Mjeku largohet me një valixhe. Pas tij mbeten vitet që paguam ne, kolegët që do të punojnë më shumë dhe pacientët që do të presin më gjatë.
Ka humbje që bëjnë zhurmë. Mbyllet një fabrikë, humben miliona, bien tregjet dhe të nesërmen flasin të gjithë.
Dhe ka humbje që ndodhin në heshtje.
Një mjek mbyll derën e banesës në Tetovë. Një infermiere përqafon prindërit në Shkup. Një specialist vendos valixhen në bagazhin e autobusit dhe niset drejt Gjermanisë.
Nuk ka sirena. Nuk ka seancë të jashtëzakonshme. Nuk ka tituj alarmues.
Por atë natë vendi është bërë pak më i varfër.
Jo sepse ka humbur një banor. Ka humbur vite shkollimi, përvoje dhe pune. Ka humbur një njeri që nesër duhej të qëndronte pranë shtratit të një pacienti.
Shteti ka paguar fakultetin, klinikat ku ai është trajnuar, mentorët dhe një pjesë të specializimit. Familja ka investuar vite. Vetë ai ka dhënë një pjesë të rinisë.
Dhe pikërisht kur bëhet më i vlefshëm për sistemin, sistemi e humb.
Sipas European Observatory on Health Systems and Policies, vetëm në vitin 2019 nga Maqedonia e Veriut u larguan rreth 180 mjekë, pothuajse aq sa diplomuan atë vit.
Kjo është ndoshta shifra që duhet të na shqetësojë më shumë.
Sepse një vend që humb pothuajse aq mjekë sa arrin të krijojë nuk po ecën përpara. Po mbush një enë që rrjedh.
Megjithatë, faji nuk është i atij që ikën.
Mjeku nuk largohet sepse e do më pak vendin e vet. Largohet sepse kërkon diçka krejt të zakonshme: një pagë të denjë, një vend pune ku respektohet, pajisje me të cilat mund të punojë, një karrierë që nuk varet nga njohjet dhe një të ardhme që mund ta parashikojë.
Prandaj përgjigjja nuk mund të jetë: qëndro, sepse ne të kemi shkolluar.
Patriotizmi nuk është politikë kadrovike.
Michael Marmot na ka mësuar se pabarazia në shëndet nuk lind rastësisht. Ajo krijohet nga mënyra si një shoqëri shpërndan mundësitë, të ardhurat dhe shërbimet.
Edhe mungesa e mjekëve shpërndahet kështu.
Kur një specialist largohet nga një qytet i vogël, humbjen nuk e ndien ai që mund të paguajë një klinikë private. E ndien i moshuari që udhëton dy orë për një kontroll. Gruaja që pret një mamografi. Fëmija që ka nevojë për pediatër. Infermierja që mbetet të bëjë edhe punën e koleges që iku.
Martin McKee prej vitesh paralajmëron për këtë pabarazi të heshtur brenda Evropës. Kufijtë janë hapur dhe kjo është një arritje. Por njerëzit e trajnuar lëvizin kryesisht nga sistemet më të brishta drejt atyre më të pasura.
Gjermania nuk bën asgjë të gabuar kur punëson mjekun tonë.
Ajo thjesht ka kuptuar diçka që ne ende nuk duam ta shohim plotësisht: është shumë më lirë të marrësh një specialist të gatshëm sesa ta formosh nga fillimi.
Pyetja, pra, nuk është pse Gjermania i merr.
Pyetja është pse ne nuk arrijmë t’i mbajmë.
Rritja e pagave është e nevojshme. Por nuk mjafton. Ne nuk do ta fitojmë garën e pagave me Gjermaninë apo Zvicrën.
Duhet të fitojmë një garë tjetër: garën e dinjitetit profesional.
OBSH-ja rekomandon pikërisht këtë: jo një masë të vetme, por një paketë – pagë, kushte pune, zhvillim profesional, siguri dhe perspektivë karriere.
Një specialist që pranon të punojë aty ku mungesa është më e madhe duhet të ketë arsye të forta për të qëndruar: shtesë page, banim, pajisje funksionale, edukim të vazhdueshëm dhe mundësi reale përparimi.
Specializimet e financuara nga shteti mund të lidhen me kontrata të arsyeshme shërbimi.
Jo pranga.
Jo ndalim për t’u larguar.
Një marrëveshje e ndershme ndërmjet investimit publik dhe profesionistit.
Por duhet të flasim edhe me vendet që marrin kuadrin tonë.
Kodi Global i OBSH-së për Rekrutimin Ndërkombëtar të Personelit Shëndetësor kërkon që migrimi të menaxhohet në mënyrë etike dhe të mos i dobësojë më tej sistemet që tashmë vuajnë nga mungesa e stafit. Në maj 2026, Kodi u përforcua me një parim edhe më të qartë: bashkëinvestimin në sistemet dhe fuqinë punëtore të vendeve të origjinës, në mënyrë që përfitimi nga rekrutimi ndërkombëtar të mos mbetet vetëm në njërën anë.
Marrëveshjet dypalëshe mund të financojnë specializime të reja, trajnime, programe kthimi dhe investime në institucionet prej nga largohen profesionistët.
Nuk bëhet fjalë t’i vendosim çmim një mjeku.
Bëhet fjalë që vendi që e ka formuar të mos mbetet gjithmonë vetëm me humbjen.
Dhe pastaj vjen pyetja më e thjeshtë, por ndoshta më e rëndësishmja:
Sa njerëz do të na duhen nesër?
Sa anesteziologë do të dalin në pension? Sa pediatër? Sa radiologë? Sa infermierë? Në cilat qytete? Në cilat spitale?
Një shtet serioz duhet t’i dijë këto vite përpara, jo pasi reparti mbetet pa mjek.
Mjeku që largohet merr me vete një valixhe.
Por në të nuk futen të gjitha.
Nuk futen vitet që kemi investuar në të. Nuk futet turni shtesë i kolegut që mbetet. Nuk futet pacienti që do të presë një muaj më shumë.
Prandaj eksporti ynë më i shtrenjtë nuk kalon nëpër doganë.
Ai largohet në heshtje. Dhe faturën nuk e paguan ai që ikën. E paguan ai që mbetet – në ambulancë, në korridor dhe në radhë.
Burimet kryesore
- European Observatory on Health Systems and Policies — North Macedonia: Health System Review 2024
- European Observatory — North Macedonia: Health System Summary 2025 (publikuar më 19 mars 2026)
- WHO/Europe — Health workforce migration in the WHO European Region (2025)
- WHO — Global Code of Practice on the International Recruitment of Health Personnel; amendamentet e vitit 2026
- WHO/OECD/ILO — Bilateral agreements on health worker migration and mobility (2024)
- WHO — Guideline on health workforce development, attraction, recruitment and retention in rural and remote areas (2021)
- Marmot M. et al. — Health Equity in England: The Marmot Review 10 Years On (2020)
- McKee M. — The European health workforce (2021)
Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.