Hapi dyert Galeria e Artit në Lezhë, u restaurua fondi prej 86 veprash artistike

Pas restaurimit të plotë, Galeria e Artit në Lezhë ka hapur dyert për artistët dhe vizitorët. I gjithë ambienti, i cili ndodhet në katin e parë të Pallatit të Kulturës “Ded Ndue Lazri” është rinovuar, transmeton Portalb.mk.

Krahas vendosjes së kornizave të reja dhe ndriçimit modern, janë restauruar të gjitha veprat dhe skulpturat të cilat kishin pësuar dëmtime, duke e kthyer Galerinë në një qendër të vërtetë të kulturës dhe krijimtarisë.

“Kemi eliminuar edhe kurbaturat e pikturave të realizuara në fibër, të krijuara për arsye lagështie, kohe, amortizimi”, është shprehur për mediat Elona Kamshi, përgjegjëse e Pallatit të Kulturës.

Ky ambient i transformuar tërësisht do të jetë në dispozicion të të gjithë artistëve të artit pamor.

“Uroj që piktorët të na qasen, të vijnë, sepse këtu do të kenë dyert e hapura, por edhe një ambient komplet komod e bashkëkohor, që do u vihet në dispozicion”, ka shtuar Kamshi.

Pamje nga Galeria e Artit në Lezhë. Foto: Bashkia Lezhë
Pamje nga Galeria e Artit në Lezhë. Foto: Bashkia Lezhë

Galeria e Artit në Lezhë ka fond prej 86 pikturash dhe skulpturash, ku me një hapësirë të rinovuar, vepra të përkujdesura dhe një përkushtim ndaj pasurimit të trashëgimisë artistike, është kthyer në një destinacion ideal për të gjithë ata që duan të zbulojnë dhe të përjetojnë bukurinë e artit.

Nga Galeria bëjnë të ditur se hapat e radhës do jenë mirëmbajtja kostante dhe restaurimi i metëjshem i veprave, sa më shumë larmi stilesh dhe teknikash pikturë që do sillen në ekspozita, si dhe pasurimi i fondit të Galërisë.

Pamje nga Galeria e Artit në Lezhë. Foto: Bashkia Lezhë
Pamje nga Galeria e Artit në Lezhë. Foto: Bashkia Lezhë