KSHZ: Punojmë vazhdimisht për mbrojtjen e të dhënave personale të votuesve, por edhe për mbrojtjen nga sulmet e hakerëve

Po punohet në vazhdimësi për mbrojtjen e të dhënave të votuesve dhe mbrojtjen nga sulmet e hakerëve, njoftoi sot Komisioni Shtetëror Zgjedhor (KSHZ) në përgjigje të pyetjeve të gazetarëve nga Agjencia e Lajmeve të Maqedonisë (MIA) nëse në prag të zgjedhjeve të ardhshme presidenciale dhe parlamentare, a po punohet për mbrojtjen e të dhënave personale të votuesve, duke pasur parasysh se në periudhën e kaluar ka pasur sulme hakerësh në institucione të caktuara shtetërore, transmeton Portalb.mk.

“KSHZ-ja është duke punuar në vazhdimësi në mbrojtjen e të dhënave të votuesve dhe mbrojtjen nga sulmet e hakerëve. Për këtë qëllim u miratua një strategji TIK me plan veprimi dhe u krijua një organ koordinues ndërinstitucional për TIK-un dhe përballjen me sfidat e sigurisë, i cili është në koordinim të vazhdueshëm për të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me sigurinë e të dhënave dhe mbrojtjen nga sulmet e hakerëve”, thonë nga KShZ.

Ndryshe, javën e kaluar Operatori Maqedonas i Transmetimit të Energjisë Elektrike (MEPSO) SHA Shkup njoftoi se po përballet me një sulm kibernetik. Nga aty thanë se nuk rrezikohet integriteti i plotë i rrjetit elektroenergjetik dhe furnizimi me energji elektrike.

Nga atje, treguan se infrastruktura kritike e energjisë elektrike nuk ishte objektivi i sulmit.

Ministri i Transportit dhe Lidhjeve Blagoj Boçvarski pak ditë pas sulmit kibernetik në MEPSO tha se është informuar për gjendjen në kompani, nga ku i është thënë se është e mbrojtur infrastruktura kritike.

“Gjëja më e rëndësishme është që të mbrohet infrastruktura kritike dhe që MEPSO të kryejë obligimet e veta në fushën e bartjes së energjisë elektrike rregullisht dhe pa probleme, gjë që është shumë e rëndësishme për qytetarët dhe kompanitë”, tha Boçvarski.

Disa ditë më vonë, MEPSO tha se uebfaqja e tyre ishte rikthyer dhe funksiononte.

Vitin e kaluar u hakerua uebfaqja e Fondit të Sigurimeve Shëndetësore (FSSh), me çka qytetarët nuk mund të shfrytëzonin shërbimet e Fondit për ditë të tëra dhe punëtorët shëndetësorë nuk i merrnin pagat në kohë.

Kryeministri i atëhershëm Dimitar Kovaçevski tha se faqja e hakuar e Fondit ishte pjesë e luftës hibride që po zhvillohej në Evropë. Ai theksoi se ekspertë nga Gjermania, por edhe nga vendet e tjera partnere, po punojnë për rregullimin e problemit në FSSh-në tonë.

Kujtojmë se raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale do të mbahet më 24 prill, ndërsa raundi i dytë më 8 maj, së bashku me zgjedhjet parlamentare. Fushata për zgjedhjet presidenciale do të fillojë më 4 prill dhe zgjat deri më 22 prill, kur edhe fillon heshtja që zgjat deri më 24 prill. Fushata për zgjedhjet parlamentare do të fillojë më 18 prill dhe do të zgjasë deri më 6 maj.

Deri më 11 mars, rreth katër mijë qytetarë kanë kontrolluar listën zgjedhore për zgjedhjet e ardhshme. Gjashtë prej tyre, siç ka bërë të ditur Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve, kanë kërkuar ndryshimin e të dhënave, nëntë kanë kërkuar që të dhënat e tyre të regjistrohen në Listën Zgjedhore dhe pesë kanë kërkuar që të fshihen të dhënat e tyre.