Hënën nuk mund ta vjedhësh

Sipas një tregimi të vjetër Zen, një mjeshtër i madh jetonte një jetë të veçuar në një tendë në mes të malit. Një natë, deri sa mjeshtri nuk ishte aty, një vjedhës deshi të plaçkiste tendën e tij, por e pa se aty nuk kishte asgjë për të vjedhur. Në ndërkohë, mjeshtri u kthye dhe e rastisi vjedhësin brenda tendës së tij. Ai e kuptoi menjëherë si është puna dhe i tha vjedhësit: “I dashur mik, ti ke ardhur që shumë larg për të më vizituar mua. Nuk është në rregull të kthehesh duarthatë. Ja, urdhëro merri teshat e mia të cilat po t’i jap si dhuratë.” Vjedhësi i habitur pa masë, i mori teshat dhe iku nga kishte ardhur. Mjeshtri u ul pranë tendës së tij lakuriq dhe e soditi hënën duke menduar: “I shkreti njeri, do kisha dashur t’ia dhuroj këtë hënë të bukur.”

Ky tregim me vetëm disa fjalë na përshkruan realitetin që e jetojmë çdo ditë. Disave nuk u mjafton asgjë, edhe pse jetojnë në bollëk. Ata duan më shumë e më shumë çdo ditë, dhe mundësisht sa më shumë nga ajo që nuk është e tyre e që nuk e kanë. Atyre nuk u mjafton as bukura e hënës e as ngrohtësia e diellit. Ndërsa disa të tjerëve u mjafton gjithçka, edhe pse nuk kanë gati asgjë. Në proporcion të drejtë me këtë, ata të cilëve nuk u mjafton asgjë, janë ata që marrin më së shumti, ndërsa ata të cilëve nuk u mungon asgjë, janë ata që japin më së shumti. Zakonisht, janë njerëzit që kanë më së paku ata që japin më së shumti. Kjo për shkak se siç thotë një fjalë e urtë: në këtë jetë ka marrës dhe dhënës, marrësit mund të hanë më mirë, por dhënësit flenë më mirë.

Të lumtur janë ata që kanë kuptuar se të pasurit shumë gjëra nuk na bën të lumtur. Përkundrazi, na krijon ankth dhe shqetësim. Të lumtur janë ata që e kuptojnë kur dikush dëshiron t’ua hedhë dhe krenohet se ua ka hedhur, madje duke i quajtur edhe budallenj të pakujdesshëm. Të lumtur janë ata që arrijnë të shohin në thellësi të shpirtit të keqbërësit dhe të ndjejnë keqardhje dhe jo mllef. Të lumtur janë ata që e kuptojnë përkohshmërinë e kësaj bote.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.