Hyri në fuqi ligji i ri për importin e fuqisë punëtore në Gjermani, çfarë sjell ai?

Gjermania ka nevojë urgjente për një fuqi punëtore të kualifikuar. Politikanët, kompanitë dhe ekspertët pajtohen se zbrazëtirat në tregun e punës duhet të plotësohen me ndihmën e punëtorëve të huaj. Nga sot, gradualisht hyn në fuqi Ligji i ri për emigracionin e kualifikuar, raporton agjencia gjermane e lajmeve DPA, transmeton Portalb.mk.

Bëhet fjalë për një “ligj  modern migracioni dhe teknologjisë së fundit me të cilin jemi në udhëheqje të konkurrencës globale”, tha Rem Alabali-Radovan, komisioneri federal për migracionin, refugjatët dhe integrimin.

Hyrja e ligjit në fuqi u vonua dhe reformat u neglizhuan për një kohë të gjatë, tha Alabali-Radovan për DPA, duke shtuar se ligji i ri hyri në fuqi në “5 në 12”.

Gjermania në fakt që nga marsi 2020, kishte tashmë një ligj të imigracionit të kualifikuar, me të cilin qeveria e atëhershme e Angela Merkel dëshironte të lehtësonte qasjen e punëtorëve të kualifikuar nga vendet jashtë BE-së në tregun gjerman të punës. Tani ky ligj është reformuar, sepse në shumë vende ka ende mungesë të personelit, veçanërisht punëtorëve të kualifikuar.

Ligji në versionin e tij të mëparshëm nuk i arriti rezultatet e pritura për shkak të pandemisë, tha Pau Palop-Garcia nga Qendra Gjermane për Hulumtimin e Integrimit dhe Migracionit. Përveç kësaj, ai tha se problem shtesë janë edhe pengesat e larta burokratike për të huajt që duan të punojnë në Gjermani.

Risi në ligjin e ri është futja e të ashtuquajturës “Karta e Shansit” që është e bazuar në sistemin e pikëve. Kriteret për përzgjedhjen e emigrantëve që duan të punojnë dhe do të zgjedhin këtë opsion janë njohja e gjuhës, përvoja e punës, mosha dhe lidhja me Gjermaninë.

Në të ardhmen, profesionistët e huaj do të duhet të përfitojnë të paktën 43,800 euro bruto në vit, dhe deri më tani ka qenë 58,400 euro.

Benefiti i ligjit të ri për punëtorët me kualifikim të lartë jashtë vendeve të BE-së është se në të ardhmen ata do të mund të sjellin me vete në Gjermani jo vetëm bashkëshortin dhe fëmijët, por edhe prindërit dhe vjehrrit. Megjithatë, parakusht për këtë është që ata të kenë mjete jetese, pasi nuk do të mund të jetojnë me ndihmë sociale në Gjermani.

Kompanitë gjermane aktualisht nuk janë në gjendje të plotësojnë rreth 1.73 milionë vende pune dhe ato janë të hapura për punëtorët. Gjithashtu, mesatarisht, kompanive u duhen 153 ditë për të plotësuar një vend pune të lirë. Kjo është një vështirësi për shumë sektorë, pasi ata nuk mund të gjejnë punëtorë të kualifikuar pavarësisht rritjes së papunësisë dhe mungesës së stafit.

Sektori i infermierisë në Gjermani dhe artizanët janë në kërkim të punëtorëve.

Sipas Germany-Visa.org, në varësi të qëllimit tuaj dhe kohëzgjatjes së qëndrimit tuaj të planifikuar në Gjermani, ekzistojnë lloje të ndryshme të lejes së qëndrimit në këtë shtet.