52 persona janë lënduar nga përplasja e një treni pasagjerësh me mallra në Serbi
Në një përplasje të trenit të pasagjerëve dhe mallrave në pjesën veriore të Serbisë, 52 persona janë lënduar, njofton Radio-Televizioni i Serbisë, transmeton Portalb.mk.
Aksidenti i trenit ka ndodhur mbrëmjen e djeshme, kur treni i pasagjerëve është përplasur me një tren mallrash në një hekurushë të hapur ndërmjet Oxhacit dhe Ratkovës. Ndër të plagosurve, tre persona janë në spital, ndërsa më i lënduari është drejtuesi i trenit të pasagjerëve.
Komisioni hekurudhor për hetimin e ngjarjeve të jashtëzakonshme do të punojë për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit, por informacionet fillestare janë se shkaku i përplasjes së dy trenave është gabimi njerëzor. Të dy trenat lëviznin nga Novi Sadi në Bogoevo.
Radiotelevizioni i Serbisë raportoi se në këtë pjesë të hekurudhës trenat e udhëtarëve lëvizin me shpejtësi rreth 100 kilometra në orë. Drejtuesi i trenit të pasagjerëve e ka vërejtur në kohë trenin e mallrave në shina përballë tij dhe menjëherë ka filluar të frenojë. Nëse do të ishte me shpejtësi të plotë, aksidenti i trenit do të kishte shumë më tepër viktima.