Jovan Bozhinovski u.d drejtor i ri i Neurologjisë, Komisionet do të hetojnë se si ka punuar pa licencë Kuzmanovski i shkarkuar

Doktori Jovan Bozhinovski është emëruar ushtrues detyre drejtor i ri në detyrë i Klinikës për Neurologji, tha sot ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu. Më 10 tetor, Aliu e shkarkoi drejtorin e mëparshëm, Igor Kuzmanovski, pasi në orët e vona të mbrëmjes u shfaq një video me Kuzmanovskin, në një ambient shtëpiak, ku ai përzien një substancë të bardhë pluhuri në një pjatë, flet për të me asociacion për kokainën dhe bisedon me një person tjetër, njofton Portalb.mk.

“Nëse është pak e përzier, menjëherë ta kthej, do ta hedh, nuk mund të thithi të bardhë me ‘speed’ dhe amfetamina. A dëshiron ta provosh dhe të thuash nëse është e mirë”, i thotë Kuzmanovski bashkëbiseduesit në video.

Ministri Aliu tha sot se Oda e Mjekëve e kishte njoftuar se Kuzmanovskit i kishte skaduar licenca, ndërsa në pyetjen e një gazetari nëse do t’i vazhdohet apo lëshohet ajo, ai tha se Oda është përgjegjëse për këtë.

“Është formuar një komision nga Ministria e Shëndetësisë, kërkova mbikëqyrje inspektuese për punën e doktorit. Po hetohet në ‘Termini Im’ (Moј Termin) nëse në periudhën nga 15 marsi, kur i ka skaduar licenca, deri më 8 gusht, kur është bërë drejtor, ka punuar me pacientë. Rastin do ta hetojë edhe Inspektorati Shtetëror Sanitar dhe Shëndetësor. Më shumë se kaq nuk mund të jap informacione”, tha ministri.

Bozhinovski tha se Klinika gjendet në një moment kritik, por siguron se do të funksionojë pa pengesa. Ai njoftoi se edhe në Klinikë do të ketë dy komisione që do të shqyrtojnë punën e doktor Kuzmanovskit.

“Një mjek duhet të jetë i vetëdijshëm se me çdo akt të papërshtatshëm, të pavlerë, të pandershëm dhe poshtërues, përveç kompromentimit të vetes, ai kompromenton edhe të gjithë kolegët e tjerë”, deklaruan ditë më parë nga Oda e Mjekëve.

Kuzmanovski, nga ana tjetër, i cili dje pas publikimit të videos u shkarkua nga pozicioni i drejtorit të Neurologjisë me vendim të Ministrit të Shëndetësisë, Azir Aliu, kërkoi falje në Facebook për procedurën, duke deklaruar se kjo ndodhi në një moment dobësie dhe para se të merrte përsipër menaxhimin e Klinikës së Neurologjisë.

Për rastin e Kuzmanovskit reaguan edhe partitë politike. VMRODPMNE në pushtet, nga radhët e së cilës vjen Kuzmanovski, ishte e para që foli dhe mbështeti vendimin për shkarkimin e Kuzmanovskit nga pozicioni i drejtorit, duke u bërë thirrje institucioneve të veprojnë në përputhje me ligjin dhe procedurat. U deklaruan edhe nga LSDM-ja opozitare, duke kërkuar përgjegjësi penale për Kuzmanovskin, si dhe hetim të plotë të punës së tij të përgjithshme si mjek dhe drejtor i Klinikës së Neurologjisë. Lideri i LSDM-së, Venko Filipçe, i bëri thirrje Dhomës së Mjekëve që të reagojë edhe për rastin e Kuzmanovskit duke vlerësuar se sa gjatë kishte ndodhur kjo dhe nëse një mjek në një gjendje të tillë mund të trajtonte pacientë.