Hetim kundër Stefan Bogoevit, dyshohet se i mundësoi një kompanie përfitim të kundërligjshëm mbi 18 milionë denarë
Drejtoria e Policisë Financiare ka ngritur kallëzim penal në Prokurorinë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit kundër ish-drejtorit të Drejtorisë së Doganave, Stefan Bogoev, ndihmësdrejtorit të institucionit, si dhe dy personave të lidhur me një kompani private, për shkak të dyshimeve për keqpërdorime në procedurat e furnizimit publik, marrje dhe dhënie ryshfeti, si dhe ndikim të kundërligjshëm. Pas kallëzimit, Prokuroria ka hapur procedurë hetimore kundër katër të dyshuarve, duke vlerësuar se ekziston dyshim i bazuar se gjatë viteve 2023 dhe 2024 kanë manipuluar tenderin për mirëmbajtjen e higjienës në vendkalimet kufitare dhe terminalet, duke favorizuar një operator ekonomik dhe duke i mundësuar atij përfitim të kundërligjshëm prej 18.4 milionë denarësh. Sipas Prokurorisë, Bogoev dyshohet se ka ndikuar në përgatitjen e dokumentacionit të tenderit në favor të kompanisë së përzgjedhur dhe ka pranuar shpërblim në vlerë prej 111.600 denarësh për shfrytëzimin e pozitës dhe ndikimit të tij, ndërsa për të katër të dyshuarit është kërkuar masa e paraburgim, transmeton Portalb.mk.
“Drejtoria e Policisë Financiare ka dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit kundër S.B., në cilësinë e personit zyrtar – drejtor i Drejtorisë së Doganave, S.M., në cilësinë e personit zyrtar – ndihmësdrejtor në Drejtorinë e Doganave, D.G., në cilësinë e personit të autorizuar në një person juridik, A.S., në cilësinë e të punësuarit në një person juridik, si dhe kundër një personi juridik, për shkak të ekzistimit të bazave të dyshimit për kryerjen e veprave penale “Keqpërdorim i procedurës së thirrjes publike, dhënies së kontratës për furnizim publik ose partneritet publik-privat” nga neni 275-v i Kodit Penal të RMV-së, “Marrje ryshfeti” nga neni 357 i Kodit Penal të RMV-së, “Dhënie ryshfeti” nga neni 358 i Kodit Penal të RMV-së dhe “Pranim shpërblimi për veprim të kundërligjshëm” nga neni 359 i Kodit Penal të RMV-së”, thonë nga Policia Financiare.
Sipas provave të mbledhura, ekzistojnë baza dyshimi se në periudhën nga korriku i vitit 2023 deri në mars të vitit 2024, të kallëzuarit me vetëdije kanë shkelur rregulloret për zbatimin e procedurave të furnizimit publik për “Mirëmbajtjen e jashtme të higjienës në vendkalimet kufitare dhe terminalet”, me qëllim favorizimin e personit juridik të kallëzuar dhe anashkalimin e procedurës për dhënien e kontratave të furnizimit publik. Kjo është bërë në atë mënyrë që i kallëzuari S.B., si drejtor, ka ndikuar që në dokumentacionin e tenderit dhe specifikimet teknike të përfshihen kritere kufizuese, ndërsa i kallëzuari S.M., si ndihmësdrejtor, ka ndikuar te subjektet e tjera juridike që të mos marrin pjesë në procedurat e furnizimit publik. Me këtë kanë siguruar kushte për përzgjedhjen dhe i kanë mundësuar personit juridik të kallëzuar të përfitojë dobi pasurore të kundërligjshme në përmasa të mëdha, në vlerë totale prej 18.479.692 denarësh.
