Inteligjenca artificiale nuk mund t’i zëvendësojë gazetarët, por mund ta mashtrojë publikun

Inteligjenca artificiale (AI) dhe mjetet që mundësojnë krijimin e përmbajtjeve tekstuale, audio dhe video me ndihmën e saj me disa klikime ngadalë por sigurisht po e ndryshojnë raportin tonë me të vërtetën. Dhe e vërteta ka një rëndësi të veçantë në sferën e gazetarisë dhe fotoraportimit. E ardhmja e ndikimit të inteligjencës artificiale në botën e gazetarisë, për të mirë dhe për të keq, ishte tema e diskutimit në webinarin e sotëm me këtë temë në të cilin morën pjesë gazetari Bojan Shashevski, fotoreporteri Zvonko Pllavevski dhe avokati Valentin Pepeljugoski, raporton Meta, përcjell Portalb.mk.

Webinari i titulluar “Inteligjenca artificiale në media – pro dhe kundër” dhe i udhëhequr nga gazetarja Meri Jordanovska, filloi me një prezantim të Shashevskit. Ai tha se mendon se Inteligjenca artificiale mund të jetë e dobishme në krijimin e disa fotografive “stock” – për shembull, nëse duhet të publikohet ndonjë njoftim për një punëtori, atëherë mund të gjenerohet një foto me tavolina dhe pjesëmarrës, sipas dëshirës së gazetarit.

Gjithashtu, ai theksoi se në redaksinë e tij kanë përdorur ChatGPT për konsultim dhe frymëzim për ide për aktivitetet e një punëtorie.

“Por, Inteligjenca artificiale nuk mund t’i zëvendësojë gazetarët që shkojnë në terren për t’i pyetur njerëzit dhe për të marrë deklarata, që bëjnë anketa dhe që përgatisin raporte”, theksoi Shashevski.

Fotoreporteri Pllavevski shprehu shqetësimin e tij lidhur me atë se se si përmbajtjet e rreme të krijuara nga Inteligjenca artificiale do të ndikojnë në besimin tashmë të luhatur tek mediat. Pllavevski theksoi shembullin e fotografisë që fitoi çmim, e e cila në fakt është krijuar me Inteligjencë artificiale.

Megjithatë, Pllavevski tha se ai mendon se edhe pse Inteligjenca artificiale është e dobishme për gjenerimin e fotografive “stock”, ajo nuk mund ta zëvendësojë fotoreporterin që do të filmojë një ngjarje aktuale në vendin e ngjarjes.

Pllavevski përshëndeti faktin që kompani të caktuara, si Meta, pronari i Facebook-ut dhe Instagram-i, kanë njoftuar se do të zbatojnë politikën e vendosjes së vulës në fotot e krijuara me Inteligjencë artificiale, e cila do të shënonte saktësisht se me cilin softuer është krijuar një fotografi e caktuar. Por Pllavevski pyet se sa kjo masë do të jetë efikase në praktikë.

“Kishte foto të Trump duke e arrestuar. Autori që i krijoi dhe i shpërndau vetë tha se ato janë krijuar nga Inteligjenca artificiale, por ato përsësi u morën si të mirëqena kur u shpërndanë në internet”, thotë Pllavevski.

Pllavevski mendon se fotografitë e krijuara me Inteligjencë artificiale do të përdoren për propagandë, për ta larguar vëmendjen dhe për t’i mashtruar njerëzit dhe se do pritet për të parë se si do të përdoren ato në zgjedhjet e ardhshme presidenciale amerikane.

Avokati Valentin Pepeljugoski e përfshiu aspektin juridik si dhe rregulloret e nevojshme si reagim ndaj pranisë masive të teknologjisë së Inteligjencës artificiale në media, por edhe më gjerë.

Ai përshëndeti faktin se në Bashkimin Evropian tashmë janë implementuar rregulloret për shënimin e përmbajtjeve të krijuara me Inteligjencë artificiale. Mirëpo, Pepeljugoski theksoi se parë nga një këndvështrim më i gjerë mungojnë rregulloret në media dhe në lidhje me krimin kibernetik.

“Nuk diskutohet që përmbajtja e krijuar me Inteligjencë artificiale është mashtruese, ajo që është e diskutueshme është se kush i ka shpikur deklaratat. Në vendin tonë ka qarkulluar një video e një mjeku i cili promovonte një ilaç, por që në fakt deklaratat nuk kanë qenë të tijat. Agjencitë duhet të pajisen për ta luftuar krimin kibernetik”, tha Pepeljugoski.

Ai komentoi se edhe në mediat, të cilat shpesh i shpërndajnë këto përmbajtje, nuk ka rregullim të mjaftueshëm. Shumica e mediave nuk kanë as impresum, kështu që një person nuk do të dinte as se kë të padisë për shpifje.

Avokati Pepeljugoski theksoi se për të tretin vit radhazi në Maqedoni nuk është miratuar ligji për pronën intelektuale, për të cilin thuhet se është përgatitur. Ai do të mundësonte harmonizim me Direktivën Digjitale Evropiane, e cila do të lejonte grumbullimin e parave për autorët përkatës gjatë publikimit të veprave të tyre në internet.

“Sipas mendimit tim ky ligj ende nuk është proceduar jo për shkak të mungesës së shpejtësisë, por për shkak se ka disa grupe lobimi që mendojnë se mediat nuk duhet të ngarkohen me shpenzime shtesë”, tha Pepeljugoski.

Si problem tjetër për gjyqësorin në lidhje me të drejtat intelektuale ai e theksoi faktin se në Maqedoni çdo gjykatë lokale ka juridiksion për tema të tilla, edhe pse jo të gjithë e njohin mjaftueshëm këtë temë. Në BE, për shembull, për këto tema ekziston një gjykatë në nivel Evropian, pikërisht sepse janë kaq specifike.

Përveç kësaj webinari si temë përfshiu edhe efikasitetin e verifikimit të fakteve, sidomos në aspektin se si lidhet me verifikimin e përmbajtjeve të rreme të krijuara nga Inteligjenca artificiale.

“Këtu vijmë te një pyetje nga aspekti sociologjik dhe kulturor. Nga pikëpamja juridike është shumë e lehtë të verifikohen faktet. Pyetja është nëse dikush do ta pranojë apo nuk do ta pranojë këtë. Jam i sigurt se nuk do mund të bindësh 70 përqind të simpatizantëve të një partie. Nëse dikush thotë se dikush ka 100.000 euro në llogari, edhe nëse dëshmon se nuk është ashtu, ai do të thotë jo, jo, bëhet fjalë për një llogari tjetër”, thotë Pepeljugoski.

Fatkeqësisht Pepeljugoski thekson se këtë problem të mos pranimit të së vërtetës e vë re edhe te intelektualët si profesorët universitarë.

Ky event u organizua nga Shoqata për Avancimin e Praktikave Mediatike “Mediat Inovative”, me mbështetje të projektit rajonal SMART BALKAN – Shoqëria Civile për Ballkan Perëndimor të Lidhur, i implementuar nga Qendra për Promovimin e Shoqërisë Civile (CPCD), Qendra për Hulumtim dhe Krijim të Politikave (CIKP) dhe Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM) me mbështetje financiare nga Ministria e Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Norvegjisë.