Hulumtim: Mbi 70 përqind e të rinjve në IA shohin mundësi, të tjerët shohin kërcënim

Mjetet e inteligjencës artificiale si ChatGPT nxjerrin shpejt në sipërfaqe tekste që përndryshe janë të vështira për t’u kërkuar në ueb dhe mund të zgjidhin detyra komplekse. Kjo i hap derën mashtrimit, ndaj politika arsimore po shqyrton me kujdes përdorimin e inteligjencës artificiale në shkolla. Të rinjtë, nga ana tjetër, e shohin inteligjencën artificiale më shumë si një mundësi sesa një kërcënim, shkruan agjencia gjermane e lajmeve DPA.

Sipas kërkimeve të bëra për Fondacionin Vodafone, adoleshentët dhe të rinjtë përgjithësisht kanë një qëndrim pozitiv ndaj përdorimit të teknologjisë së inteligjencës artificiale në arsim, por përballen edhe me probleme.

Kur u pyetën nëse ata e shohin AI në shkolla më shumë si një mundësi apo kërcënim, 73 përqind rrethuan “mundësi” dhe 27 përqind rrethuan “kërcënim”.

Dy të tretat e të anketuarve presin që inteligjenca artificiale do të ndryshojë mësimdhënien më së voni brenda pesë viteve të ardhshme, dhe akoma më shumë – 69 përqind, se zotërimi i inteligjencës artificiale do të jetë i rëndësishëm për karrierën e tyre.

Megjithatë, të shumtët besojnë se AI në shkolla aktualisht nuk është e rregulluar mjaftueshëm. Gjegjësisht, vetëm 17 përqind kanë deklaruar se inteligjenca artificiale lejohet në shkollën e tyre dhe se ka rregulla për përdorimin e saj.

Rreth 38 përqind thanë se qasja e tyre në inteligjencën artificiale në shkollë varet nga mësuesit individualë, që do të thotë se ata nuk kanë fare qasje në AI në shkolla.

Debati rreth teknologjisë u ndez nga shfaqja e ChatGPT në nëntor 2022. Që atëherë, është hapur gjithashtu pyetja se si inteligjenca artificiale mund të ndikojë në të mësuarit.

Shumë kanë frikë se aftësia e aplikacionit për të shkruar shpejt leksione, punime ose për të interpretuar tekste do të inkurajojë zakone negative te studentët dhe do të pengojë zhvillimin e tyre të arsyetimit.

Hulumtimi tregon se pavarësisht qëndrimit përgjithësisht pozitiv, të rinjtë janë gjithashtu të vetëdijshëm për rreziqet – 57 përqind e tyre janë të shqetësuar se puna e tyre do të jetë e padallueshme nga ajo e bërë nga inteligjenca artificiale.

Rreth gjysma, 49 përqind, e shohin rrezikun që vetë mësimi të humbasë diku me përdorimin e inteligjencës artificiale. Një në tre të anketuar thonë se janë të shqetësuar se “mashtrimi” do të bëhet gjithnjë e më i vështirë për t’u zbuluar.

Për më tepër, 64 përqind e të anketuarve në një anketë përfaqësuese deklaruan se është e rëndësishme të dihet se nuk duhet besuar pa rezerva në rezultatet e inteligjencës artificiale, dhe gjysma thanë se është e nevojshme të mbahet një qasje kritike.

Baza për këto rezervime është përvoja me ChatGPT – mjeti mund të shkruajë tekst koherent, elegant, por gjithsesi të lërë të dhëna të pasakta në të.

“Mjetet e inteligjencës artificiale janë një mbështetje e madhe për strukturimin e temave komplekse, por ato nuk mund të zëvendësojnë diskutimin njerëzor apo ndërveprimin social-emocional në procesin e të mësuarit”, thotë eksperti i inteligjencës artificiale dhe profesori i inxhinierisë në Universitetin e Bielefeldit, Thomas Suse.

“Përballja konstruktive, kritike mundëson një përdorim të balancuar dhe efektiv të inteligjencës artificiale në sektorin arsimor”, shton profesori.

Ai këshillon mësuesit që të mos e shohin teknologjinë si një kurë, por si një mjet të ri e cila mund ta mbështesë dhe pasurojë procesin mësimor.