“I kallëzuari A.S., duke shfrytëzuar ndikimin e tij real, pozitën shoqërore dhe reputacionin, ka kërkuar, ndërhyrë, nxitur dhe ushtruar ndikim që të kryhet një veprim zyrtar që nuk është dashur të kryhej nga i kallëzuari S.B., në cilësinë e drejtorit të Drejtorisë së Doganave. Më pas, në bashkëveprim me të kallëzuarin D.G., kanë ndikuar te i kallëzuari S.M., të cilit drejtpërdrejt i kanë dhënë ose premtuar dhuratë dhe përfitim për të, si dhe tërthorazi për të kallëzuarin S.B., me qëllim që të kryenin një veprim zyrtar që nuk është dashur ta kryenin. Për këtë, i kallëzuari S.B., në periudhën nga maji i vitit 2024 deri në shkurt të vitit 2025, drejtpërdrejt dhe tërthorazi ka kërkuar dhe pranuar dhuratë dhe përfitime të tjera për vete, një pjesë drejtpërdrejt dhe një pjesë tërthorazi përmes të kallëzuarit S.M”, thuhet në njoftimin e Policisë Financiare.
“Në kuadër të hetimit janë siguruar prova edhe për pranimin dhe dhënien e shpërblimit për ndikim të kundërligjshëm, ku i dyshuari i parë ka pranuar shpërblim në shumën prej 111.600 denarësh për shfrytëzimin e pozitës së tij zyrtare dhe ndikimit real.
Me qëllim të zhvillimit të papenguar të procedurës penale, prokurori publik do t’i dorëzojë gjyqtarit të procedurës paraprake pranë Gjykatës Themelore Penale Shkup propozim për caktimin e masës së paraburgimit për të katër të dyshuarit”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Paraprakisht, kryeministri Hristijan Mickoski i konfirmoi hetimin ndaj ish-drejtorit të Drejtorisë së Doganave, Stefan Bogoevit. Ai tha se Bogoev, në qeverinë e kaluar ka luajtur rolin e ndërmjetësuesit për disa veprime të parregullta. Mickoski tha se ka informacione që aksione të ngjashme si i djeshmi, do të realizohen edhe nëpër disa institucione.
“Bëhet fjalë për një individ që ka qenë ish-kryetar i një komune dhe ish-drejtor i një institucioni publik, në këtë rast Drejtorisë së Doganave. Bëhet fjalë për disa punonjës brenda këtij institucioni dhe një person që, si ta them, nuk e di, nuk kam kualifikim adekuat, por ishte shumë i afërt me qeverinë e mëparshme dhe ishte person që shpesh lehtësonte këto, kushtimisht thënë, veprime që janë të mbushura me shumë paligjshmëri. Ose, në terma të thjeshtë, një ndërmjetësues. Pra, nga informacionet që kam, kjo do të zgjerohet dhe nga informacionet që kam unë disa institucione, në periudhën e ardhshme, do të përballen me aksione të ngjashme lidhur me parregullsitë e së kaluarës, të cilat përfshihen në raportet e auditimit që tregojnë indicie për keqpërdorim të detyrës dhe autoritetit zyrtar. Pra, të gjitha këto janë në fazën e hetimit. Unë besoj në prezumimin e pafajësisë. Çdokush ka mundësinë dhe të drejtën të provojë pafajësinë e tij, prandaj nuk do të hyja në komente të mëtejshme nga frika se mund të dëmtoja në mënyrë materiale procesin”, theksoi Mickoski.
Kujtojmë se dje, Policia Financiare, zhvilloi bastisje në shtëpi, objekte afariste dhe lokacione të tjera në disa pjesë të vendit. Sipas autoriteteve, aksioni u realizua me urdhër të gjykatës dhe në kuadër të një parahetimi për krim financiar dhe korrupsion.
Sipas Policisë Financiare, ekzistojnë dyshime se zyrtarë dhe persona të tjerë kanë keqpërdorur pozitën, ndikimin dhe reputacionin e tyre për të siguruar përfitime të paligjshme pasurore me vlerë të konsiderueshme.