Lluka Paviçeviq, bursist i “Harvardit”: Digjitalizimi i lehtëson shumë studimet

Lluka Paviçeviq, i cili deri pak kohë më parë ishte kryetar i Unionit të Nxënësve të Shkollave të Mesme (UNSHM), nga ky vit akademik i ndjek studimet në vitin e parë në universitetin më prestigjioz në botë, “Harvard”. Edhe pse është ende në fillim të studimeve, profesori i tij për lëndën Politika e arsimit amerikan, Paul Piterson, tashmë e ka angazhuar atë si asistentin e tij hulumtues, transmeton Portalb.mk nga Meta.mk.

Me Llukën biseduam për atë se si është të jesh student nga Maqedonia e Veriut në universitetin më të vjetër në SHBA, për digjitalizimin dhe sistemin e shërbimeve online, për lëndët dhe profesorët e preferuar.

Klasa në të cilën bën pjesë edhe Lluka është “më ndërkombëtarja” në historinë treshekullore të universitetit, domethënë 16 përqind e studentëve janë nga vende jashtë Shteteve të Bashkuara, ndërsa 84 përqind janë amerikanë.

“Unë studioj për histori, mësimet në këtë universitet i ndjek falë bursës që kam marrë nga Fakulteti i Arteve dhe Shkencave, që është njësia më e madhe organizative e Harvardit. Kusht për regjistrim nuk janë vetëm notat e shkëlqyera dhe një mesatare e mirë, pra rezultatet solide akademike, por nga kandidatët kërkohet që të dëshmojnë se gjatë shkollimit të tyre të mesëm kanë pasur edhe një angazhim adekuat jashtëshkollor”, thotë Lluka.

Për momentin në këtë universitet ka tre studentë nga Maqedonia e Veriut, dy në studime universitare dhe një në studime master.

“Ndoshta dikush do të thoshte se ky numër është i vogël, por unë me shaka them se nëse këtë numër e pjesëtojmë me numrin e popullsisë së Maqedonisë dhe rezultatet e fituara i krahasojmë me numrin e popullsisë së vendeve të tjera të Ballkanit, ne jemi lider në rajon për nga numri i studentëve për banor”, shton Lluka.

Për profesorët thotë se janë ekspertë të lartë në fushat e tyre dhe se janë gjithmonë në dispozicion, të hapur dhe të gatshëm për t’i ndihmuar dhe për të komunikuar me studentët.

“Sistemi i paraqitjes së provimeve është krejtësisht ndryshe nga sistemi i fakulteteve në Maqedoni. Është shumë i thjeshtë, është tërësisht i digjitalizuar, nuk ka nevojë të shkohet në ndonjë zyrë apo tek sportelet e administratës studentore, por të gjitha informacionet vijnë në email ose në platformën “My Harvard”. Nuk ka ndonjë procedurë e cila imponon shpenzime për provimet”, sqaron ai.

Universiteti ka 15 biblioteka dhe secila prej tyre është e specializuar. Të gjitha gjësendet, librat dhe të gjitha pajisjet digjitale dhe mikrofilat me të cilat disponojnë bibliotekat janë të disponueshme në një katalog virtual, të cilin studentët e kanë në dispozicion online. Përmes pajisjeve të tij personale studenti në kohë reale mund të informohet nëse libri që i nevojitet është në dispozicion, sa kopje të tij ka, etj.

“Bibliotekat janë vërtet fleksibile, por edhe të digjitalizuara, jo vetëm nga aspekti i qasjes online në libra, por kemi edhe mundësi që nëpërmjet një shërbimi online të kërkojmë një libër të caktuar dhe kopja fizike e librit të na dorëzohet në vendin që na përshtatet neve”, shton Lluka.

Lëndët e tij të preferuara janë Politika e arsimit amerikan, si dhe lënda Seminar i historisë – Kushtetutat, të drejtat dhe perandoria.

“Lënda e dytë në fakt është e destinuar për doktorantët, por mua më lejuan ta dëgjoj, edhe pse jam student i vitit të parë. Kjo lëndë i analizon marrëdhëniet midis kushtetutës britanike dhe kushtetutave të 13 shteteve dhe Kushtetutës së SHBA-ve. Për mua kjo është një sfidë e madhe sepse duhet të lexojmë një libër në javë, për të cilin pastaj diskutojmë gjatë leksioneve”, shton Lluka.

Sa i përket planeve të tij për të ardhmen, ai thotë se ka në plan të vazhdojë me punë akademike. Pas diplomimit ai planifikon të vazhdojë me ciklin e dytë të studimeve dhe synimi i tij përfundimtar është doktoratura në histori dhe të punësohet si profesor universitar në një nga universitetet botërore.

“Këtë semestër jam i angazhuar si asistent hulumtues i profesorit Paul Peterson, i cili më ligjëronte lëndën Politika e arsimit amerikan. Unë e ndihmoj atë në përgatitjen e punimit të tij hulumtues, i cili do të mbulojë një temë nga arsimi amerikan, e që i shqyrton sfidat më të mëdha me të cilat është përballur sistemi i tyre arsimor në dekadat e fundit,” shpjegon Lluka.