Ide për një frazë Shën Velentini nga letrat e dashurisë që kanë shkruar të famshmit

Portalb.mk ju sjellë letrat e dashurisë më të bukurat që janë shkruar ndonjëherë. Siç edhe e dini, dikur nuk kishte rrjete sociale, as telefona, sms dhe romancat janë realizuar përmes letrave të dashurisë, të cilat janë konsideruar pasuri dhe më pas janë shitur ose janë vjedhur nëse janë shkruar nga duar të famshme siç janë emrat që kemi veçuar më poshtë. Ju mund të kopjoni ndonjë për t’ia përshtatur njeriut të dashur me rastin e Shën Valentinit.

 Photo by Ranurte on Unsplash
Photo by Ranurte on Unsplash

Ludvig van Bethoven dhe “e dashura e pavdekshme” 

Bethoveni nuk u martua kurrë, por në fillim të të 40-ave ai u dashurua marrëzisht pas një gruaje misterioze, e cila edhe sot njihet me termin “e dashura e pavdekshme”, me të cilin kompozitori i njohur i drejtohej në letrat e tij. Historianë besojnë se bëhet fjalë për Antonie Brentano, një aristokrate vjeneze e martuar me një biznesmen nga Frankfurti.

“Engjëlli im, vetja ime… A mund të ekzistojë dashuria jonë pa sakrifica, pa kërkuar asgjë nga njëri-tjetri? A mund ta ndryshosh faktin që nuk je plotësisht e imja dhe nuk jam plotësisht i yti? I dashur Zot, shikoje natyrën me gjithë bukurinë e saj dhe vendosi gjërat ku duhet të jenë.

Dashuria i kërkon të gjitha dhe me të drejtë. Sa shumë gjëra dua të të them! Por ka momente kur kuptoj se fjalët janë të papërshtatshme për ty. Ji e gëzuar dhe ji gjithmonë e imja, e dashura ime e vetme, gjithçkaja ime, ashtu sikurse unë jam i yti. Zoti do të na dërgojë gjithçka tjetër.

“Çfarë jete kjo tani, pa ty! Sado e madhe të jetë dashuria jote për mua, ajo që ndiej për ty është akoma më e madhe. Zot i madh! Sa afër! Sa larg! A nuk është dashuria jonë e lidhur në parajsë?”

“Edhe pse jam në shtrat, mendja më shkon te ti, e dashura ime e pavdekshme! Ji e qetë, më duaj. Sot, dje, sa lot të derdhur për ty, ty, jeta ime, gjithçkaja ime…! Oh, vazhdo të më duash, mos e gjyko keq zemrën besnike të të dashurit tënd! Përjetësisht i yti. Përjetësisht e imja. Përjetësisht tanët”

Photo by Jess moe on Unsplash
Photo by Jess moe on Unsplash

Victor Hugo për  Juliette Drouet

( Njohja e Viktor Hygo me Zhuliet Drouet ndodhi më 1833 në teatrin Saint- Martin e, qysh nga ai çast, nisi historia e madhe dhe e rrallë e dashurisë së tyre )

“…Ju e dini se sa ju dashuroj, o engjëlli im i mirë e, megjithatë, ju doni që t’iu shkruaj për të. Keni të drejtë. Duhet të dashurosh e, pastaj, këtë ndjenjë duhet t’a shkruash e, pastaj duhet t’a puthësh në gojë, në sy e kudo të zgjedhurën e zemrës tende. Oh, Juliette, sa ju dua!… Kur jam i trishtuar, mendoj për ju ashtu siç mendojmë për diellin në dimër e, kur jam i gëzuar, unë mendoj për ju, ashtu siç mendojmë për hijen kur ndodhemi mes përvëlimit të diellit… E shihni, Juliette e ëmbël, se sa fort ju dua?… Me gjithë shpirt!…Pres nga ju një puthje, e bukura ime, Juju !… ”

Photo by Freddy Castro on Unsplash
Photo by Freddy Castro on Unsplash

Honoré de Balzak për konteshën Hanska

( Një dashuri legjendare ajo e Honoré de Balzac për konteshën e martuar polake, Hanska. Ajo zgjati për 15 vjet pa u takuar dhe lindi e u mbajt vetëm nëpermjet korrespondencës. Balzaku do të martohej me Hansken vetëm më 1850 pak muaj para vdekjes së tij )

“Engjëlli im i adhuruar… Jam bërë vërtet i luajtur nga mendtë nga dashuria për ty. Rri si budalla e s’bëj gjë tjetër veç mendoj për ty e, çdo përfytyrim më sjell pranë teje. Të kap, të shtrëngoj, të puth, të përkedhel. Ti, je në zemrën time e, unë, ndjej aty praninë tende delikate. O perëndi, unë zgjohem çdo mengjes me mendimin që t’i them vehtes: Hajt, nisu, shko të takosh engjëllin tend… E pastaj, tërhiqem i shtrënguar nga dhjetra pengesa e obligime. Është luftë e vërtetë kjo që ndodh brenda meje. Jo, kështu, s’rrohet !… Kjo që po ndodh, s’më ka bërë kurrë vaki… Ndjehem i përhumbur, i marrë e njëkohësisht i lumtur teksa përjetoj këtë ëndërr kaq delikate që për mua ka vlerën e një mijë vjet jetë. Jam vërtet në gjendje të tmerrshme. Në çdo qelizë, në çdo pore të trupit tim ndjej të jem i pushtuar, i përmbytur nga dashuria. Unë nuk jetoj veçse për dashurinë e, në të njëjtën kohë po gërryhem nga pezmi për të… Oh, Eva ime e embël, ti s’e di, por unë kam tani në duar letrën tënde e, flas me ty sikur të të kisha këtu, para meje. Të shoh, të ndjej, të adhuroj të bukur e magjike. Dje, gjithë darkën, po thoshja me vehte: Ajo është e imja. As engjëjt në parajsë s’janë aq të lumtur sa ç’isha unë mbrëmë…”

