Gjykata mori masa paraburgimi për disa të akuzuar në rastin e FFM-së
Në lidhje me hetimet rreth rasteve korruptive ne Federatën e Futbollit të Maqedonisë (FFM), Gjykata sot ka pranuar disa propozime për paraburgim nga Prokuroria, transmeton Portalb.mk.
“Duke vepruar sipas propozimit të Prokurorisë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, për caktimin e masës së paraburgimit dhe masave paraprake kundër 12 personave që u sollën në gjykatë këtë mëngjes, një gjyqtar i procedurës paraprake, pas deklarimeve të tyre në prani të avokatit mbrojtës, nxori vendime për paraburgimin e tri personave deri në 30 ditë, pesë personave paraburgim shtëpiak dhe katër persona për masa sigurie”, raportoi Prokuroria Themelore Publike.
I.G., O.M. dhe G.C. janë në paraburgim, ndërsa N.L., I.P., I.Sh., S.T. dhe K.A. do të jenë në arrest shtëpiak.
Masa sigurie do të ketë për T.P., J.D., D.J. dhe E.N.
Prokuroria sqaroi që nuk ka qasje deri te pesë persona akoma, për dy prej tyre ka masë paraburgimi, ndërsa për tre masa sigurie.
Ndryshe, gjatë ditës së djeshme (18 qershor), persona të autorizuar zyrtarë të Drejtorisë së Policisë Financiare, së bashku me Ministrinë e Punëve të Brendshme, duke vepruar sipas urdhrave të lëshuara nga gjyqtari i procedurës paraprake, e në koordinim dhe nën drejtimin e prokurorit publik kompetent nga Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, kryen kontrolle në shtëpi, hapësira afariste dhe te persona në disa lokacione në Shkup. Ky aksion rrjedh nga një kallëzim penal i paraqitur më parë nga Drejtoria e Policisë Financiare në Prokurori.
Në kuadër të aksionit, dhe sipas udhëzimeve të prokurorit publik kompetent, nga personat e autorizuar të Drejtorisë së Policisë Financiare janë privuar nga liria 12 persona, 5 persona janë të paarritshëm për organet e ndjekjes, ndërsa njëkohësisht është siguruar dokumentacion shtesë, janë sekuestruar mjete financiare dhe janë marrë pajisje elektronike që do t’i nënshtrohen ekspertizës.
Kujtojmë se Prokuroria ka hetuar sfondin e ndërtimit të një tribune në stadiumin e Ohrit, për të cilin ish kreu i FFM-së Muhamed Sejdini akuzohet për abuzim me detyrën e tij zyrtare.
Sejdini u arrestua më 23.04.2026, ndërsa në tetor të vitit 2024 i është hequr dokumenti diplomatik i udhëtimit. Kryetari i FFM-së paraprakisht ka njoftuar që në fund të muajit shtator është sulmuar nga tre persona në një lokal në qendër të Shkupit.
Muhamet Sejdini e udhëhoqi FFM-në nga viti 2018, kur e trashëgoi nga Illço Gjorgjievski. Paraprakisht katër vite ishte njeriu i dytë i Federatës. Ai dha dorëheqje nga pozita e kryetarit në nëntor të vitit 2024. Pas tij kryetar u zgjodh Masar Omeragiç.
- LEXO: Prokuroria dha detaje: Ish-kryetari i FFM-së nën hetim për 660 mijë euro, Gjykata i caktoi paraburgim për zhvatje të fondeve të UEFA-s
- LEXO: Është arrestuar ish-kryetari i FFM-së, Muhamed Sejdini, dyshohet për përvetësim e rreth 700,000 eurove
- LEXO: FFM e sanksionoi ish-kryetarin e saj Muamed Sejdinin me ndalim dy-vjeçar të kryerjes së ndonjë funksioni
- LEXO: I është tërhequr pasaporta diplomatike kryetarit të FFM-së, Muammed Sejdinit