Institucionet nën kompetenca të ministrive e prishin mesataren e (jo)transparencës në RMV

Institucionet e RMV-së me kompetenca nën ministritë dhe Qeverinë janë më pak transparente se vetë Qeveria dhe ministritë, dhe kjo ndikon që të ulet përqindja e nivelit të përgjithshëm të transparencës në RMV. Kështu tregon hulumtimi i hulumtimi të Fondacionit Metamorfozis “Vlerësimi i qeverisjes së mirë së pushtetit ekzekutiv në Maqedoninë e Veriut dhe në rajon përmes Indeksit të Hapjes”, i cili e analizon hapjen e institucioneve në vend dhe rajon, shkruan Portalb.mk.

Rezultati i përgjithshëm i pushtetit ekzekutiv në Maqedoninë e Veriut (Qeveria, ministritë dhe organet ekzekutive) sipas Indeksit të Hapjes arrin në 64,92% përmbushje të treguesve të hapjes, por do të ishte shumë më i lartë nëse organet ekzekutive do t’i përmbushnin në përqindje më të madhe indekset.

Sipas matjeve për vatin 2022, krahasuar në  Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka realizuar 79,14% të kritereve për hapje, ministritë 61,58%, ndërkaq organet ekzekutive, ku bëjnë pjesë agjencitë, inspektoratet, byrotë publike, entet, drejtoritë e kështu me radhë, vetëm 54,04% i kanë përmbushur treguesit.

Hapja e insitucioneve në RMV
Hapja e insitucioneve në RMV

Marijana Jançeska, koordinatore në Fondaiconin Metamorfozis, konfirmoi se jo vetëm në matjen e fundit, por me vite të tëra përsëritet situata në të cilën organet në përbërje kanë përqindje të ulët të realizimit të indekseve, gjegjësisht ekziston korrelacion mes hierarkisë së institucioneve dhe rënies së notave të tyre.

Në indeks thuhet se “angazhimi dhe zbatimi i standardeve për hapje janë në nivel të ndryshëm në struktura të ndryshme të pushtetit ekzekutiv dhe për atë koncepti i hapjes patjetër që të zgjidhet në mënyrë sistematike”.

Jançeska tha se sipas rezultateve nga viti i kaluar, nga të gjitha organet ekzekutive, përveç njërit, të gjithë të cilët e kanë mbushur pyetësorin, kanë njoftuar se zyrtarët e tyre nuk kanë vizituar trajnime për qasje të lirë.

Autorja e hulumtimit, Dançe Danilloska Bajdevska ka dhënë disa rekomandime të cilat kërkojnë që të rritet niveli i transparencës në organet ekzekutive. Mes tjerash, kërkohet që të ketë “seksion të veçantë në faqet e internetit të institucioneve për të mundësuar transparencë aktive dhe ndërveprim të drejtpërdrejtë me publikun dhe llogaridhënie”, por edhe të aktiviziohen kërkuesit funksional në të gjitha faqet e internetit të organeve ekzekutive.

“Institucionet, veçanërisht organet ekzekutive, duhet të publikojnë listat e shërbimeve që i ofrojnë në faqen e internetit, si dhe në një vend të dukshëm të vendosin një lidhje deri te portali uslugi.gov.mk”, thuhet më tej në një rekomandim tjetër në këtë hulumtim.

Sipas të dhënave, të hulumtimit, ku ofrohet dhe listë e renditjes së institucioneve me shkallë të përmbushjes së treguesve të të dhënave të hapura mesatarja e përqindjes së përmbushjes së treguesve të të dhënave të hapura është vetëm 41,29%.

Nëse shohim listën prej fundit e në kokë, në fund të listës për mospërmbushje të treguesve është Sekretariati për Çështje Evropiane, i cili nga 100%, përmbush vetëm 26,4%. Pas këtij, Policia Financiare është e dyta në listë për mospërmbushje, gjegjësisht me 30,36%, ndërkaq vendin e tretë e ndajnë tre institucione, gjegjësisht Drejtoria për të Ardhurat Publike, Agjencia e Emigracionit të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Inspektorati Shtetëror për Inspektimin Teknik, të cilët përmbushin vetëm 34,32%.

Pak a shumë në këto numra sillen dhe institucionet tjera, të cilat, mund t’i shihni në infografikun e mëposhtëm.

Në krye të listës, ndodhet Byroja e Zhvillimit Rajonal, e cila nga 100% të treguesve, ka plotësuar 52,8%. Më pas vijon Inspektorati Sanitar Shëndetësor me 50,16%. Vendin e tretë për më të mirët nga ky grup i institucioneve e ndajnë, Byroja për Siguri Publike dhe dy inspektorate, gjegjësisht i Ndërtimit dhe Urbanizmit dhe ai i Tregut, të cilët përmbushin 47,52% të treguesve të të dhënave të hapura.

Transparenca e organeve ekzekutive
Transparenca e organeve ekzekutive

Hulumtimi është kryer në periudhën nga marsi deri në qershor të vitit 2023. Mostra e institucioneve të synuara përbëhet nga gjithsej 36 institucione, duke përfshirë Qeverinë/Sekretariatin e Përgjithshëm, 16 ministri dhe 19 organe ekzekutive të zgjedhura rastësisht në përbërje të ministrive. Metodat e hulumtimit konsistojnë në (1) monitorimin e faqeve të internetit të institucioneve të synuara për një sërë treguesish, (2) një pyetësor të dorëzuar institucioneve për të konfirmuar vëzhgimet e monitorimit online, (3) një kërkesë të dërguar për qasje në informatat me karakter publik deri te çdo institucion me synimin për të vlerësuar nivelin e respektimit të kësaj të drejte themelore nga çdo institucion si dhe (4) shqyrtimin e kornizës legjislative.

Aktivitetet janë pjesë e projektit “Transparenca dhe Llogaridhënia e Institucioneve Shtetërore në RMV“, i cili zbatohet nga Fondacioni Metamorfozis me mbështetje financiare nga Fondacioni Shoqëri e Hapur-Maqedoni.