Grkovska: Prokuroria mund të reagojë kur ka dyshime për keqpërdorime nga funksionarët, por nuk reagon

Autoritetet gjyqësore duhet të jenë më efikase dhe të bëjnë atë që ne të gjithë presim që të bëjnë. Fakti është se Prokuroria mund të reagojë edhe pas ngritjes së zërave, por, për fat të keq, nuk kemi parë asnjë hap të vetëm të ecë në atë drejtim. Kështu ka thënë mbrëmë zëvendëskryeministrja për politika të qeverisjes së mirë, Slavica Grkovska, në një intervistë për “Top Tema”, në lidhje me propozim-amandamentet e Ligjit për funksionarët e listës së zezë, transmeton Portalb.mk.

“Nuk mund të jetë antikushtetuese nëse përcaktohet një procedurë për trajtimin e personave apo kompanive në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara dhe Mbretërisë së Bashkuar dhe nëse ajo procedurë është e lidhur me legjislacionin ekzistues maqedonas. Me këtë vendim, Qeveria do ta miratojë listën e propozimit të organit që ka kompetencë, varësisht se për çfarë vepre janë sanksionet dhe më tej procedura do të shkojë sipas ligjeve”, shtoi Grkovska.

Ajo theksoi rëndësinë e partneritetit strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i cili sipas saj është vendimtar për vendin tonë.

“Mbështetja e paekuivoke për arritjen e të gjitha qëllimeve tona strategjike, si komb dhe si shtet, i referohet edhe luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, tha ajo.

Lidhur me kritikat për miratimin e ndryshimeve të tilla ligjore, Grkovska thotë se është e vetëdijshme që zgjidhjet e tilla shkaktojnë shqetësim tek një grup i vogël njerëzish, të cilët janë mësuar ta trajtojnë shtetin ashtu siç duan.

“Fakti që i arratisuri nga drejtësia Gruevski nga Budapesti u duk se reagoi dhe thirret në sovranitetin e shtetit, duke dashur të kundërshtojë vendime të tilla, flet vetëm për faktin se iniciativa që kam nisur dhe vendimet ligjore që kemi marrë kanë goditur në shenjë “, tha Grkovska.

Zëvendëskryeministrja informoi se paralelisht me ndryshimet në Ligjin për funksionarët e listës së zezë, i cili është nën juridiksionin e Ministrisë së Punëve të Jashtme, Qeveria në afat sa më të shpejt të mundur i propozon Kuvendit ndryshimet e nevojshme në ligje të tjera, të cilat janë të lidhura me këtë propozim-zgjidhje ligjore.

Ky propozim ligj arriti në Kuvend në janar, pas çka në shkurt, Qeveria teknike e tërhoqi me arsyetimin për harmonizime shtesë.

Amendamentet e propozuara, siç njoftoi në janar ministri Bujar Osmani, parashikojnë futjen e dy instrumenteve të rëndësishme, institucioni propozues të kërkojë dhe dorëzojë të gjitha provat materiale në Prokurori për fillimin e procedurës, përfshirë konfiskimin e pasurisë, e nëse përfundon me aktakuzë, parashihet ndalim i përkohshëm i kryerjes së funksionit publik dhe ndalim i pjesëmarrjes në prokurim publik, nëse ka të bëjë me persona juridikë.

Kjo iniciativë erdhi pasi vitin e kaluar, SHBA zgjeroi “listën e zezë”, duke futur në të, ish- zëvendëskryeministri Koço Angjushev, kryetari i Komunës së Strugës, Ramiz Merko, biznesmeni kundërthënës, Orce Kamçev, për shkak të përfshirjes së tyre në korrupsion të profilit të lartë. Në “listën e zezë” amerikane janë edhe ish-drejtori i policisë sekrete, Sasho Mijalkov, dhe ish-kryeministri Nikolla Gruevski, kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi, ish deputeti Xhevat Ademi, ish ministri i punëve të brendshme, Lube Boshkovski dhe të tjerë.