Inspektorati i tregut u vendosi çelësin edhe pesë marketeve të tjera që nuk i shisnin artikujt me “çmim të garantuar”

Mbrëmë, Inspektorati Shtetëror i Tregut (IShT) gjobiti dhe mbylli pesë markete të tjera në të gjithë vendin që nuk respektuan vendimin për kufizimin e çmimeve të disa prej produkteve ushqimore që qeveria vendosi të shiten me “çmim të garantuar” deri në 30 nëntor, transmeton Portalb.mk.

Për këtë në profilin e tij në Facebook mbrëmë ka bërë të ditur kreu i Inspektoratit, Goran Trajkovski.

“Janë gjobitur dhe mbyllur pesë markete në Kavadar, Gostivar, Kumanovë dhe Tetovë”, shkruan Trajkovski në Facebook.

Në postimin në Facebook, drejtori i ISHT-së thekson se inspektorët nuk do të bëjnë asnjë kompromis apo përzgjedhje kur, siç thotë ai, është në lojë interesi i qytetarëve.

“E kam përmendur disa herë se të gjithë duhet të respektojnë ligjet dhe vendimet e Qeverisë. Gjithashtu, nuk do të lejoj askënd që të manipulojë dhe mashtrojë qytetarët – konsumatorët!”, shton Trajkovski.

Ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi pak ditë më parë ka bërë të ditur emrat e marketeve që në rajonin e Shkupit janë mbyllur nga IShT për mos respektim të vendimit të qeverisë, duke thënë se qytetarët duhet të dinë se ku respektohen masat për kufizimin e çmimeve.

Kontrollet e shtuara të IShP-së vijnë pas vendimit të Qeverisë për ngrirjen e çmimeve të 24 kategorive të produkteve që duhet të shiten në tregje me etiketën “çmim i garantuar” dhe nuk do të lejohen të rriten deri më 30 nëntor të këtij viti. Bëhet fjalë për produkte nga industria e bukës, e mishit, e qumështit dhe e ëmbëlsirave.

Prej ditës së djeshme ka hyrë në fuqi vendimi për kufizimin e çmimeve të lëngjeve, ujit dhe birrës.

Ndërkohë me Vendimin paraprak të Qeverisë, shitësve me pakicë u ndalohet të ofrojnë shitje aksionale (aksion) dhe shitje promocionale (promocion) gjatë shitjes së produkteve bujqësore dhe ushqimore. Ndalimi do të jetë i vlefshëm deri më 30 nëntor 2023.

Në të njëjtën kohë, u vendos që çmimet në tregtinë me pakicë, të cilat janë ulur për shkak të skadimit të afatit të produkteve bujqësore dhe ushqimore, të mos konsiderohen si shitje promocionale (promocion).

LEXO: Bekteshi: Do të ndalohet shitja promocionale në markete, pritet ngrirje e çmimeve

Më 1 korrik përfundoi masa për marzhet e ngrira për produktet ushqimore bazë – bukë, sheqer, vezë dhe produkte të qumështit. Me këtë lëvizje, shteti ia lë në dorë prodhuesve dhe tregtarëve që t’i përcaktojnë vetë çmimet sipas kushteve të tregut. Të gjitha të rezervuara për vlerësimet e rritjes ose rënies së çmimeve.