Gjykata Penale i refuzoi pretendimet e mbrojtjes së Shteklit se ai nuk është i aftë psiqikisht të ndjekë gjykimin e tij

Gjykata Themelore Penale – Shkup e refuzoi ankesën e mbrojtjes së Rade Trajkovski Shteklit, në të cilën thuhej se i akuzuari ka probleme psiqike dhe nuk është i aftë të ndjekë seancën kryesore të gjykimit ndaj tij për rastin në të cilin akuzohet për tregti me drogë, shkruan 360 shkallë, njofton Portalb.mk.

Para fillimit të seancës së sotme, kryetari i Këshillit Gjyqësor, Ilija Tërpkov, informoi se sipas Gjykatës, ekspertiza e mbrojtjes është jo-objektive dhe ekziston bazë për të qenë e njëanshme, pasi është bërë nga mjeku shumëvjeçar i Trajkovskit. Nga ana tjetër, ai theksoi se i akuzuari është ekzaminuar nga psikiatrja Olivera Subotin-Popovska, dhe sipas ekzaminimit, ai është i aftë ta ndjekë gjykimin dhe të deklarohet për fajësinë e tij.

“Vetëm në raste të jashtëzakonshme urdhërohet super-ekspertizë, por në këtë rast Gjykata ishte e bindur nga ekspertja Olivera Subotin-Popovska sa i përket aftësisë së të akuzuarit Rade Trajkovski për të ndjekur gjykimin”, deklaroi gjykatësi Tërpkov.

seancën e të enjtes së javës së kaluar, Tërpkov deklaroi se Këshilli Gjyqësor do të shqyrtojë ekspertizat e kundërta nga Prokuroria dhe nga mbrojtja për gjendjen psikike të Rade Trajkovskit-Shteklit, pas së cilës do të vendosë nëse rasti do të dërgohet për super-ekspertizë apo do të vazhdojë seanca kryesore e gjykimit.

Mbrojtja e Shteklit, përmes ekspertizës, pretendon se ai ka probleme psiqike dhe nuk është në gjendje të ndjekë seancën kryesore, ndërsa sipas ekspertizës së Prokurorisë, ai është në gjendje të mirë shëndetësore.

Aktakuza, e ngritur nga Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar, përfshin gjithsej 10 persona, pas një hetimi pothuajse njëvjeçar në të cilin u aplikuan masa të posaçme hetimore. Prokuroria vlerësoi që grupi siguronte dhe shiste kokainë dhe marihuanë. Komunikimi zhvillohej përmes aplikacionit Snapchat, ndërsa provat kryesore u siguruan përmes sistemit të analizës së telefonave celularë. Sipas Prokurorisë, grupi ishte i organizuar mirë, me role të përcaktuara qartë, nga sigurimi deri te shitja e drogës.

Fillimisht, u përfshinë 16 persona, shtatë prej të cilëve tashmë kanë lidhur marrëveshje pranimi të fajësisë dhe kanë marrë dënime me burgim nga 3 deri në 3,5 vjet.  Katër të akuzuar – Danço Masev, Dimitar Trajkov, Vladimir Veselinovski dhe Branislav Zajkov – gjithashtu paraqitën deklaratë për fajësi, pas çka Gjykata mori vendim për ndarjen e procedurës penale.

Kujtojmë se, gjatë dy viteve të fundit para arrestimit, Rade Trajkovski u ka mbijetuar disa tentativa për atentat ndaj tij. Ai ishte qëlluar në një qendër tregtare, ndërsa një mjet shpërthyes ishte hedhur në oborrin e shtëpisë së tij në lagjen “Qeramidnica” të Shkupit.