Historia e gjatë e narrativave kundër BE-së të Viktor Orbanit
Në fund të tetorit, kryeministri i Hungarisë Viktor Orban mbaji disa fjalime ku i mëshoi retorikave të forta kundër Bashkimit Evropian, përmes një sërë deklaratash të rreme. Qëndrimet e Orbanit janë pjesë e një propaganda disavjeçare për të ulur besimin ndaj BE-së dhe Perëndimit. Pretendimet e rreme të Orbanit mbi ndërhyrjen e paqënë të BE-së në zgjedhjet vendore të Polonisë dhe Hungarisë, u shpërndanë nga mediat shqiptare pa verifikim të mëtejshëm. Por ato janë tërësisht të sajuara, shkruan Faktoje.al.
Më datën 23 tetor, Orbani mbajti një fjalim për të përkujtuar revolucionin e vitit 1956, kur trupat e Bashkimit Sovjetik mposhtën përpjekjet e popullit të Budapestit për ti shpëtuar diktaturës sovjetike. Ndërsa nderoi heronjtë e popullit, ai gjithashtu foli për luftën në Ukrainë, duke shprehur frikën se konflikti do të shpërndahet. Më specifikisht, ai akuzoi Perëndimin, dhe jo Rusinë, si fajtoren për luftën e zgjatur në Ukrainë: “Udhëheqësit evropianë e kanë çuar Perëndimin në një luftë të pashpresë. Thelbi i ‘planit të fitores’ që po prezantohet është përhapja e luftës, ftesa e Ukrainës në NATO dhe zhvendosja e luftës në tokën ruse,” tha Orbani.
Narrativa e Orbanit për luftën në Ukrainë i përket propagandës ruse sipas të cilës NATO dhe Perëndimi janë fajtore për veprimet e ndërmarra nga Rusia. Sipas kësaj narrative, vendimi i Moskës, për të sulmuar Ukrainën është bërë për vetëmbrojtje pasi NATO, kishte shprehur gatishmërinë për të pranuar në të ardhmen kërkesën e Ukrainës për anëtarësim, gjë që do të dobësonte kufinjtë e Rusisë dhe në një të ardhme do ta sulmonte këtë të fundit. Siç e ka shkruar dhe Zofia Stemplowska, profesoreshë e teorisë politike në Departamentin e Politikës dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin e Oksfordit, ky pretekst i Rusisë tregon jo realitetin po dëshirën e Rusisë për dominancë në europën lindore, ndikim i cili ka ardhur në ulje të vazhdueshme, me rënien e Bashkimit Sovjetik, dhe zgjerimin si të NATO-s dhe të BE-së.
Orbani vazhdon të jetë një nga mbështetësit më të fortë të Putin brenda Bashkimit Evropian, gjë për të cilën ai është kritikuar dhe nga liderët e BE-së. Për më tepër, Orbani ka përplasje direkte me figura si Ursula von der Leyen dhe Komisionin e BE-së. Në shkurt të këtij viti ato e kanë hedhur gjyq qeverinë hungareze, për një ligj antidemokratik i cili i lejon asaj të marrë informacione private të çdo qytetari që akuzohet për aktivizëm politik, pa ndërmjetësimin e një gjyqtari. Si pasojë edhe e këtyre tensioneve, Orbani tha përgjatë fjalimit të tij se “një Hungari e pavarur është e papranueshme për Brukselin, dhe kjo është arsyeja pse duan të instalojnë qeveri kukull.”
Orbani nuk ka dhënë as një provë për këtë pretendim. Por pas 14 vitesh në pushtet, qeveria e tij po kërcënohet nga popullariteti i opozitës. Hungaria pritet te ketë zgjedhje të reja parlamentare në 2026-tën. Duke shigjetuar BE-në, Orbani kërkon të deligjitimoj opozitën dhe rezultatet e mundshme të zgjedhjeve të ardhshme.
Kryeministri hungarez, ka ngritur po ashtu pretendime se qeveria e homologut të tij Donald Tusk në Poloni, u vendos në pushtet nga BE-ja si pjesë e një komploti për të hequr lidershipin e djathtë të vendit. Duke folur për një emision radiofonik në Hungari, Orbani tha se qeveria hungareze është në rrezik prej ndërhyrjes së BE-së, pasi e njejta gjë ka ndodhur në Poloni: “Ky nuk është as konspiracion sekret kundër Hungarisë, por është një plan i paraqitur hapur…E njëjta gjë ndodhi në Poloni. Polakët po ashtu ndërmorën një politikë të pavarur sa i përket migracionit, gjinisë dhe ekonomisë.”
Partia Ligj dhe Drejtësi, e cila mbajti pushtetin në Poloni nga vitia 2015 në 2023, ka qënë një aleate mjaft e afërt e Orbanit. Që kur Partia erdhi në pushtet në vitin 2015, ajo është përpjekur të ngulitë pikëpamjen e saj nacionaliste, ultra-konservatore mbi vendin, duke kërcënuar organizatat e pavarura me heqjen e financimit dhe krijimin e strukturave paralele te mbushur me njerëz besnik ndaj partisë.
Në zgjedhjet e 2023, ku morën pjesë 74 përqind e popullsisë polake, nuk pati fitues të menjëhershëm. Por Donald Tusk, i cili ka shërbyer edhe si Presidenti i Këshillit Europian (2014-2019) dhe ka një perspektivë shumë të fortë pro-BE-së, arriti të krijojë një koalicion të fortë mes partive të tjera dhe që prej tetorit të vitit të shkuar është zgjedhur Kryeministër i Polonisë. Si kreu i qeverisë së Polonisë, Tusk është përballur me shumë sfida që përfshijnë rivendosjen e standardeve demokratike dhe punën për çlirimin e fondeve të BE-së që u ngrinë për shkak të lëvizjeve anti-demokratike nga paraardhësit e tij.
Nuk ka pasur asnjë provë se në zgjedhjet e vitit 2023 në Poloni, pati ndërhyrje nga ana e Bashkimit Evropian, duke marrë parasysh po ashtu që Tusk fitoi 134 nga 231 vendet që i duheshin për të krijuar qeverinë, por i siguroi numrat e nevojshëm, përmes një koalicioni me partitë të tjera – një lëvizje mëse normale në një qeveri parlamentare. Por është e qartë që politikat pro BE-së, të Tusk shkojnë ndesh me ambicjet kundra Perëndimit dhe pro-Rusisë të Orbanit, i cili kërkon aleatë brenda Bashkimit. Ndërkohë, Tusk ka përsëritur disa herë se Polonia do vazhdojë të jetë një nga aleatet më të forta të Ukrainës.