Deputetët e Maqedonisë së Veriut kundër futjes së byzylykëve elektronikë për ndjekjen e autorëve të dhunës
Parlamenti dështoi përsëri të miratojë ndryshimet në Ligjin për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Dhuna ndaj Grave dhe Dhuna në Familje, i cili parashikonte futjen e byzylykëve elektronikë për autorët e dhunës, raporton Meta, përcjell Portalb.mk.
Ndryshimet e propozuara, të cilat, përveç masës së ndalimit të afrimit, do të kërkonin që autorët të mbajnë pajisje elektronike për monitorimin dhe paralajmërimin në kohë të viktimës, nuk morën mbështetje nga shumica parlamentare. Kjo nuk është një iniciativë e re; të njëjtat ndryshime u paraqitën vitin e kaluar, por as atëherë nuk u votuan.
Propozimi u paraqit nga deputetja dhe kryetarja e PDL-së, Monika Zajkova, por nuk arriti të sigurojë një numër të mjaftueshëm votash në Kuvend.
Nga një total prej 97 deputetësh të regjistruar, vetëm 27 votuan “pro”, gjë që nuk ishte e mjaftueshme për të miratuar ndryshimet.
Kjo shënon herën e dytë që iniciativa për të futur mbikëqyrjen elektronike të autorëve të dhunës në familje, një masë që supozohej të kontribuonte në mbrojtje më të madhe për viktimat, ka dështuar.
«Nga sot e tutje, ju bëheni bashkëpunëtorë në çdo viktimë tjetër, në një sistem që lejon që edhe një grua të jetojë me frikë», thotë Zajkova.
Në Maqedoninë e Veriut planifikohet ndryshimi i tetë ligjeve në kuadër të Trupit koordinues kombëtar për zbatimin e Konventës së Këshillit të Evropës për parandalimin dhe luftimin e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje. Komisioni për këtë arsye më 10 mars ka mbajtur seancë të jashtëzakonshme.
Tragjedia në Karposh ndodhi më 2 mars, kur nëna Ivana dhe vajza e saj gjashtëvjeçare Katja humbën jetën pasi ranë nga ballkoni i katit të gjashtë të ndërtesës ku jetonin.
Ministri i Punëve të Brendshme Pançe Toshkovski të nesërmen deklaroi në konferencë për shtyp se policia kishte qenë në vendngjarje rreth dy orë para tragjedisë, pasi në orën 12:05 ishte pranuar një denoncim për një grindje. Policia kishte mbërritur në 12:19 dhe kishte biseduar me gruan, e cila atëherë kishte nënshkruar një deklaratë se nuk kishte pasur kontakt fizik mes saj dhe bashkëshortit dhe se nuk kërkonte fillimin e procedurës.
Sipas Toshkovskit, policia posedon edhe një video incizim nga e njëjta ditë, ku shihet i dyshuari duke e goditur viktimën. Ai informoi se i dyshuari më parë ishte raportuar për dhunë në familje dhe kishte një histori kriminale me dhjetë kallëzime penale për dhunë, vjedhje dhe tregti me drogë.
Pas tragjedisë, fqinjët dhe të afërmit e së ndjerës deklaruan publikisht se dhuna në familje ishte raportuar për vite me radhë, por institucionet nuk kishin reaguar siç duhet. Vëllai i viktimës shkroi në rrjetet sociale se “pas viteve të raportimit të dhunës familjare, dhunës fizike dhe psikologjike ndaj të dyjave, kërcënimeve, denoncimeve dhe një tentative për vrasje në mes të një institucioni shtetëror, humba mbesën dhe motrën”, duke akuzuar se sistemi kishte dështuar t’i mbrojë.
Pavarësisht ndryshimeve në Kodinin Penal në janar të këtij viti, sipas të cilave MPB duhet të veprojë ndaj denoncimeve për dhunë në familje edhe kur viktima nuk nis procedurë, policia sipas kritikëve nuk po i zbaton këto risi.
- LEXO: Tetë raste të dhunës në familje të raportuara në RMV, gjashtë persona të arrestuar
- LEXO: Prokuroria do të hetojë nëse dikush në Qendrën për Punë Sociale ka kryer vepër penale në rastin e gruas në Karposh
- LEXO: Tragjedia në Karposh: Është ndaluar një person, Prokuroria nisi hetimet për vdekjen e nënës dhe fëmijës
- LEXO: Një grua kërceu nga një ndërtesë me fëmijën në krahë në Karposh, vdiq në vendngjarje