aplikimi i inteligjencës artificiale.
“Të mos e harrojmë skandalin që ndodhi në Holandë me asistencën sociale, e që ishte një sistem shumë i thjeshtë i inteligjencës artificiale. Sistemi tregoi se ka njerëz që gënjejnë gjatë parashtrimit të kërkesës për ndihmë sociale. Ky sistem i inteligjencës artificiale analizonte gjëra të tilla si vendbanimi, përkatësia etnike, etj. Si pasojë e funksionimit të këtij sistemi, disa personave pa të drejtë iu është hequr e drejta për ndihmë sociale, disa të tjerëve iu morën fëmijët, disa madje edhe u vetëvranë. Rreziqet janë të mëdha dhe inteligjenca artificiale nuk mund të përdoret kudo. Për mua është problematik përdorimi i saj në shëndetësi apo në sferën sociale, sepse e kufizon të drejtën e njerëzve për qasje njerëzore”, tha Jakubovska.
Jakubovska tha se Iniciativa evropiane për të drejtat digjitale nga Belgjika i kushtohet në veçanti njohjes biometrike të personave, që për ta është një masë e pasigurt.
“Ne shohim që shumë qeveri vendosin për sisteme që i shkelin të drejtat e njeriut, por këtë nuk e thonë publikisht. Kur dilni në një protestë, kur shkoni në vizitë te mjeku, tek një avokat, në tempuj fetarë, në bare LGBT, ju mund të mos doni që të njiheni. Ne nuk duam që të hiqet e drejta e anonimitetit”, tha Jakubovska.
Serbia është vendi i parë në rajon që ka miratuar një Strategji Kombëtare për Inteligjencën Artificiale, e cila përfshin edhe mbrojtjen e të dhënave edhe të drejtat e njeriut. Strategjia u miratua në vitin 2019, ndërsa Ana Toskiq-Cvetinoviq, drejtoreshë ekzekutive e Partnerëve për Ndryshim Demokratik Serbi, thotë se vendi është “një arenë për disa iniciativa lidhur me inteligjencën artificiale”.
“Paralelisht me rregullativat kemi shembuj praktik se si inicohet përdorimi i inteligjencës artificiale, pa i respektuar të gjitha parimet e rregullativave. I tillë është, për shembull, monitorimi biometrik si pjesë e marrëveshjes me kompaninë kineze “Huawei” dhe ka spekulime se po monitorohen rrugët e Beogradit. Që atëherë ka pasur përpjekje për të parë nëse kjo po ndodh vërtet dhe për të bërë një vlerësim sa i përket mbrojtjes të të dhënave personale. Ne presim të shohim se çfarë do të ndodhë në BE dhe nëse ndalohet përdorimi i inteligjencës artificiale për këto qëllime, presim që edhe Serbia ta bëjë të njëjtën gjë”, tha Toskiq-Cvetinoviq.
Konferenca dyditore e Fondacionit “Metamorfozis” që përfundon sot organizohet në kuadër të projektit “Rritja e Pjesëmarrjes Qytetare në Agjendën Digjitale – ICEDA”, i kofinancuar nga Bashkimi Evropian, dhe ka për qëllim rritjen e pjesëmarrjes së qytetarëve në krijimin e agjendës digjitale.
Konferenca organizohet në kuadër të projektit “Rritja e Pjesëmarrjes Qytetare në Agjendën Digjitale – ICEDA”, e udhëhequr nga Fondacioni “Metamorfozis”, ndërsa e kofinancuar nga Bashkimi Evropian, dhe ka për qëllim rritjen e pjesëmarrjes së qytetarëve në krijimin e agjendës digjitale.
Nga dita e dytë e konferencës:
- LEXO: “Transformimi digjital i qytetarëve”: Vendet e Ballkanit Perëndimor kanë mungesë të kapaciteteve për mbrojtje nga sulmet kibernetike
- LEXO: Rezistenca kibernetike fillon me “higjienën” digjitale personale
Nga dita e parë e konferencës:
- LEXO: Digjitalizimi duhet t’i zvogëlojë barrierat dhe ta lehtësojë qasjen e qytetarëve në shërbime
- LEXO: “Transformim digjital për qytetarët“: Është e nevojshme të ndërtohet kulturë për përparim digjital
- LEXO: Hendeku digjital në Ballkanin Perëndimor mund të mbyllet nga qytetarët për qytetarët (Video)