 Photo by Everton Vila on Unsplash
Photo by Everton Vila on Unsplash

Guillaume Apollinaire për Lu

Më 1914, Gijom Apoliner njihet në Nisë me Louise de Coligny-Chatillon e mes tyre shpërthen një pasion i papërmbajtur dashurie. Për shtatë ditë ai njohu tek ajo një voluptet të rrallë, një erotizëm delikat e në të njëjtën kohë violent. Ajo quhej Luizë, por Apolliner gjithmonë e quajti “e vockla ime Lu”. ( Lu – shkurtim i emrit Luizë ). Një dashuri që zgjati gjatë gjithë jetës së tij e së cilës, ai i dedikoi një libër të mrekullueshëm me poezi .

“… Nga ajo natë e bekuar, mbi të gjitha, unë kam ruajtur në sytë e mi kujtimin e puthjeve të harkut të tendosur të një goje të hapur përgjysmë, të një goje të freskët e të qeshur e cila profeconte fjalët më me mend e më me ndjenjë, shoqëruar me një tingull zëri aq harmonik, i cili më bën të mendoj e të ndjej se Lou ( Luisa ) për mua është diçka më tepër se shenjtore. Po tani ?… Ku e kam atë zë, ato fjalë, magjia e të cilave më shkaktonte iluzione aq fantastike ?… Nuk kanë kaluar as njëzetë e katër orë nga ndarja jonë e, unë ndjej që dashuria më mposht e, në të njejtën kohë, më jep krahë, më ngre lart, aq lart sa që unë pyes vehten, e them : Vërtet, a kam dashuruar ndonjëherë tjetër më parë ?… ” .

Photo by Debby Hudson on Unsplash
Photo by Debby Hudson on Unsplash

Johann Wolfgang von Goethe për  Charlotte von Steinin

Ajo u bë frymëzimi për shumë heroina të veprave të tij, si dhe bashkëshortja e tij, 1784

“Letrat e mia duhet të kenë treguar se sa i dashuruar jam. Nuk drekoj, takoj pak njerëz dhe për shëtitje dal vetëm dhe çdo vend i bukur që shoh ma shton dëshirën që ti të ishe aty. Nuk mund të mos të të dashuroj më shumë se sa duhet. Do të ndjej gjithë lumturinë kur të të shoh sërish. Jam gjithmonë i ndërgjegjshëm për afërsinë ndaj teje, prezenca jote nuk largohet asnjëherë. Në ty, unë kam masën e çdo gruaje, për çdo njeri. Në dashurinë tënde, kam masën e gjithçkaje. Jo në kuptimin që pjesa tjetër e botës është një libër i madh e i mugët, përkundrazi, dashuria jote ma qartëson. Kuptoj qartë se si janë burrat dhe çfarë planifikojnë, dëshirojnë, bëjnë dhe çfarë i kënaq ata. S’i kam zili për çfarë kanë dhe duke i krahasuar me veten, është një gëzim i fshehtë për mua që kam një thesar aq të madh. Ti, në shtëpinë tënde, duhet të ndjehesh ashtu siç ndihem unë në punët e mia. Ne shpesh nuk i vëmë re disa sende, sepse nuk zgjedhim t’i shikojmë ato. Por gjërat marrin kuptim, sa më shpejt të kuptojmë qartë mënyrën se si janë të lidhura me njëra-tjetrën. Ne na pëlqen gjithmonë t’i bashkohemi një grupi, dhe një burrë i mirë ka kënaqësi kur rregullon, përshtat të drejtën dhe drejtimin e tij të paqtë. Mirupafshim, ty të cilën të dashuroj me mijëra herë.”

Foto nga Jerek Puczel / Berlin Artparasites
Foto nga Jerek Puczel / Berlin Artparasites

James Joyce për Norën, që disa muaj më vonë u bë gruaja e tij

“E dashura ime Nora. Thjesht, më ka goditur. Erdha në 11 e gjysmë. Që atëherë jam i ulur në një karrige të thjeshtë si i budallepsur. S’mund të bëj asgjë. Nuk dëgjoj asgjë tjetër, përveç zërit tënd. Jam si një budalla duke të dëgjuar ty që më thua “i dashur”. Ofendova dy burra sot, duke i lënë në të ftohtë. Doja të dëgjoja zërin tënd, jo të tyrin. Kur jam me ty e lë mënjanë natyrën time përçmuese dhe dyshuese. Do të doja të ndjeja kokën tënde në shpatullat e mia. Besoj tani do shkoj në krevat. Kam gjysmë ore duke shkruar këtë letër. Do të më shkruash diçka? Shpresoj që po. Si do ta nënshkruaj emrin tim? Nuk do ta nënshkruaj fare, sepse nuk di çfarë të nënshkruaj.”