Merko ende nuk ka ndërtuar kënde lojërash, rrugë dhe rrjet ujësjellësi në Livadhi, ashtu siç premtoi në “Agjendën e Blertë”

Në fshatin Livadhi të Strugës deri më tani nuk është realizuar asnjë nga premtimet elektorale të bëra gjatë fushatës zgjedhore në zgjedhjet lokale të vitit 2021. Kryetari i Komunës së Strugës, Ramis Merko, premtoi se gjatë mandatit të ri në Livadhi do të ndërtoj kënde lojërash, do ndërtojë rrugët dhe rrjetin e ujësjellësit. Përderisa nga Komuna e Strugës nuk iu përgjigjen kërkesës sonë për informacion. Duke u bazuar në situatën aktuale në terren dhe nga bashkëbisedimi me banorët e  fshatit Livadhi, Portalb.mk konkludon se këto premtime ende nuk janë realizuar.

Screenshot nga Programi Zgjedhor Axhenda e Blertë për Strugën
Screenshot nga Programi Zgjedhor Agjenda e Blertë për Strugën

Gjatë zgjedhjeve lokale 2021 në garën për të parin e Komunës së Strugës, Ramis Merko, fitoi zgjedhjet me programin e tij zgjedhor “Agjenda e Blertë“. Në këtë program janë dokumentuar qindra premtime, kryesisht infrastrukturore, për qytetin e Strugës dhe 52 bashkësitë lokale. Mes tjerash, në kategorinë investime të parapara nëpër fshatra 2021-2025 (faqe 64) për fshatin Livadhi u premtua: ndërtimi i rrjetit të ujësjellësit, ndërtimi dhe zgjerimi i rrugëve dytësore brenda fshatit, ndërtimi i rrugës që e lidh fshatin me rrugën magjistrale dhe ndërtimi i këndeve të lojërave për fëmijë. Lidhur me premtimet  e bëra nuk ka specifikime dhe afate për mënyrën e realizimit dhe finalizimit të zotimeve në fjalë.

Redaksia e Portalb.mk inspektoi situatën në terren për të parë nëse është bërë diçka konkrete në këtë fshat. Nga ajo që pamë lehtë mundet të konstatohet se rrugët e fshatit as janë ndërtuar e as janë zgjeruar gjatë kësaj periudhe, nuk është ndërtuar asnjë kënd lojërash për fëmijë dhe as që po zhvillohet ndonjë punim për ndërtimin e rrugës që e lidh fshatin me magjistralen. Për ta sqaruar situatën se nëse ka ndonjë projekt teorik ose nëse diçka e pengon realizimin e këtyre premtimeve elektorale, redaksia jonë kërkoi informacion nga pushteti lokal megjithatë kërkesës sonë për informacion dërguar në adresën elektronike të këtij institucioni nuk i janë përgjigjur nga Komuna e Strugës.

I kontaktuar nga Portalb.mk kryetari i Bashkësisë lokale në fshatin Livadhi, Osman Murtezai, thotë se sa ju përket premtimeve elektorale për këtë mandat, nga Pushteti lokal nuk është bërë diçka konkrete.

“Në fakt, rrjeti i ujësjellësit në Livadhi ekziston që nga viti 1993 dhe që atëherë nuk është bërë asnjë ndërhyrje në këtë rrjet. Ajo që është shumë e nevojshme për banorët e fshatit Livadhi është finalizimi i rrjetit të kanalizimit. Sa i përket rrjetit të kanalizimit në fshatin tonë është ndërtuar vetëm rrjeti primar dhe sekondar por nuk është finalizuar faza terciare, pra lidhja e çdo shtëpie me rrjetin primar. Dy fazat e rrjetit të kanalizimit janë ndërtuar gjatë viteve 2013-2017. Gjatë këtij mandati pushteti lokal nuk ka bërë ndonjë hap konkret në finalizimin e projektit të kanalizimit”, deklaroi Osman Murtezai, kryetar i Bashkësisë lokale në fshatin Livadhi.

Aktualisht në fshatin Livadhi ka vetëm një kënd lojërash që është ndërtuar para disa vitesh, më konkretisht në mandatin e kaluar të kreut të   Komunës së Strugës ishte Ramis Merko, projekt ky që u realizua falë bashkëpunimit mes Pushtetit lokal dhe Bashkësisë lokale.

“Përveç këndit të lojërave, mandatin e kaluar u asfaltua dhe rruga prej tek xhamia deri te shkolla. Pushteti lokali mundësoi financimin e asfaltimit të rrugës që ishte diku te 40 000 euro ndërsa Bashkësia lokale me donacione të bashkëfshatarëve u kujdes për rregullimin e trotuareve dhe murit rrethues. Në fund të mandatit 2017-2021, nga Pushteti lokal u sanuan disa pjesë të shkatërruara të rrugëve në fshat, por sa i përket këtij mandati deri më sot nuk është bërë rikonstruimi i asnjë rruge në fshat”, shtoi Osman Murtezai.

Sa i përket premtimit se do të ndërtohet rruga që e lidh fshatin me rrugën magjistrale, kryetari i Bashkësisë lokale në fshatin Livadhi thotë se nuk është i informuar për një projekt të tillë.

 

Duke u bazuar në situatën aktuale në terren dhe nga bashkëbisedimi me banorët e  fshatit Livadhi, Portalb.mk konkludon se premtimet e bëra në programin zgjedhor Agjenda e Blertë, nga kryetari aktual i Komunës së Strugës, Ramis Merko, pra: ndërtimi i rrjetit të ujësjellësit, ndërtimi dhe zgjerimi i rrugëve dytësore brenda fshatit,  ndërtimi i rrugës që e lidh fshatin me rrugën magjistrale dhe ndërtimi i këndeve të lojërave për fëmijë ende nuk janë realizuar.

BURIMET
* Programi zgjedhor Agjenda e Blertë faqe 48, verifikuar më 10.08.2023