Gjykata Penale ia hoqi paraburgimin Bogoevit, pranoi lirimi me kusht prej 55.000 eurosh
Këshilli Penal në Gjykatën Themelore Penale në Shkup pranoi ankesën e ish-drejtorit të Drejtorisë Doganore, Stefan Bogoev, dhe ia hoqi paraburgimin në këmbim të një garancie prej 55.000 eurosh. Me propozim të Prokurorisë, Gjykata Penale e Shkupit javën e kaluar lëshoi vendim për caktimin e paraburgimut 30-ditor për Bogoevin, i cili tani, pasi u pranua ankesa, po i hiqet, transmeton Portalb.mk.
“Garancia e përcaktuar përbëhet nga fonde në para të gatshme në shumën prej 55.000 eurosh, në ekuivalent denarë, në favor të Republikës së Maqedonisë së Veriut, një shumë që depozitohet si garanci për të siguruar praninë e të dyshuarit në rrjedhën e mëtejshme të procedurës”, njoftoi sot Gjykata Penale.
Ata shtuan se Bogoev do të urdhërohet të marrë masa paraprake – sekuestrim i përkohshëm i dokumentit të tij të udhëtimit dhe ndalim për kalimin e kufirit shtetëror. Nëse ai nuk iu përmbahet këtyre masave, siç shton Gjykata, mund të vendosen masa të tjera më të rrepta ndaj tij për të siguruar praninë e tij.
Ish-drejtori i Drejtorisë Doganore dhe ish-kryetari i komunës së Karposhit të Shkupit, Stefan Bogoev, dhe tre persona të tjerë dyshohen për manipulim të një tenderi në Doganë me vlerë rreth 300.000 euro, ndërsa Bogoev akuzohet gjithashtu për marrjen e një shpërblimi monetar prej 1.800 eurosh.