Hyri në fuqi pauza humanitare 4-ditore në Rripin e Gazës

Ka filluar pauza humanitare e arritur në një marrëveshje mes Hamasit dhe Izraelit, e cila për 4 ditë do të mundësojë ndalimin e sulmeve drejt Gazës, shkëmbimin e të burgosurve dhe hyrjen e ndihmës humanitare, raporton Anadolu.

Pas fillimit të pauzës humanitare u pakësuan zërat e përleshjeve të armatosura, shpërthimeve të fuqishme nga brigjet e qytetit izraelit Sderot, qyteti më i afërt me Rripin e Gazës. Vazhdoi mobilizimi i automjeteve të blinduara dhe tankeve të ushtrisë Izraelite të vendosura jashtë Rripit të Gazës. Gazetarët e Anadolu-s në rajon njoftuan se nuk është dëgjuar ndonjë përleshje e armatosur.

Sipas planit të marrëveshjes së publikuar nga Ministria e Punëve të Jashtme e Katarit, pas ndalimit të përleshjeve mes Izraelit dhe Hamasit në Rripin e Gazës më kohën lokale në orën 07:00 (05:00 GMT), planifikohet transferimi i ndihmave humanitare nga kalimi kufitar Rafah në Rripin e Gazës.

Ndërkaq, sipas deklaratave të Kombeve të Bashkuara (OKB), 1.7 milion njerëz janë zhvendosur në Rripin e Gazës, ku Izraeli ka ngushtuar bllokadën dhe ka sulmuar vazhdimisht. Ende nuk është shpallur asnjë plan për të dërguar ndihma për dhjetëra mijëra palestinezë që thuhet se jetojnë në veri dhe veriperëndim të Rripit të Gazës, ku katastrofa humanitare dhe shkatërrimi është i rëndë.

Lirimi i të burgosurve

Sipas marrëveshjes së arritur mes palëve, 13 gra dhe fëmijë izraelitë nga të njëjtat familje, të cilët do të lirohen në mesin e të burgosurve izraelitë në Rripin e Gazës së bllokuar ditën e parë, do të lëvizin drejt kalimit kufitar Rafah në orën 16:00 (14:00 GMT) me kohën lokale.

Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq do të sigurojë logjistikën e të burgosurve.

Komiteti njoftoi se “ata nuk janë palë në negociata, por mund të luajnë një rol në zbatimin e marrëveshjeve humanitare të dakorduara nga palët si një ndërmjetës neutral”. Ajo bëri të ditur se nuk vendos për rutën, numrin e njerëzve apo detaje të tjera, por ka marrë përsipër fazën e zbatimit.

Sipas informacionit të transmetuar nga radioja e ushtrisë izraelite, zyrtarët izraelitë që do të presin në Egjipt, do t’i marrin në dorëzim të burgosurit dhe do t’i transferojnë në Izrael,dhe se në spitalin e caktuar këtu do të kryhen kontrolle identiteti, shëndetësore dhe të tjera. U njoftua gjithashtu se të burgosurit izraelitë të liruar do të mbahen nën mbikëqyrje në spital.

Zyra për media e qeverisë izraelite njoftoi se do të raportojë menjëherë zhvillimet në lidhje me largimin e të burgosurve izraelitë nga Rripi i Gazës, nëpërmjet qendrës që kanë krijuar.

– Ende nuk është bërë e ditur lista e të burgosurve palestinezë që do të lirohen

Të burgosurit palestinezë, gra dhe fëmijë, të cilët do të lirohen pas përfundimit të kontrolleve të të burgosurve izraelitë, do të mblidhen në burgun ushtarak Ofer në Bregun Perëndimor të pushtuar.

Të burgosurit palestinezë që do të lirohen ditën e parë, numri dhe identiteti i të cilëve ende nuk është bërë i ditur, do të sillen në postbllokun e Beytunya afër burgut Ofer dhe do t’u dorëzohen autoriteteve palestineze atje.

Ndërsa, të burgosurit palestinezë që jetojnë në Kudsin Lindor të pushtuar nga Izraeli do të dërgohen gjithashtu në shtëpitë e tyre.

Ministri i Sigurisë Kombëtare në Izrael, ekstremisti Itamar Ben-Gvir, tha se ai kishte dhënë të gjitha udhëzimet për të marrë masa paraprake kundër lirimit të të burgosurve palestinezë të shndërrohen në një shfaqje.

Izraeli ka nisur sulme të pamëshirshme ajrore dhe tokësore në Rripin e Gazës pas sulmit të Hamasit, duke vrarë më shumë se 14.854 palestinezë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë, sipas autoriteteve të enklavës.

Pala palestineze njoftoi se të afërmit e të burgorsuve që do të lirohen nuk do të festojnë lirimin e tyre, për shkak të numrit të madh të vdekjeve.

Sipas marrëveshjes së arritur gjatë 4 ditëve për 50 izraelitë të burgosur të liruar 150 palestinezë pritet t’u ribashkohen familjeve të tyre.